Pasi u përballën të dielën në finale të Kupës së Kosovës, Kastrioti e Besa Famgasi janë takuar edhe të enjten në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në hendboll.
Ndeshja ishte shumë interesante, ndërsa nuk përfundoi pas 60 minutave të rregullt. Koha e rregullt përfundoi 33:33, kështu që fituesi në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj u caktua pas dy vazhdimeve nga pesë minuta. Edhe vazhdimet ishin shumë interesante, ndërsa në minutën e fundit ferizajasit shënuan për fitoren 38:37.
Në fakt Besa e Pejës ishte në epërsi thuajse gjatë 60 minutave. Kastrioti vetëm ka barazuar, pa kaluar asnjëherë në epërsi. Barazoi edhe në fund, ndërsa përvoja i ndihmoi që të shënonte një gol më shumë në vazhdimet nga pesë minuta.
Kastrioti e kishte fituar edhe finalen e Kupës, të zhvilluar të dielën para 3000 shikuesve. Të enjten kishte dukshëm më pak shikues, afro 500.
Të enjten u luajtën edhe gjysmëfinalet e para të plejofit te hendbollistet. Istogu fitoi në shtëpi ndaj Shqiponjës, ndërsa Samadrexha fitoi në udhëtim ndaj Ferizajt. Skuadrat që shënojnë dy fitore kualifikohen në finale.
Ndeshjet e radhës janë në fundjavë.