Sport

Nga Fury te Tarver, kundërshtarët më të mëdhenj të boksierëve shqiptarë

Me gjithë pezullimin e sportit për shkak të koronavirusit, në boksin profesionist vazhdon të jetë temë e vazhdueshme meçi i mundshëm në mes të dy kampionëve të kategorisë së rëndë, Anthony Joshuas dhe Tyson Furyt.

Bujë në ditët e fundit ka bërë edhe vendimi për pezullim të licencës së Billy Joe Saundersit, për shkak të një videoje të tij ku promovonte dhunën.

Britanikët e njohur, Fury e Saunders gjatë karrierës kanë pasur përballë edhe boksierë shqiptarë. Me Furyn është përballur Sefer Seferi, ndërsa me Saundersin, Shefat Isufi. Të dyja përballjet i kanë fituar britanikët.

Në fakt boksierët më të njohur shqiptarë i kanë humbur meçet e tyre kryesore, me kundërshtarët më të mëdhenj.

Koha.net paraqet meçet më të mëdha të boksierëve shqiptarë dhe ”historinë” e përballjeve me më të njohurit e ringut. Renditja e boksierëve shqiptarë është bërë në bazë të alfabetit. Janë paraqitur vetëm boksierët që kanë pasur përballë boksierë të nivelit më të lartë botëror.

Arnold Gjergjaj (bilanci: 33 fitore, tri humbje)

Arnold Gjergjaj (35) karrierën e zhvillon në kategorinë e rëndë. Bilanci i tij është thuajse impresiv. Ka shënuar 33 fitore, prej tyre 24 me ndërprerje. Ndërkohë i ka tri humbje, dy me ndërprerje.

Gjergjaj shquhet për goditjen e fortë, madje ishte raportuar se e kishte goditjen më të fortë se vëllezërit Klitschko. Gjergjaj karrierën e zhvillon në Zvicër, ndërsa goditja e fortë nuk i kreu punë, kur më 21 maj të vitit 2016 u përball me David Hayen. Meçi ishte zhvilluar në Londër, ndërsa britaniku Haye kishte fituar me ndërprerje në raund të dytë.

Me atë humbje gjasat e Gjergjajt që të depërtonte në nivelin serioz thuajse u shuan. Ai nuk i bëri fare rezistencë Hayes.

“Humbja më bren. Dhemb shumë, por duhet të them që Haye ishte më i fortë dhe e uroj për fitoren. Herët kam marrë goditje të fuqishme. Ai më ka goditur fuqishëm dhe më pas nuk isha vetja. Këmbët nuk më mbanin. Isha si në ëndërr, nuk isha plotësisht aty. Nganjëherë shihja edhe tre apo katër Haye, aq keq isha”, kishte thënë Gjergjaj disa ditë pas meçit me David Hayen.

Image

Prej atëherë Gjergjaj ka zhvilluar edhe gjashtë luftëra. Ka fituar katër e ka humbur dy, por asnjëherë më nuk e ka fituar respektin që e kishte para përballjes me Hayen, boksierin e njohur që ka mbajtur tituj të botës në dy kategori të ndryshme.

Edis Tatli (bilanci: 32 fitore, tri humbje)

Edis Tatli bokson në kategorinë e lehtë dhe po ashtu ka bilanc impresiv, 32 humbje (10 me ndërprerje) dhe tri humbje (një me ndërprerje).

Tatli 32-vjecar pësoi nga Richar Abril më 20 shtator të vitit 2014, në luftë për titull të botës në versionin WBA.

Por kundërshtari më i njohur i Tatlit ishte Teofimo Lopez, prej të cilit pësoi më 20 prill të vitit të kaluar. Tatli e Lopez ishin përballur në New York. Lopez 22-vjeçar ka fituar 15 meçet e deritashme, ndërsa e mban titullin e botës në versionin IBF.

Image

Elvir Muriqi (bilanci: 40 fitore, shtatë humbje)

Elvir Muriqi ka përfunduar karrierën, por përfundimisht mbetet prej emrave më të njohur shqiptarë të ringut. “Kosovo Kid” ka bilanc prej 40 fitoreve (24 me ndërprerje) dhe shtatë humbjeve (një me ndërprerje).

Muriqi karrierën e ka zhvilluar kryesisht në SHBA. Ka pasur përballë emra të njohur, si për shembull Clinton Woods, ish-kampion i botës. Kundërshtari më i famshëm i Muriqit, megjithatë, ishte Antonio Tarver, ish-boksieri amerikan me shumë tituj në kategorinë gjysmë të rëndë. Me të Muriqi është përballur më 9 qershor të vitit 2007 në SHBA dhe ka pësuar me vendim të gjyqtarëve pas 12 raundeve. Meçi ishte për titull në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë.

Tarver për kohë të gjatë është llogaritur prej emrave më të njohur të boksit profesionist. Ende kujtohen përballjet e tij me Roy Jones Jr. Ka aktruar edhe në një film të Rocky Balboa.

Image

Haxhi (Robin) Krasniqi (bilanci: 49 fitore, gjashtë humbje)

Haxhi Krasniqi është aktualisht boksieri më i suksesshëm shqiptar dhe gjithsesi prej më të mirëve të të gjitha kohërave. I është dashur kohë e shumë meçe për të arritur në nivel serioz, por aty po qëndron për kohë të gjatë.

Bilanci i Haxhi Krasniqit është 49 fitore (17 me ndërprerje) dhe gjashtë humbje (një me ndërprerje). Junikasit 33-vjecar i është shtyrë kthimi në ring për shkak të koronavirusit. Së fundi ka boksuar më 11 maj të vitit të kaluar, kur pësoi nga Stefan Haertel në meçin për titull të Evropës.

Krasniqi, si asnjë boksier tjetër shqiptar ka luftuar dy herë për titull të botës. Ka pësuar nga Nathan Cleverly më 20 prill të vitit 2013, për titullin e botës në versionin WBO, në kategorinë gjysmë të rëndë. Prapë arriti te lufta për titull të botës, por në vitin 2015 pësoi nga gjermani i njohur Juergen Braehmer.

Megjithatë, kundërshtari më i famshëm që kishte përballë Haxhi Krasniqi është Arthur Abraham. Nga Abrahami boksieri kosovar ka pësuar më 22 prill të vitit 2017, në meç eliminator. Arthur Abraham ka mbajtur tituj të botës në dy kategori të ndryshme. Titullin e IBF-së në kategori të mesme e ka mbrojtur plot dhjetë herë, ndërsa e ka mbajtur nga viti 2005 deri në vitin 2009. Ndërkohë ka qenë kampion edhe në kategorinë super të mesme, në versionin WBO.

Image

Krasniqi nuk ka hequr dorë nga synimi që të bëhet boksieri i parë shqiptar që fiton titull të botës.

“Do të kthehem fuqishëm, do të boksoj si asnjëherë më parë. Karrierën do ta vazhdoj në kategorinë gjysmë të rëndë, ku kam boksuar edhe në të kaluarën. Kam boksuar një kohë në kategorinë super të mesme, por ishte shumë stresuese. Lëndimet i kam sanuar dhe ky është një parakusht i rëndësishëm për kthim të fuqishëm”, ka thënë Krasniqi për Koha.net.

Luan Krasniqi (bilanci: 30 fitore, katër humbje)

Luan Krasniqi mbetet emri më i famshëm shqiptar i boksit profesionist. Për shumëkënd, është edhe boksieri më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave.

Luan Krasniqi ka boksuar në kategorinë e rëndë, ndërsa karrierë të madhe ka bërë edhe si amator. Në amatorizëm ka fituar medalje olimpike e botërore e po ashtu titull të Evropës. Në amatorizëm e ka mposhtur edhe Wladimir Klitschkon.

Plot shkëlqim ka qenë edhe karriera e Luan Krasniqit në boksin profesionist. Karrierën e ka mbyllur në vitin 2008 me bilanc prej 30 fitoresh (14 me ndërprerje) dhe katër humbje (të gjitha me ndërprerje).

Për titull të botës, Luan Krasniqi boksoi më 28 shtator të vitit 2005. Humbi me ndërprerje në raundin e nëntë nga Lamon Brewster. Meçi ishte për titull të botës në versionin WBO në kategorinë e rëndë. Brewster mbetet kundërshtari më i njohur në karrierën e Krasniqit në profesionalizëm. Ai ka boksuar në kohën kur niveli i boksit profesionist në kategorinë e rëndë ishte shumë i lartë. Pas disa vitesh në krizë, kategoria e rëndë është “kthyer” fuqishëm në vitet e fundit falë Joshuas, Furyt e Deontay Wilderit.

Image

Nuri Seferi (bilanci: 41 fitore, nëntë humbje)

Nuri Seferi (43) është në fazë përfundimtare të karrierës. Aktualisht është larg prej niveleve që i kishte dikur. Ai karrierën e ka zhvilluar kryesisht në Zvicër, në kategorinë kruzer. Bilanci i tij është 41 fitore (23 me ndërprerje) dhe nëntë humbje (një me ndërprerje).

Marco Huck, Herbie Hide e Firat Arslan janë më të njohurit prej kundërshtarëve të Seferit. Prej të gjithë këtyre Seferi ka pësuar. Hide ka mbajtur dy herë titull të botës në kategorinë e rëndë. Huck (Muamer Hukiq, familja e të cilit ka prejardhje nga Kosova) ka mbajtur për kohë të gjatë titull të botës në kategorinë kruzer. Arslan po ashtu ka mbajtur titull në kategorinë kruzer, por jo shumë gjatë.

Image

Sefer Seferi (bilanci: 24 fitore, tri humbje)

Bindshëm kundërshtarin më të fortë e më të famshëm prej të gjithë shqiptarëve në ringun profesionist e ka pasur Sefer Seferi. Seferi (41) ka bilanc prej 24 fitoresh (22 me ndërprerje), tri humbjesh (dy me ndërprerje), por nuk ka prekur nivelet më të larta.

Sefer Seferi e fitoi rastin të përballet me Tyson Furyn më 9 qershor të vitit 2018, në meçin në të cilin Fury po kthehej në ring pas pushimit të gjatë.

Fury ishte i pakonkurrencë, ndërsa Seferi e dorëzoi meçin në raund të katërt. Ai fitoi famë falë përballjes me britanikun Fury, që është prej tre emrave më të mëdhenj të boksit profesionist. Fury më 22 shkurt e mposhti Deontay Wilderin për titullin e botës në WBC. Po vazhdojnë diskutimet për meçin e tretë të Furyt me Wilderin, por edhe më shumë për përballjen e shumëpritur në mes të Furyt dhe Anthony Joshuas, por edhe për unifikim të titujve në kategorinë e rëndë.

Image

“Jam shumë krenar që me punën time të palodhshme dhe aftësitë që kam arrita të luftoja me boksierin më të mirë të botës. Gjithsesi edhe humbja është pjesë e luftës. Që nga fillimi i karrierës e kam pasur këtë dëshirë, të boksoj me më të mirin. Ëndrra ime u bë realitet”, ka thënë Sefer Seferi për Koha.net.

Shefat Isufi (bilanci: 29 fitore, katër humbje)

Në kategorinë super të mesme, Shefat Isufi, ka bërë karrierë mesatare, ndonëse me bilanc shumë të mirë. Ai ka 29 fitore (21 me ndërprerje), katër humbje e dy barazime. Por nuk është përballur me boksier të njohur deri më 18 maj të vitit të kaluar, kur ndau ringun me britanikun Billy Joe Saunders. Saunders fitoi me vendim unanim meçin për titullin vakant në kategorinë super të mesme, në versionin WBO. Mediat britanike asnjëherë nuk e vlerësuan Shefat Isufin si kundërshtar të denjë për Saundersin. Por ai rezistoi 12 raunde. Saunders e ka mbrojtur titullin në nëntor, ndërsa së fundi ishte në thumb të kritikave për shkak të publikimit të një videoje që bënte thirrje për dhunë.

Image

Shpend Abazi (bilanci: 35 fitore, dy humbje)

Këtë përmbledhje po e mbyllim me Shpend Abazin, që ka përfunduar karrierën me meçin më të famshëm të tij. Abazi karrierën e ka zhvilluar në Danimarkë, ndërsa ka garuar në kategorinë pendël. Dhjetë prej 35 fitoreve i kishte me ndërprerje. Ka pësuar edhe dy humbje.

Në fakt ai ka mbajtur titullin e Evropës në kategorinë bantam, por meçin e madh e zhvilloi në kategorinë pendël. Më 23 shkurt të vitit 2007 u përball në Danimarkë me Robert Guerreron për titull të botës në kategorinë pendël, në versionin IBF. Abazi dorëzoi meçin në raundin e tetë. Më nuk ka boksuar. Pra e ka përfunduar karrierën me luftë për titull të botës.

Image