Sport

Messi insiston se nuk është pishman që zgjodhi ta vazhdojë karrierën në SHBA

Tifozët rreshtohen jashtë objektit të stërvitjes së Inter Miamit për të parë makinën e Lionel Messit duke u larguar pas seancave stërvitore. Lojtarët e skuadrave kundërshtare presin pas ndeshjeve për të marrë firmën e tij ose thjesht një shtrëngim duarsh. Fanella e tij me numrin 10 është kudo në Florida të Jugut. Për Messin, këto janë vetëm konfirmime shtesë se ai bëri zgjedhjen e duhur në karrierë. Ai mund të kishte vazhduar karrierën e tij me një tjetër qëndrim në Barcelonë, ku u shndërrua në yll të futbollit. Po ashtu, mund të kishte nënshkruar një marrëveshje fitimprurëse për të luajtur për Al-Hilalin në Arabinë Saudite. Megjithatë, ai zgjodhi të panjohurën - të udhëtonte përtej oqeanit dhe të luante futboll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - dhe ai është i kënaqur për këtë.

“Që nga fillimi, që nga ardhja ime, ka qenë një pritje mbresëlënëse që e kam marrë nga të gjithë”, tha Messi përmes një përkthyesi.

Ai foli publikisht të premten për herë të parë që kur njoftoi më datën 7 qershor se do t’i bashkohej skuadrës së Inter Miamit në MLS. Ai tek Miami u transferua si lojtar i lirë pasi në fund të muajit qershor i skadoi kontrata me Paris Saint-Germainin, ekip për të cilin luajti dy edicione.

“Pa dyshimin mëtë vogël, mund të them se jam shumë i lumtur për vendimin që e kam marrë. Pra, të bashkohem me Interin dhe ta vazhdoj karrierën në SHBA”, shtoi Messi në sallën e mbushur me gazetar në stadiumin “DRV PNK Stadium” të Miamit.

36-vjeçari pranoi se është ende duke u përshtatur me mjedisin e tij të ri. Familja e tij ndodhet në një vend të përkohshëm në Florida të Jugut, ndërsa ata po kërkojnë një shtëpi të përhershme. Tre djemtë e tij do të fillojnë së shpejti shkollën. Messi ende po mësohet me Floridan “e nxehtë dhe të lagësht”, por në përgjithësi, tranzicioni ka qenë “shumë më i lehtë sesa pritej” në krahasim me kalimin e tij nga Barcelona te Paris Saint-Germaini në verën e vitit 2021. Madje, ai zbuloi se nuk e kishte dëshiruar aspak kalimin te skuadra franceze.

“Shkova në Paris, por nuk ishte as e planifikuar dhe as e dëshiruar”, tha Messi. “Nuk doja të largohesha nga Barcelona por qëndrimi im u bë e vështirë. Megjithatë, te Miami është krejt e kundërta dhe për këtë i falënderohem Zotit”.

Që nga njoftimi për transferimin e Messit, Inter Miami punësoi ish-trajnerin e Barcelonës dhe Përfaqësueses së Argjentinës, Gerardo “Tata” Martino dhe transferoi ish-kapitenin e Barcelonës, Sergio Busquetsin dhe mbrojtësin e krahut të majtë, veteranin Jordi Alba. Rritja e klubit që atëherë ka qenë meteorike. Messi ka shënuar nëntë gola në gjashtë ndeshje me klubin e tij të ri, i cili është në vendin e fundit në Konferencën Lindore të MLS-së me një rekord 5-14-3. Tani, Milani është në një seri prej gjashtë fitoresh rresht dhe do të kërkojë trofeun e parë pasi do të luajë në finalen e Kupës së Ligës kundër ekipit Nashville, të dielën.

“Që kur filloi gara, ne e dinim se do të fillonim nga e para sepse kishte një trajner të ri me ekipin dhe lojtarë të tjerë të rinj”, tha Messi. “Që nga fillimi, ne kemi bërë shumë mirë falë të gjithë bashkëlojtarëve të rinj që janë këtu. Kjo ishte një mundësi e mirë për të filluar të ndryshojmë dhe të vendosim synime të vështira për ne, por qëllime që ishim të përgatitur për t'i arritur”.

Miami mposhti Philadelphian - një ekip në top tre të Konferencës Lindore - në raundin gjysmëfinal të martën. Messi shënoi një gol nga distanca në fitoren e thellë 4:1 të Inter Miamit. Në debutimin e tij më 21 korrik, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi nga gjuajtja e lirë në minutën e 94-të për t'i dhënë Inter Miamit fitoren 2:1 ndaj klubit meksikan Cruz Azul në ndeshjen hapëse të Kupës së Ligës.

Ai vazhdoi me paraqitje të mira dhe me dy gola tjerë në ndeshjen tjetër të kësaj gare, atë kundër Atlantas që u zhvillua pak ditë më vonë. Në ndeshjen e tij të parë në udhëtim, që ishte me sistem eliminimi, Messi i siguroi barazimin Interit ndaj Dallasit me gol nga gjuajtja e lirë dhe ishte i saktë nga pika e bardhë. Interi Miami avancoi tutje pasi fitoi me penallti.

“Ai është në fazën e karrierës së tij ku ka bërë gjithçka që çdo futbollist mund të bëjë në sport si një nga lojtarët më të mëdhenj, nëse jo lojtari më i madh që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë”, tha bashkëpronari i Inter Miamit, David Beckham. . “Pra, ai është ende i uritur. E kam parë në fushën e stërvitjes. E di që është ende i uritur”.

Duke ndjekur rrugën e disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit që ishin transferuar në SHBA në fund të karrierës - Pele, Franz Beckenbauer, Thierry Henry dhe vetë Beckham - Messi sigurisht e ka ngritur futbollin amerikan në një skenë globale. Ai është katër herë fitues i Ligës së Kampionëve dhe ka 10 tituj të La Ligës. Me 129 golat e tij në Champions, Messi renditet i dyti në listën e shënuesve më të mirë të kësaj gare, prapa Ronaldos me 140 të realizuar. Pas më shumë se 17 vjetësh kur debutoi si profesionist në Evropë dhe vetëm disa muaj pasi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën, Messi duket se është ende në kulmin e karrierës së tij. Por për të, kjo fazë e karrierës së tij nuk ka të bëjë me të qenit ambasador i sportit në SHBA apo edhe të grumbullojë më shumë vlerësime individuale.

“Unë thjesht erdha këtu për të luajtur dhe për të vazhduar të shijoj futbollin”, insistoi Messi.