Sporte të tjera

Me dokumentarin “Izi – ëndrra vazhdon” përkujtohet Izet Gjinovci

Izet Gjionovci

Me filmin dokumentar “Izi – ëndrra vazhdon” është përkujtuar jeta dhe vepra e sekretarit të hendbollit, Izet Gjinovci.

Gjinovci u përkujtua si kontribuues i madh i hendbollit dhe sportit kosovar në përgjithësi.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar lartë figurën e Gjinovcit. Ai në premierën e dokumentarit kushtuar Gjinovcit, e ka quajtur të rëndësishme dokumentimin e veprave të asaj që e ka cilësuar si figurë unike të sportit.

Për kontributin dhe veprën e Gjinovcit folën edhe presidenti i Federatës së Hendbollit, Edin Kolgeci, dhe bashkëshortja e të ndjerit, Valbona.

Dokumentari "Izi - ëndrra vazhdon" paraqet një pjesë të jetës dhe veprës të të ndjerit Gjinovci, që për shumë dekada dha kontribut të madh për zhvillimin e hendbollit. Dokumentari, që për regjisor e ka Orhan Kerkezin, është ndërtuar me rrëfime e kujtime të bashkëpunëtorëve të afërt të të ndjerit Gjinovci.

Pjesë e dokumentarit për Gjinovcin janë: Mexhit Devaja, president nderi i FHK-së, Eugen Saraçini, ish-president dhe anëtar i Bordit të FHK-së, Edin Kolgeci, president i FHK-së, Predrag Boshkoviq, zv. president i EHF-së, Hajrulla Çeku, ministër i MKRS-së, Afërdita Fazlija, zv. drejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS, Muhamet Arifi, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, Fatmir Muhaxheri, trajner i ekipeve  ombëtare, bashkëshortja e 'Izit', Valbona, doajeni i hendbollit, Ismet Jupa dhe shoku i të ndjerit, Ekrem Janjeva.

Dokumentari plot momente emocionale, është shfaqur nën patronatin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Gjinovci vdiq më 5 gusht të 2024-tës. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare, ndërsa konsiderohet prej figurave më të rëndësishme në histori të hendbollit kosovar. Punën e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së e ka kryer prej vitit 2002. Ka udhëhequr proceset më të rëndësishme të pranimit ndërkombëtar të FHK-së, fillimisht me Mexhid Devajën e më pas me Eugen Saraçinin, kryetarët e federatës.

Gjinovci ishte ish-lojtar i Prishtinës e më pas drejtues shumëvjeçar i këtij klubi. Ka sakrifikuar shumë për klubin Prishtina dhe hendbollin kosovar në përgjithësi.

Falë kontributit të madh të Gjinovcit, FHK-ja që në vitin 2004 u bë anëtare e përkohshme e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe klubet kosovare e fituan të drejtën e paraqitjes në gara ndërkombëtare. Në sportet tjera kjo u arrit vetëm një dekadë më pas.

Edhe me të drejta të plota FHK-ja u pranua e para prej federatave të sporteve ekipore dhe edhe ky proces njeh kontributin e madh të Gjinovcit.