Ka shtatë vjet që hendbollisti Ante Kukrika jeton në Kosovë. Pejën, Kukrika tashmë e llogarit qytet të tij.
Në shtëpinë e tij në Pejë, hendbollisti kroat nga Bosnjë-Hercegovina po i kalon edhe këto ditë të vështira, ditët e izolimit për shkak të koronavirusit.
Kukrika është një prej dhjetëra sportistëve të huaj që kanë mbetur të bllokuar në Kosovë për shkak të krizës me koronavirus.
Sporti në Kosovë, si në vendet tjera, është pezulluar dhe nuk dihet kur do të vazhdojë. Madje në basketboll kampionati nuk do të vazhdojë fare. Në hendboll kampionati pritet të vazhdoj, nëse kriza me koronavirus nuk do të jetë edhe shumë e gjatë.
Kukrika luan për skuadrën pejane Besa Famgas, që dominon hendbollin kosovar për kohë të gjatë. Prej ardhjes së tij, Besa ka fituar të gjithë titujt.
Skuadra pejane ka pezulluar stërvitjet, ndërsa hendbollisti me përvojë po i kalon ditët në shtëpi.
“Jam në shtëpi, në Pejë. Natyrisht është e pazakontë kjo periudhë, pa stërvitje dhe vetëm në shtëpi. Më e keqja është që nuk dihet asgjë për atë nëse do të vazhdoj kampionati dhe se kur mund të vazhdojë”, ka thënë Kukrika të shtunën mbrëma për Koha.net.
Në Pejë është edhe kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce e po ashtu një trajner spanjoll, që së fundi mori drejtimin e Besa Famgasit.
“Do të qëndrojmë deri në fund këtu dhe të shohim. Ka shtatë vjet që jam këtu kështu që nuk ka asnjë problem. Peja është si shtëpi për mua. Kushtimisht më shumë njerëz njoh këtu se në qytetin tim të lindjes. Falë Zotit nuk kemi asnjë problem deri më tani. Çdo gjë është në rregull. Edhe nga klubi janë korrekt. Shpresojmë që kampionati do të luhet dhe do të përfundoj ashtu si duhet”, ka shtuar Kukrika. Ai e ka familjen në Bosnjë-Hercegovinë.
Në Pejë ditët e izolimit po i kalon edhe basketbollisti kroat, Henrik Shirko. Shirko ka ndihmuar Pejën të fitoj Kupën e Kosovës në basketboll, por është i vetëdijshëm që Superliga nuk do të vazhdojë.
Në fakt shumica e klubeve të basketbollit kanë liruar lojtarët e huaj, që tashmë janë në shtëpitë e tyre. Shirko është prej të paktëve që kanë mbetur ende në Kosovë. Ai ka treguar për Koha.net se është në pritje që të kthehet në shtëpi.
“Po pres që të kthehem në shtëpi. Ende jam në Pejë. Nuk e di kur do të kthehem, po pres ndihmë nga ambasada. Nuk ka fluturime me aeroplan, ndërsa me veturë nuk mundem ende të kaloj kufirin. Klubi po më ndihmon aq sa mundet që të kthehem në shtëpi”, ka thënë Shirko.

Në Prishtinë ditët e karantinës po i kalon volejbollistja e re nga Turqia, Izel Kahraman. Ajo është pjesë e skuadrës M-Technologie. Kahraman ka folur për mediat në Turqi.
“Klubi më ka kërkuar të qëndroj në Kosovë, pasi nuk është ditur se çka do të bëhet për shkak të koronavirusit. Nuk jam e shqetësuar për këtë vendim që kam marrë. Këtu situata me koronavirus është më e mirë se në Turqi. Nuk kam ndonjë brengë, vetëm që më mungon familja”, ka thënë Kahraman.
Edhe sportistë tjerë të huaj janë në qytete të ndryshme të vendit, në pritje të ndonjë njoftimi për vazhdim të garave.
