Sport

Shkëlqimi i Gordonit ka rritur shpresat e Newcastlet në Champions

Ndjekja e gjurmëve të të mëdhenjve të futbollit si Luis Figo, Andrea Pirlo dhe Fabio Cannavaro nuk mund të jetë kurrë gjë e keqe. Është ajo që bëri Anthony Gordon verën e kaluar duke u përzgjedhur lojtari më i mirë i Evropianit U21, pasi udhëhoqi Anglinë drejt titullit.

Ishte një shenjë se ai ishte gati të bënte hapin nga një futbollist i talentuar në një shtyllë të qëndrueshme të një klubi që kërkon trofe. Dhe këtë po e dëshmon.

Gordon po shijon një edicion të rëndësishëm te Newcastle, aq sa nuk do të jetë befasi nëse luan si qendërsulmues në një moment gjatë ndeshjes kryesore të skuadrës në Champions kundër Borussia Dortmund, në “Signal Iduna Park” të martën.

Është një hap i madh për Gordonin, i cili para një viti nuk ishte stabil në përbërjen e parë të Evertonit, ekip që po luftonte për t’i shpëtuar rënies nga Premier League. Apo edhe para gjashtë muajve kur anglezi nuk kishte minutazhë te Newcastle dhe po luftonte për t’u përshtatur ndaj kërkesave të trajnerit Eddie Howe.

Tani Gordon është titullar i rregullt në një nga klubet më të mira të Anglisë, duke bërë paraqitje të qëndrueshme dhe duke shënuar gola të rëndësishëm, siç ishte ai kundër Arsenalit për t’ia siguruar fitoren Newcastlet. Ishte ky goli i katërt këtë edicion për Gordonin, duke barazuar totalin e tij në nivel klubesh në secilin nga dy edicionet e tij të fundit. Edhe pse roli i tij natyral është mesfushor ofensiv, Gordon në dy ndeshjet e fundit te Newcastle po aktivizohet si qendërsulmues. Ndoshta është shkathtësia e tij për të luajtur në çdo pozitë në sulm që e bindi Newcastlen të shpenzonte 50 milionë euro për ta transferuar nga Evertoni, edhe pse Chelsea ishte favorite për angazhimin e tij.

“Unë po e ndiej se kam bërë një hap të madh në karrierë, por njerëzit nuk e kanë parë ende atë për çka unë jam i aftë”, ka thënë Gordon.

Dymbëdhjetë nga 16 paraqitjet e tij te Newcastle edicionin e kaluar erdhën si zëvendësues. Këtë edicion ai në të gjitha ndeshjet ka qenë titullar, me përjashtim të njërës prej 11 përballjeve të ekipit në kampionatin e Anglisë. Kundër Arsenalit, Gordon u kthye për të ndihmuar edhe në mbrojtje dhe rifitoi shtatë herë topin.

“Nuk ka rëndësi se ku luan, ne të gjithë i dimë punët që duhet të bëjmë në fushë”, shtoi ai.

Gordon nuk ka shënuar ende në tri ndeshjet e grupeve të Ligës së Kampionëve të Newcastlet deri më tani, ku ekipi ka regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje. Humbja e fundit, 1:0, në shtëpi nga Borussia Dortmundi e ktheu Newcastlen në realitet, duke pasur parasysh se për herë të parë pas dy dekadave po paraqitet në Champions.

“Ndihem gati edhe për Ligën e Kampionëve dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin ndaj Dortmundit”, tha Gordon.

Aktualisht, Newcastle dhe Dortmundi kanë nga katër pikë, dy më pak se Paris Saint-Germaini që është lider dhe dy më shumë se Milani që zë vendin e fundit në Grupin F.