Kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, ka folur për Kampionatin Evropian U16, që organizohet në Kosovë dhe Shqipëri.
Evropiani për volejbollistet deri në 16 vjet nis të mërkurën. Gjinovci ka thënë se është moment historik. Ai ka thënë se përgatitjet kanë shkuar sipas planit.
“Kemi punuar me përkushtim të madh në çdo detaj, nga aspekti organizativ, infrastrukturor e deri te pritja e delegacioneve. Kjo është një prej ngjarjeve më të mëdha që është mbajtur ndonjëherë në vendin tonë. Për volejbollin e Kosovës ky është një moment historik. Është një mundësi për të treguar kapacitetin tonë organizativ, për të motivuar të rinjtë dhe për të ngritur cilësinë e volejbollit në nivel kombëtar”, ka thënë Gjinovci për KOHËN të martën.
Ai ka theksuar se organizimi i Evropianit në Kosovë e Shqipëri është më shumë sesa sport.
“Është një promovim ndërkombëtar, një dëshmi që mund të jemi mikpritës të denjë të aktiviteteve të mëdha evropiane. Është një mundësi për të ngritur imazhin e vendit tonë në botë”, ka theksuar Gjinovci.
Në Prishtinë luajnë Kosova, Kroacia, Çekia, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia. Në Tiranë pos Shqipërisë garojnë edhe Bullgaria, Franca, Italia, Lituania, Polonia, Spanja e Ukraina.