Sporte të tjera

Formula 1, Norrisi ndal dominimin e Verstappenit, e fiton titullin e parë

Lando Norris

Lando Norris i skuderisë së McLarenit e ka ndalur dominimin e ngasësit të Red Bullit, Max Verstappen, dhe e ka fituar titullin e parë në Formula 1.

Norrisit i mjaftonte që në garën e fundit Grand Prix të sezonit, atë që u zhvillua në Abu Dabi në fundjavë, të përfundonte në podium.

Dhe këtë e arriti ngasësi britanik.

Norris përfundoi i treti dhe e siguroi titullin e parë, duke e ndalur dominimin e holandezit që i kishte fituar katër tituj rresht.

Para garës, Norrisi ishte favorit pasi kishte 12 pikë më shumë se Verstappen në renditjen e përgjithshme të ngasësve.

Verstappen e fitoi garën e fundit të sezonit, por kjo nuk i mjaftoi që ta siguronte një tjetër titull të kampionit.

I dyti e mbylli garën australiani Oscar Piastri. Edhe Piastri është ngasës i skuderisë së McLarenit.

Piastri para garës kryesore të së dielës, kishte 16 pikë më pak se lideri 26-vjeçar Norris në renditje.

Ky sezon i Formula 1 ka qenë prej më të fortëve në vitet e fundit dhe u vendos vetëm në garën e fundit. Titulli i kampionit kur tre garues kanë qenë kandidat për kampion, në garën e fundit të sezonit, ishte vendosur edhe në vitin 2007. Kimi Raikkonen e kishte fituar titullin me një pikë më shumë se Lewis Hamiltoni.