Sport

Muslija flet për golin nga korneri

Florent Muslija

Florent Muslija ka shkëlqyer të shtunën në fitoren 2:1 të Fortuna Dusseldorfit ndaj Greuther Furthit. 

Reprezentuesi i Kosovës asistoi për 1:0, ndërsa shënoi për 2:0. Golin e dytë e shënoi me goditje direkt nga këndi. Golat e tillë janë të rrallë në futboll.

Muslija ishte më i miri i ndeshjes që i takoi xhiros së 17-të të Bundesliga 2. Për Dusseldorfin ishte fitore e rëndësishme në garë për mbetje në kategorinë e dytë gjermane. Aktualisht është në vendin e 16-të me 17 pikë.

“Para goditjes nga këndi Timo Oberdorf më tha që të gjuaja direkt në shtyllën e parë. E bëra këtë dhe topi përfundoi në portë. Goditje e mirë, do të thosha. Ishte gol i bukur. Por natyrisht, tri pikët janë gjëja më e rëndësishme. Kemi dashur që të shkojmë në pushimin dimëror me ndjenjë më të mirë. E kemi ditur se sa e rëndësishme është ndeshja. Fitorja është e mirë për të gjithë ne”, ka thënë Muslija për sajtin zyrtar të Fortuna Dusseldorfit.

Ai është shumë i rëndësishëm te skuadra gjermane. Në 16 paraqitje i ka tri gola e një asistim. 27-vjeçari është i huazuar nga Freiburgu.