Përditësim, 19:00 - Hendbollistët e Kosovës kanë shënuar sukses madhor të dielën në kualifikimet e Kupës së Botës 2027, duke avancuar në raundin e dytë.
Pas fitores 32:26 të mërkurën mbrëma në Derby ndaj Britanisë së Madhe, Kosova regjistroi tjetër fitore të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kosova e mposhti Britaninë e Madhe edhe në ndeshjen e dytë me rezultatin 35:30 dhe për herë të parë do të garojë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionat Botëror.
Për “Dardanët” ky është cikli i pestë kualifikues i Botërorit. Në katër tentimet e kaluara prej vitit 2017, nuk e ka shënuar suksesin e tanishëm. Por në vitin 2020 e kanë regjistruar fitoren më të thellë ndonjëherë në kualifikime. Në janar të vitit 2020, Kosova kishte fituar 30:21 ndaj Gjeorgjisë në kualifikimet për Botërorin 2021 në Egjipt. Fitorja me nëntë gola dallim mbetet më e thella në kualifikime të ngjarjeve të mëdha, Evropianë e Botërorë.
Pjesa e parë përfundoi me katër gola dallim në të mirë të Kosovës, 17:13.
Në pjesën e dytë, britanikët patën nisje të mirë, por Kosova shpejtë u mobilizua në mbrojtje dhe pati sulm efikas për fitoren me pesë gola dallim.
Drenit Tahirukaj pati bilanc të qindpërqindtë me shtatë gola në po aq tentime. Me nga gjashtë gola në fitore kontribuuan Drilon Tahirukaj, Leonard Gegaj dhe Egzon Gjuka. Muhamet Durmishi i shënoi tri gola, ndërsa nga dy gola patën Bujar Ramosaj, Matej Taci dhe Armend Alaj. Një gol tjetër e shënoi Lionel Mirdita. Haris Berisha në portë pati gjashtë pritje nga 22 gjuajte në drejtim të portës së tij.
Te Britania e Madhe më së shumti gola i pati Francisco Pereira, me gjashtë gola në total.
Kosova tani drejtohet nga përzgjedhësi i parë i huaj i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund. Suedezi Ostlund e zëvendësoi Bujar Qerimin në postin e përzgjedhësit, ndërsa punën e nisi në fillim të muajit shtator.
Dhe menjëherë ka regjistruar sukses që vlerësohet shumë.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do ta mësojë kundërshtarin e radhës nëpërmjet shortit. Kundërshtarët ende nuk dihen.
Faza finale e kualifikimeve luhet në maj të vitit 2026.
Botërori i 30-të me 32 përfaqësuese do të organizohet në Gjermani nga 13 deri më 31 janar të vitit 2027.
Kosova në epërsi prej katër golash pas pjesës së parë
Hendbollistët e Kosovës e kanë mbyllur me epërsi prej katër golash pjesën e parë të ndeshjes kthyese të fazës së parë kualifikuese për Kupën e Botës 2027 ndaj Britanisë së Madhe.
Kosova është duke fituar 17:13.
Drenit Tahirukaj i shënoi pesë gola në pjesën e parë, ndërsa Drilon Tahirukaj kontribuoi me katër gola.
Francisco Pereira është më i dalluari te Britania e Madhe me tri gola.
Ndeshjen e parë në Derby të mërkurën mbrëma, Kosova e fitoi 32:26.
Me rezultat pozitiv, Kosova avancon në fazën e dytë të kualifikimeve për Botërorin që pas dy vjetësh organizohet në Gjermani.