Sport

Peja e Trepça në kërkim të fitoreve “evropiane”

Skuadrat nga Holanda, Heroes Den Bosch dhe ZZ Leiden do të përballen me kampionen dhe nënkampionen e Kosovës në basketboll, në kuadër të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup.

Të mërkurën, Peja dhe Trepça do të jenë nikoqire të skuadrave nga Holanda në duelet e xhiros së dytë të fazës grupore të FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane për klube të basketbollit. Të dy ndeshjet luhen prej orës 19:00.

Trepça e luan ndeshjen e parë të stinorit të rregullt. Kërkon fitoren ndaj ZZ Leidenit në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. “Xehetarët” për herë të parë janë kualifikuar në stinorin e rregullt.

Në fakt, Trepça është dashur ta bëjë debutimin javën e shkuar në Izrael ndaj Hapoel Galil Elionit, por ajo ndeshje është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Dueli mes Trepçës dhe Leidenit i takon Grupit G. Ekipi nga Holanda fitoi 77:69 ndaj ekipit nga Franca, Gravelines, një javë më parë.

Trepça kishte fituar dy ndeshje në Estoni në turneun kualifikues për të bërë vend në grupe.

Te Trepça thonë se e kanë parasysh se Leideni është kundërshtar i fortë, por me përkrahjen e madhe të tifozëve kërkojnë suksesin.

Basketbollisti amerikan, Kevin Davis, me padurim pret ndeshjen me Leidenin. Ai pret që tifozët të krijojnë atmosferë fantastike. Davis vlerëson lart Leidenin, i cili ka pesë tituj, katër kupa dhe po aq Superkupa të Holandës. Në kampionat, Leideni këtë edicion ka tri fitore karshi një disfate. Trepça ka triumfuar në Superkupë dhe ka regjistruar katër fitore e një humbje deri më tani në Superligë.

Leideni ka vetëm dy amerikanë, fundorin Tajion Jones dhe qendrën Alex Gross, ndërsa pjesa tjetër e ekipit përbëhet prej lojtarëve holandezë.

“Jemi përgatitur për ndeshjen e parë dhe të gjithë me padurim presim të dalim në parket. Pres që të jetë një atmosferë e mirë si zakonisht kur luajmë në Mitrovicë dhe me ndihmën e tifozëve të bëjmë një paraqitje të mirë. Është e rëndësishme të luftojmë deri në fund dhe të tregojmë lojë të mirë. Nëse zbatojmë këto gjëra, atëherë i kemi gjasat e mira për të fituar, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Mendoj se jemi gati për këtë ndeshje”, ka thënë Davis.

Skuadra e Pejës javën e shkuar ka zhvilluar ndeshjen e parë në kuadër të Grupit H. Pësoi në Gjermani nga skuadra Niners Chemitz me shifrat 98:72.

Edhe Den Bosch u mposht në duelin e parë. Ka pësuar në shtëpi 92:89 nga Spojnia Stargard e Polonisë. Në kampionat, Den Boschi ka tri fitore e një humbje, ndërsa Peja është ekipi i vetëm në Superligën e Kosovës që nuk di për disfatë pas pesë xhirove të zhvilluara.

Te Peja e kanë parasysh përvojën e Den Boschit, ekip që pothuajse rregullisht ka luajtur në garat e FIBA-s, ndërsa ka 17 tituj kampioni, shtatë kupa e dy Superkupa të Holandës. Në përbërje i ka edhe tre amerikanë dhe një austriak. Te Peja shpresojnë se palestra “Karagaçi” do të jetë e mbushur dhe me ndihmën e tifozëve do ta shënojnë fitoren e parë në FIBA Europe Cup.

Për Pejën është hera e dytë që paraqitet në këtë garë. Herën e parë luajti në vitin 2017 dhe regjistroi një fitore në fazën e grupeve.

Amerikani Jay Jay Chandlers pret ndeshje të mirë të ekipit dhe reagim pas humbjes në Gjermani. Sipas tij, te Peja janë maksimalisht të mobilizuar dhe të motivuar për t’i bërë ballë Den Boschit.

“E kemi parasysh forcën e kundërshtarit, por ne do të mundohemi të bëjmë një paraqitje të mirë dhe së bashku me përkrahjen e tifozëve të arrijmë deri te fitorja. Përfundimisht do të jetë shumë vështirë, por jemi gati ta testojmë veten ndaj një ekipi si Den Bosch”, tha Chandler.

Peja e Trepça janë skuadrat e vetme kosovare të basketbollit që paraqiten në gara evropiane.