Sport

Lojtari që e synon Kosova, vazhdon kontratën me kampionin e Suedisë

Suedia të dielën u shpall kampione e Evropës në hendboll. Ndërkohë për skuadrën kampione të Suedisë luan një hendbollist shqiptar, të cilin e synon përfaqësuesja e Kosovës.

Bëhet fjalë për Gzim Salihin, hendbollisti me prejardhje nga Mitrovica. Ai është pjesë e skuadrës IK Savehof, që edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit. Salihi të martën ka vazhduar edhe për një vit kontratën me Savehohin, tek e cila skuadër është në edicionin e shtatë aktualisht. Reprezentuesi potencial i Kosovës do të luajë te Savehofi edhe në edicionin 2022/2023.

Gzim Salihi ishte zhvilluar te skuadra Nodinge, ndërsa në Savehof është prej vitit 2014. Deri më tani i ka fituar katër trofe.

“Jam falënderues dhe i lumtur që kam fituar mundësinë të qëndroj edhe një vit te Savehofi. Do të jetë kënaqësi të vazhdoj të zhvillohem në aspektin individual, në fushën e lojës dhe jashtë saj, në një klub profesional dhe me një ekip që ka ambicie shumë të mëdha”, ka thënë Salihi për sajtin zyrtar të klubit.

Te Savehofi kanë konfirmuar se e vlerësojnë lart Salihin.

është lojtar vendimtar dhe shumë i mirë për fitimin e ndeshjeve. Ai mban nivel shumë të lartë në Suedi. Synimi ynë është që Gzimi të arrijë nivele më të larta si lojtar”, ka thënë trajneri i Savehofit, Michael Apelgren.

Me Savehofin, Salihi po paraqitet në fazën grupore të Ligës së Evropës, niveli i dytë i garave kontinentale. 23-vjeçari është prej më të mirëve. Ai është i gjatë 1.97 centimetra, ndërsa i ka 32 gola deri më tani këtë edicion në garën evropiane.

Beku i majtë ka luajtur në të kaluarën për të rinjtë e Suedisë, dhe atë me shumë sukses. Në të ardhmen mund të vesh fanellën e Kosovës. Të paktën kështu shpresojnë në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, ka treguar se ka shumë vjet që është në kontakt të vazhdueshëm me Salihin.

“Ka disa vjet që jemi në kontakt me Gzim Salihin. Raportet tona janë korrekte. Ne shpresojmë, por edhe presim që ai të na bashkohet te Kosova në të ardhmen e afërt. Gzimi është lojtar shumë cilësor dhe do të ishte përforcim i vlefshëm për Kosovën. Edhe ai ka shprehur dëshirë të luajë për Kosovën, por një herë do ta shikojë statusin e tij në Suedi”, ka thënë Gjinovci për KOHËN.