Sport

Sulmuesi i Anglisë, Toney, po ndihet si i burgosur pa stërvitje dhe pa lojëra

Sulmuesi Ivan Toney po i “numëron ditët” para se të kthehet në stërvitje me skuadrën e Brentfordit dhe thotë se pritja është si “të jesh në burgun e futbollit”. Toney, 27 vjeç, po vuan një pezullim prej tetë muajve pasi pranoi se kishte thyer rregullat e basteve të Federatës së Futbollit të Anglisë (FA). Ai nuk lejohet të luajë përsëri deri më 17 janar të vitit të ardhshëm, por mund të kthehet në stërvitje muajin tjetër, saktësisht më 17 shtator.

“Kur të jem pranë djemve, do të bëhet pak më e lehtë”, pranoi sulmuesi anglez.

Së bashku me suspendimin, të vendosur në muajin maj, sulmuesi Toney u gjobit edhe me 50 mijë funte dhe u paralajmërua për sjelljen e tij në të ardhmen shkaku i 232 shkelje të rregullave të basteve në kuadër të federatës angleze. Komisioni rregullator i FA-së vuri në dukje varësinë e tij nga bastet dhe arriti në përfundimin se Toney kishte nevojë për ndihmë urgjente. Shkeljet për të cilat Toney u shpall fajtor ndodhën midis datave 25 shkurt 2017 dhe 23 janari 2021, kohë gjatë së cilës ai luajti për skuadrat Scunthorpe United, Wigan Athletic, Peterborough United dhe Brentford. Toney shënoi 20 gola në 33 paraqitje në Premier League edicionin e kaluar, duke ndihmuar Brentfordin të përfundonte në vendin e nëntë, por humbi dy ndeshjet e fundit kundër Tottenhamit dhe Manchester Cityt për shkak të pezullimit të tij. Ai, po ashtu, debutoi edhe me Përfaqësuesen e Anglisë pasi u ftua nga selektori Gareth Southgate pas paraqitjeve të mira te Brentfordi. Toney u inkuadrua nga stoli në pjesën e dytë kundër Ukrainës, ndeshje të cilën Anglia e fitoi me rezultatin 2:0 në muajin mars, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Toney thotë se efektet në mirëqenien e lojtarëve pas ndalimit nga aktivitetet e lidhura me futbollin duhet të merren parasysh.

“I gjithë komuniteti i futbollit është i madh për shëndetin mendor dhe më pas federata nuk e ka parasysh, por më largon nga ky sport tërësisht. Nuk është vendi ku dua që njerëzit të ndiejnë keqardhje për mua. Kjo është gjëja e fundit që dua”, tha Toney. “Pra, çka nëse dikush jo aq i fortë sa unë në kokë po kalon këtë situatë dhe dënimi është se nuk lejohet në klub - kjo do ta thyente”.

Ai tha se po qëndron i fortë por thjesht nuk po mund ta kalojë kohën pa u stërvitur të paktën. Toney thotë se federata ka gabuar që nuk e ka lejuar të paktën të stërvitet.

“Tani për tani, të mos jem rreth fushës stërvitore, kjo më lëndon. Thjesht e di që kur jam në terren stërvitem më fort. Nuk është një ndjenjë e këndshme. Të mos lejohesh në terren është çuditëse për mua”, shprehet ai. “Po numëroj ditët derisa të mund të stërvitem dhe të jem përreth djemve të ekipit. Është si të jesh në burg futbolli për momentin”.

Toney mund të bëjë rikthimin e tij në Premier League kur skuadra e Brentfordi do të përballet me Tottenhamin më datën 30 janar, me sulmuesin që thotë se ka “uri për t'u rimbushur dhe për t'u rikthyer në një nivel tjetër”.

“Fillimisht, po pres të rikthehem në stërvitje dhe pastaj të përgatitem për muajt e mbetur për t’u rikthyer edhe më fuqishëm në fushën e lojës”, paralajmëroi Toney.