Sport

Mbrojtja e Nices më e mira në Evropë falë Dantes 40-vjeçar

Duke shijuar ecurinë më të gjatë pa humbje në më shumë se 50 vjet, lideri i ligës franceze Nice duket si një kështjellë e paprekshme dhe e mbrojtur nga qendërmbrojtësi veteran Dante, i cili në moshën 40-vjeçare është aq i fortë si kurrë më parë. E vetmja skuadër ende e pamposhtur në Francë këtë sezon, Nice, ka arritur ta mbajë tetë herë portën të paprekur në 11 ndeshje dhe ka pranuar vetëm katër gola. Në zemër të drynit mbrojtës të ngritur nga trajneri Francesco Farioli, ish-lojtari i Brazilit, Dante, ka qenë një element vendimtar. I vlerësuar për etikën e tij dhe stilin e jetës së matur, kapiteni i Nices është një lider dhe një shembull i jetëgjatësisë. Ai luajti 4.440 minuta në të gjitha garat edicionin e kaluar dhe nuk ka humbur asnjë minutë të këtij edicioni në Ligue 1, duke kontribuar për ta bërë mbrojtjen e Nices më të mirën në pesë ligat më të forta të Evropës.

“Dante është një lojtar me inteligjencë të madhe”, tha Farioli të enjten. “Ai e di kur të tërhiqet dhe kur të shkojë përpara. Ai di të mbrohet në hapësira të ngushta dhe në zona të gjera. Ai mund të sulmojë dhe të mbrohet”.

I njohur me nofkën “CommanDante”, futbollisti brazilian iu bashkua Nices shtatë vjet më parë, pasi kishte fituar Ligën e Kampionëve dhe katër tituj të Bundesligës me Bayern Munichun.

Puna e tij në Francë pothuajse u ndërpre në nëntor të vitit 2020, kur ai pësoi këputje të ligamentit në gjurin e majtë që shumë besonin se do t'i jepte fund karrierës së Dantes, por ai u rikthye edicionin tjetër dhe e ndihmoi skuadrën të përfundonte me rekordin më të mirë të mbrojtjes. Dante, i cili është gjashtë vjet më i ri se trajneri Farioli, nuk është ngadalësuar aspak që kur nënshkroi rinovimin e kontratës për një vit edicionin e kaluar. Statistikat e tij përpara ndeshjes të së premtes kundër Montpellierit janë mbresëlënëse, me 982 pasime, 10 ndërprerje, 21 ndërhyrje të sakta, si dhe 65 për qind të dueleve të fituara.

“Ai është 40 vjeç, është një lojtar që luan mirë dhe duket sikur ka moshën time”, pranoi francezi Jean-Clair Todibo, partneri i Dantes në qendër të mbrojtjes te Nice. “Kam shumë respekt për Danten dhe mendoj se të gjithë e respektojmë. Ai po luan ndeshje në një nivel shumë, shumë të lartë, është çmenduri ajo që ai ofron në fushë. Ai stërvit çdo ditë, nuk kursen veten dhe bën çdoherë një lojë të shkëlqyer”.

Nice ka një pikë epërsi ndaj kampionit në fuqi, Paris Saint-Germainit, i cili udhëton në Reims të shtunën në kërkim të rikthimit te fitorja pas humbjes 2:1 kundër Milanit në Ligën e Kampionëve. Në ndeshjet e tjera, Monaco e vendit të tretë udhëton në Le Havre dhe Marseille është mysafir i skuadrës së Lensit.

Në Montpellier, Nice do të duhet të gjejë një mënyrë për të kompensuar mungesën e Youssouf Ndayishmiye. Mesfushori i Burundit ka qenë një lojtar kyç, duke sjellë shumë përpjekje në mbrojtje së bashku me Danten dhe Todibo, por ai u përjashtua fundjavën e kaluar dhe është i pezulluar.

“Ne pa dyshim menduam se çfarë mund të bënim”, tha Farioli. “Mungesa e Youssoufit, i cili deri më tani kishte luajtur çdo minutë, është një goditje për ne. Por do të jetë gjithashtu një shans për lojtarët e tjerë që të dalin në pah. Ne ende duhet të mendojmë për të dhe të gjejmë ekuilibrin më të mirë në fushë”.