As një raund nuk ka mundur t'i rezistojë Alain Banongo goditjeve të Albon Pervizajt. Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë ka fituar me nokaut teknik në raundin e parë përballjen e 19 janarit, të mbajtur në Struer të Danimarkës. Kështu Pervizaj ka bërë edhe një hap në rrugëtimin e tij në boksin profesionist, rrugëtim që ai shpreson se do ta dërgojë deri në majë të kategorisë së rëndë.
Kategoria e rëndë, që vlerësohet kryesorja e boksit profesionist, aktualisht është e mbushur me emra të mëdhenj. Vitet kur kategoria e rëndë ishte në krizë dhe pa emra të mëdhenj janë tejkaluar tashmë. Për t'iu afruar majës, Pervizajn e pret rrugë shumë e gjatë e po ashtu shumë e shumë pengesa, por ai është i vendosur. Premton të japë maksimumin, por pranon se ecuria varet nga shumë faktorë, shkruan sot Koha Ditore.
Pervizaj, 23-vjeçar, karrierën po e zhvillon në Gjermani, vend ku ka lindur dhe ku është rritur e vazhdon të jetojë. Ai tashmë në boksin profesionist i ka zhvilluar 12 luftëra. Të gjitha i ka fituar, nëntë prej tyre me nokaut. Në nivelin profesionist ka debutuar në mars të vitit 2017, por në boks është shumë më gjatë. Ka karrierë të gjatë e të suksesshme në boksin amator, që për shumë ekspertë të boksit është bazë për një karrierë të suksesshme në nivelin profesional.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)