Sporte të tjera

Klubi serb largon portierin kroat pasi ishte në koncertin e Thompsonit

Filip Iviq - Thompson

Klubi serb i hendbollit Vojvodina ka shkëputur kontratën me portierin kroat Filip Iviq, dy javë pasi e firmosi atë. 

Iviq është fotografuar në koncertin e Marko Perkoviq – Thompson, të mbajtur të shtunën në Zagreb. Koncerti i këngëtarit kroat mblodhi 500 mijë njerëz. Iviq e publikoi fotografinë, ndërsa e fshiu ndërkohë. Por klubi nga Novi Sadi ka vendosur të hënën t’a shkëpusë kontratën.

Klubi serb ka shkruar që është e papranueshme që një lojtar i tij të jetë në koncertin e Thompsonit. 
Marko Perkoviq është këngëtar shumë i popullarizuar në Kroaci, por edhe kundërthënës. Thompson i mbeti nofka në fillimin e luftës së Kroacisë për çlirim, në bazë të armës të cilën e mbante. 

Përmbajtja e këngëve të tij, shumë prej tyre me nota nacionaliste dhe hite të mëdha në Kroaci, kundërshtohen fuqishëm në Serbi, por edhe nga një pjesë e opinionit në Kroaci.

“U tronditëm kur morëm lajmin që portieri Filip Iviq mori pjesë në takimin e ustashëve të Marko Perkoviq Thomspon. Ai nuk ishte kurrfarë grumbullimi muzikor, por një festë e ustashëve ku lavdërohen hapur ide dhe simbole që janë sinonim i krimeve për popullin  serb”, ka shkruar Vojvodina.