Sport

Vlerona, kampionia e garave me kundërshtarë imagjinarë

Pos masovitetit që nuk i ka munguar asnjëherë, karateja kosovare në vitet e fundit vlerësohet se është rritur edhe për nga niveli i garuesve. 

Së fundi janë fituar medalje me peshë në kategori të reja, ndërsa vitet e kaluara medalje të mëdha karateistët kosovarë kanë fituar edhe në nivelin senior. 

Që karateja të rritet si sport, ka ndikuar edhe përfshirja në programin olimpik për “Tokio 2020”, ndërsa shumë karateistë, duke përfshirë edhe ata të Kosovës, kanë synuar e vazhdojnë të synojnë paraqitjen dhe medaljet olimpike, shkruan sot Koha Ditore.

Në kohën kur karateja ishte në rritje të madhe, në vend është dalluar një sportiste që prioritet i ka katat (luftërat me kundërshtarë të imagjinuar) e jo luftërat e zakonshme në mes dy karateistëve (kumite). 

Bëhet fjalë për Vlerona Shalën, karateiste 20- vjeçare nga Prishtina, që është shpallur më e mira në Kosovë për vitet 2017 e 2018. Vlerona ka dhjetëra medalje nga garat e karatesë, ndërsa është duke punuar shumë për të shpërthyer edhe në skenën ndërkombëtare. 

Aktualisht po përgatitet për një garë që mbahet në Stamboll të Turqisë. 

“Jam duke u përgatitur për një garë të nivelit Serie A që mbahet, në Stamboll. Në këtë garë do të marrin pjesë të gjitha shtetet e botës, pra është konkurrencë shumë e fortë”, ka thënë Vlerona Shala për gazetën. 

“Planet për të ardhmen janë që të stërvitem sa më shumë dhe të fitoj medalje evropiane”. Jo shumë karateistë në vend vendosin t’u përkushtohen katave më shumë se luftërave të zakonshme. Ishte trajnerja që e orientoi Vleronën drejt përsosjes së katave...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)