Sport

Në futbollin kosovar tashmë dënime jepen edhe për incidente në ndeshjet miqësore

Një lojtar i Ramiz Sadikut dhe një i Besës kanë shkëmbyer grushte në një miqësore të luajtur më 16 janar në Prishtinë. Uliks Spahija i Besës dhe Venhar Hyseni i Ramiz Sadikut janë përjashtuar direkt me karton të kuq për grushtimin e ndërsjellë në minutën e 87-të të takimit miqësor.

Në të kaluarën kartonët e kuq në një ndeshje të karakterit miqësor nuk do të kishin ndonjë peshë të madhe – nuk do të kishte pasoja të mëtejme për lojtarët. Por kjo tashmë ka ndryshuar. Spahija e Hyseni pritet të dënohen me nga disa ndeshje moslojë për rrahjen që e bën në fushën e lojës. Pra, më nuk ka rëndësi që ndeshja ishte miqësore.

Të martën Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë ka diskutuar për miqësoren ndërmjet Ramiz Sadikut dhe Besës, skuadra këto të Ligës së Parë. Komisioni, sipas njoftimit, ndeshjen e ka regjistruar me rezultatin e arritur në fushë. Por ka bërë inicim disiplinor ndaj dy lojtarëve.

Është hera e parë që në futbollin kosovar ka inicime disiplinore për kartonë të kuq në miqësore. Kjo është përfshirë në rregulloren e garave verën e kaluar dhe vlen për edicionin aktual, 2021/2022.

“Çdo ndeshje miqësore duhet t’i paraqitet komisionit kompetent. Paraqitja e ndeshjes, si dhe kërkesa për gjyqtarë duhet të bëhet së paku 8 ditë para ndeshjes, ndërsa për raste të arsyeshme 48 orë para ndeshjes. Arsyeshmërinë e kërkesës e vlerëson organi kompetent. Kartoni i kuq direkt dhe rastet apo incidentet e lajmëruara në komisionin përkatës vlejnë sikurse edhe në ndeshjet e tjera zyrtare”, thuhet në nenin 45 të Rregullores së garave për edicionin 2021/2022.

Në të kaluarën komisionet e FFK-së nuk janë marrë me incidentet që kanë ndodhur në ndeshje miqësore. Ka pasur raste kur incidentet ishin të rënda.

“Me ndeshje publike nënkuptohen të gjitha ndeshjet e garave të përhershme, si dhe ndeshjet miqësore dhe turnetë që i organizojnë klubet, organizatat sportive etj. Ndeshjet miqësore publike dhe turnetë organizohen sipas dispozitave të cilat vlejnë për gara të përhershme dhe dispozitave të posaçme që parashihen me këtë rregullore. Persona që bëjnë lëshime dhe kundërvajtje eventuale në ndeshje publike merren në përgjegjësi sipas dispozitave të Rregullores Disiplinore të FFK-së”, shkruan në nenin 43 të Rregullores së garave.

Spahija e Hyseni me shumë mundësi do të mungojnë në ndeshje kampionale për rrahjen në ndeshje miqësore. Në FFK kanë thënë se ka kaluar koha kur incidentet në miqësore kanë mbetur pa u ndëshkuar. Për miqësore ekziston protokolli i veçantë, të cilin e mbushin gjyqtarët. Nuk ka masa për kartonët e verdhë, por ka dënime për incidentet më të rënda, përkatësisht për kartonët e kuq.