Sporte të tjera

Gjuka e Hetemi më të mirët e vitit në hendboll

Egzon Gjuka

Egzon Gjuka dhe Tina Hetemi i kanë fituar çmimet kryesore në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

Ceremonia është mbajtur të premten mbrëma në Prishtinë. Gjuka është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit 2025. Ai e udhëhoqi Rahovecin drejt titullit të kampionit, ndërsa ishte lojtar i rëndësishëm edhe te Kosova. Gjuka është shpallur më i miri për herë të pestë rresht.

“Faleminderit për çmimin. Është kënaqësi të shpallem më i miri. Pesë vjet të shpallesh më i miri do të thotë punë, sakrificë dhe disiplinë mjaftë e madhe. Kështu që ju, gjeneratat e reja, vazhdoni punoni, sepse mundi në fund shpërblehet. Faleminderit të gjithëve dhe urime festat”, ka thënë Egzon Gjuka.

Ndërkohë Tina Hetemi e Samadrexhës u shpall më e mira për herë të parë. Hetemi ka udhëhequr Samadrexhën drejt vendit të parë në stinorin vjeshtor, ndërsa me paraqitje ishte shquar edhe në pranverë. Hetemi po shndërrohet në lojtare të rëndësishme edhe te Kosova.

Zgjedhja e më të mirëve është bërë me votat e trajnerëve të klubeve të Superligës.

Trajnerët kanë përzgjedhur edhe shtatëshet më të mira.

Te hendbollistët në shtatëshen më të mirë pos Gjukës janë edhe Olt Kabashi, Lulzim Shabani, Deniz Terziqi, Jeton Bislimi, Arbios Mushkolaj, Enis Kuleta. Ardit Tafilaj është lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa Jon Vokshi golashënuesi më i mirë me 255 gola.

Te hendbollistet shtatëshja më e mirë përbëhet nga Marisa Berisha, Arjeta Imeraj, Amanda Toledo Abreu, Tina Hetemi, Suzana Ujkiq, Sevdanur Ozkan e Dijana Ujkiq.

Fetane Uzunlar është hendbollistja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Alma Nivokazi golashënuesja më e mirë me 175 gola.

Lojtarët më të mirë të Kombëtares janë zgjedhur Leonard Gegaj e Mirjeta Bytyqi.

Klubet kampione, Rahoveci te meshkujt dhe Istogu te femrat janë klubet më të mira të vitit. Në ceremoninë e së premtes janë ndarë edhe shumë çmime të tjera, kurse viti 2025 është vlerësuar i suksesshëm.