Sporte të tjera

Pashke Marku largohet nga sporti në moshën 25-vjeçare, i ka realizuar 735 gola në elitën zvicerane

Pashke Marku - hendboll

Më herët kishte vendosur t’i jepte fund karrierës me përfaqësuesen e Kosovës. Tani ka vendosur t’i japë fund edhe karrierës në sport.

Njëra prej hendbollisteve më të mira shqiptare, Pashke Marku, ka vendosur të largohet nga sporti. Këtë e ka bërë të ditur klubi zviceran Kreuzlingen, ku 25-vjeçarja ka dhënë kontribut të çmuar për shumë vjet.

“Çfarë karriere në një moshë kaq të re dhe megjithatë ajo tash thotë ‘lamtumirë’ dhe ia kthen shpinën sportit të nivelit të lartë. Nuk mbesin vetëm numra mbresëlënës, por edhe shumë zemër në HSC Kreuzlingen. Pashke Marku e mbylli karrierën me humbje në gjysmëfinale kundër Bruehlit në shtëpi, në sallën sportive ‘Egelsee’. Ajo ka shënuar 735 gola në 171 ndeshje në SPL1.  Në sezonin e saj ‘lamtumirës’ ajo shënoi mesatarisht 6 gola dhe tregoi edhe një herë të gjitha aftësitë e saj”, ka shkruar Kreuzlingeni në njoftimin për largimin e Markut nga sporti.

Ky klub ka shkruar se skuadrës do t’i mungojnë golat e Pashkes, por edhe personaliteti i saj. 

“Secilit sport i duhen personalitetet. Pashkja ishte dhe është një e tillë”, shkruan Kreuzligeni.

Për KOHËN, Pashke Marku ka thënë se po largohet nga sporti që të fokusohet në gjëra të tjera në jetë.

Ajo për shumë vjet ishte reprezentuese e rëndësishme e Kosovës, por vendosi të largohej muaj më parë. Marku ka luajtur në pozitën e lojtares së krahut, ndërsa ka dhënë kontribut të madh në mbrojtje dhe me gola në sulm.

“Ndoshta kthehem një ditë, por aktualisht kam vendosur të tërhiqem dhe të pauzoj. Dua që të shijoj jetën private, të shëtis botën, të bëj pushime. Kam dhjetë vjet në Superligë dhe jam lodhur nga obligimet e përditshme. Dua të shikoj njëherë se si është jeta pa hendboll. Por i kam thënë ekipit që nëse ka nevojë për ta ndihmuar, unë jam gjithnjë në dispozicion. Nëse nuk më mungon hendbolli atëherë do të rri larg sportit. Nëse më mungon do të kthehem. Pushimi më duhet edhe për trupin tim dhe për shëndetin mental. Isha gjithnjë në stres dhe kam dhënë aq shumë në hendboll. Gjithë jetën e kam pasur hendboll dhe tani dua të gjej rrugën time pa hendboll. Vendimi ishte i vështirë, por kam dhënë çdo gjë për ekipin”, ka thënë Marku për KOHËN.

Ajo e di që do ta ketë vështirë pa hendboll, por thekson se ka vendosur të qëndrojë larg topit të hendbollit, të paktën për një periudhë.