Botërori i atletikës në palestër, i mbajtur prej të premtes e deri të dielën në Beograd, ka dëshmuar se do të shkojë kohë më e gjatë para se Kosova të përfaqësohet e barabartë me shtetet e tjera në ngjarjet ndërkombëtare sportive që organizohen në territorin e Serbisë. Federata Ndërkombëtare e Atletikës (World Athletics) kishte thënë se nuk pret telashe për prezantimin e barabartë të Kosovës, por nuk i është përmbajtur plotësisht kësaj deklarate.
Kosova mori pjesë për herë të parë në një ngjarje të madhe ndërkombëtare të organizuar në territorin e Serbisë, por prezantimi i saj ishte pak më ndryshe. Pra kishte dozë diskriminimi, me gjithë deklaratat e World Athletics. Madje pjesëmarrëse në diskriminim ishte edhe vetë Federata Ndërkombëtare e Atletikës.
Gresa Bakraqi garoi në vrapim në 1500 metra, të premten paradite, në ditën e parë të Botërorit në palestër. Në sajtin zyrtar të World Athletics, pas shkurtesës së shtetit është paraqitur flamuri i shtetit përkatës. Por për Bakraqin është paraqitur vetëm shkurtesa KOS e jo edhe flamuri i Kosovës. Kështu ishte edhe para se të mbahej gara e vazhdon të jetë ende. Për më tepër, flamuri i Kosovës në fanellën e atletes kosovare ishte i mbuluar me një fashë të zezë. Ndërsa në pjesën e përparme të fanellës së Bakraqit shkruante KOS. Shkurtesa KOS në fakt ishte gjysmë e mbuluar nga shtojca në fanellë që ishte e organizatorit të ngjarjes.

Tek atletet e tjera që kanë vrapuar përkrah Bakraqit, në grupin e dytë të kualifikimeve në vrapim 1500 metra, nuk është parë emri i shteteve prej nga vijnë. Por në pjesën e parme të fanellës është paraqitur flamuri i shtetit prej nga vijnë. Vetëm flamuri i Kosovës në fanellën e Bakraqit ishte i mbuluar me të zezë.
Shumica e atletëve në Botëror në gjoks e kishin të shkruar emrin prej nga vijnë dhe jo shkurtesën si në rastin e Kosovës. Prezantimi i Kosovës me KOS ishte kompromis, kanë pranuar nga World Athletics, që megjithatë është zmbrapsur pak nga premtimi fillestar.
Edhe në ekranin e madh të sallës së madhe ku u mbajt Botërori, janë paraqitur flamujt e shteteve. Por jo edhe ai i Kosovës kur u mbajt gara e grupit të dytë kualifikues në vrapimin 1500 metra. Ishin flamujt e shteteve të tjera, por jo edhe i Kosovës.
“Të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën politike në këtë regjion”, kanë thënë nga World Athletics për “insidethegames”. “World Athletics, Komiteti Organizativ i Beogradi 2022 dhe Federata e Atletikës së Kosovës kanë punuar së bashku për të siguruar që atletja nga Kosova mund të garoi pa tension. Kjo ka përfshirë pajtimin e të gjitha palëve që atletja të prezantohet me kod të vendit në World Athletics, KOS”, kanë shtuar nga World Athletics.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor kishte paralajmëruar Serbinë që të mos pengojë sportistët nga shtete të caktuara për të garuar në ngjarje të mëdha që mbahen në Serbi. Paralajmërimi kishte ardhur, pasi boksierët nuk u lejuan të hyjnë në Serbi për të garuar në Botëror. Edhe më herët kishte pasur raste kur sportistët kosovarë nuk ishin lejuar të hyjnë në Serbi për të garuar.
Rreth një muaj më parë atletët e rinj të Kosovës garuan në Serbi në një Kampionat Ballkanik në palestër për grupmoshën U20. Ishte hera e parë që sportistët e Kosovës garuan në territorin e Serbisë. Ngjarja ishte e vogël në krahasim me Botërorin, ndërsa ishte thënë nga Federata kosovare se prezantimi ishte i barabartë.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka shkruar se “Gresa u përfaqësua me inicialet KOS në fanellë, njësoj si të gjitha pjesëmarrëset tjera. Shkaku i Kosovës organizatori dhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës kishin vendosur që asnjë flamur i shteteve pjesëmarrëse të mos shfaqet në stadium”.

Për anën diskriminuese, KOK-u ka fajësuar regjinë serbe.
“Diskriminimi i vetëm erdhi nga regjia serbe, e cila nuk shfaqi flamurin e Kosovës tek emri i garueses, por vetëm shkurtesën KOS, duke dëshmuar edhe njëherë se politika serbe ende përzihet në sport që për ne është e papranueshme. Në lidhje me këtë KOK-u së bashku me Federatën Atletike të Kosovës janë ankuar menjëherë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, shkruan në njoftimin e KOK-ut.
Të dielën për prezantimin jo të barabartë të Kosovës kanë shkruar media në Rusi, Poloni, Spanjë, Greqi e vende të tjera.
Por ka pasur pak raportime në mediat serbe. Ka pasur një kronikë për pjesëmarrjen e Bakraqit në televizionin Nova, që njihet si më liberal. Ndërkohë, Federata e Atletikës së Serbisë ka bërë të pamundurën që prezantimi i Bakraqit, ashtu si ishte, të paraqitet sa më pak për opinionin në Serbi.