Sporte të tjera

Rahoveci e Istogu triumfojnë në Superkupë

Rahoveci e Istogu triumfojnë në Superkupë

Rahoveci dhe Istogu janë fitues të Superkupës së Kosovës.

Të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, hendbollistët e Rahovecit mposhtën ata të Kastriotit, ndërsa te hendbollistet, trofeu i takoi Istogut.

Istogaset fituan përballë hendbollisteve të Ferizajt. Ishte arenë e dy ndeshjeve të Superkupës së Kosovës.

Rahoveci e Kastrioti zhvilluan ndeshje të fortë në praninë e mbi 2 mijë shikuesve, por ishin rahovecasit që e festuan në fund trofeun e Superkupës, pas fitores 31:30. Atmosfera ishte e zjarrtë ndërsa skuadrat luftuan deri në momentet e fundit.

Pjesa e parë u mbyll 17:16 në të mirë të Rahovecit. Rahovecasit u treguan më të saktë edhe në momentet vendimtare dhe e fituan për herë të dytë radhazi Superkupën. Arbios Mushkolaj ishte më efikasi te Rahoveci me shtatë gola.

Ardit Tafilaj i shënoi pesë gola, ndërsa nga katër i shtuan Mali Luzha e Hamdi Salihu. Me disa pritje u dallua edhe portieri Arbër Curri.

Te Kastrioti, që vazhdon të mbetet pa trofe të Superkupës, më efikasi ishte Festim Mustafa me tetë gola. Rahoveci në edicionin e kaluar e fitoi titullin, ndërsa Kastrioti triumfoi në Kupë.

Tani vëmendja bartet në nisjen e elitës së hendbollit kosovar.

Rahoveci mbrojtjen e titullit e fillon me ndeshjen në shtëpi ndaj Vushtrrisë.

Xhiroja e parë në program është më 20 e 21 shtator.

Rahoveci do të paraqitet edhe në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Rahoveci starton prej raundit të dytë dhe luan me Dudelangen e Luksemburgut pasi e ka eliminuar Butelin e Maqedonisë së Veriut. Në raundin e dytë të kësaj gare është edhe Besa Famgas.

Istogu ndërkohë dukshëm më me lehtësi e mposhti Ferizajn 39:31.

Istogaset ishin në kontroll të lojës nga fillimi, dhe kjo bëri që ato të stolisen me një tjetër trofe të Superkupës. Për Istogun ishte trofeu i tretë i Superkupës.

Vjet Superkupën e fitoi Ferizaj.

Dijana Ujkiq dhe Joneide Balo Olikaka u dalluan te Istogu.

I shënuan nga nëntë gola. Shtatë i realizoi Tainara Luna Goncalves, ndërsa nga pesë i shtuan Suzana Ujkiq e Nihed Limem.

Hendbollistet e Istogut edicionin e kaluar e fituan edhe titullin e katërt rresht të Superligës dhe të pestin në total, si dhe triumfuan në Kupë.