Sport

Peja mund të fitojë Ligën Ballkanike në shtator

Drejtuesit e Ligës Ballkanike në Basketboll nuk kanë hequr dorë nga përfundimi i edicionit aktual, ndonëse tashmë janë anuluar shumica e kampionateve nacionale.

Liga Ballkanike, që ka humbur plotësisht peshën në edicionet e fundit, ka vendosur që turneu final (Final 4) të organizohet në shtator. Turneu final është dashur të mbahet më 31 mars e 1 prill, ndërsa termine tjera të mundshme ishin 7\8 prill e 14\15 prill.

Turneu do të mbahet në Pejë, ndërsa pos Pejës marrin pjesë edhe Academic Bultex i Bullgarisë, Ibar (Ibri) i Malit të Zi dhe Vllaznia e Shkodrës.

“F4 do të mbahet në Pejë në shtator 2020. Në të ardhmen e afërt pasi situata me koronavirusin të jetë më e qartë, do të finalizohen datat”, ka njoftuar Liga Ballkanike të premten, raporton Koha.net.

Në Ligën Ballkanike këtë edicion kanë garuar vetëm pesë skuadra. Nuk kishte interesim nga skuadra të tjera. Ndërkohë javë më parë nga kjo garë hoqi dorë Rahoveci. Para fillimit të edicionit kishte hequr dorë edhe Sigal Prishtina.

Liga Ballkanike ishte “dritarja” e parë e skuadrave kosovare të basketbollit në arenën ndërkombëtare. Por gradualisht kjo ligë regjionale e humbi vlerën dhe kuptimin. Tashmë ndeshjet e saj nuk vlerësohen thuajse fare.

Peja këtë edicion ka fituar Kupën e Kosovës kurse ishte pretendente edhe për titull të kampionit. Por Superliga e Kosovës është anuluar dhe kampioni nuk është shpallur. Skuadrat tashme kanë liruar lojtarët.