Sporte të tjera

Braathen shkruan historinë e skitarisë braziliane

Lucas Pinheiro Braathen

Foto: Associated Press

Lucas Pinheiro Braathen ka shkruar histori në skitarinë braziliane pasi e ka fituar garën e parë të sezonit në Kupën e Botës, në Levi të Finlandës. 

Pinheiro Braathen më parë ka përfaqësuar Norvegjinë kurse Brazilin e përfaqëson prej vitit 2024. Ai të dielën e fitoi garën në disiplinën e sllallomit. 

Braathen shkëlqeu që në lëshimin e parë dhe nuk pati telashe as në lëshimin e dytë për ta siguruar kohën më të mirë. 

Për 31 të qindtat më ngadalë garën e mbylli kampioni olimpik i Francës, Clement Noel, ndërsa Eduard Hallberg i Finlandës zuri vend në podium si i treti. 

Brazili është i njohur për futboll dhe vallëzimin “samba”, ndërsa ka vetëm shtigje artificiale të skitarisë. 
Në garat e Kupës së Botës, Pinheiro Braathen me Norvegjinë është ngjitur në podium pesë herë. Ka triumfuar tri herë në sllallom dhe dy herë në sllallom të madh.