Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, e ka humbur thellë ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Të premten mbrëma në Luksemburg, Rahoveci humbi 41:34 nga Dudelange. “Vreshtarët” nisën mirë ndeshjen, por shpejt në epërsi kaloi skuadra nga Luksemburgu, që e mbajti deri në fund.
Në fund të pjesës së parë Dudelange ishte në epërsi prej dy golave, 18:16. Njëjtë loja vazhdoi edhe në dhjetëminutëshin e parë të pjesës së dytë.
Pas minutës së 40-të, Dudelange nisi shkëputjen më të madhe në rezultat. Madje krijoi epërsi prej plot 11 golave, 37:26. Në fund dallimi ishte shtatë gola.
Rahoveci është paraqitur pa lojtarin kryesor, Egzon Gjuka, që është i lënduar.
Arbios Mushkolaj i shënoi 11 gola për Rahovecin. Ai i kishte 19 tentime. Shtatë gola nga shtatë tentime i realizoi Mali Luzha, ndërsa nga katër gola i kishin Vlerson Zherka e Rron Ramadani. Në tre gola u ndalën Ardit Tafilaj e Granit Kadiri, ndërsa nga një e shënuan Lulzim Shabani e Hamdi Salihu. Tetë pritje i kishte Arbër Curri.
Ndeshja e dytë mes Rahovecit e Dudelanges zhvillohet të shtunën prej orës 20:30, po në Luksemburg.
Rahoveci ka vendosur që dy ndeshjet t’i luajë në Luksemburg për shkak të shfrytëzimit të palestrës “Mizahir Isma” për zgjedhjet lokale.
Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit. Besa Famgas filloi prej raundit të parë dhe kaloi kundërshtar nga Turqia. Në raundin e dytë pos Rahovecit e Besa Famgasit paraqitet edhe Kastrioti i Ferizajt.
Në konkurrencë të femrat plot katër skuadra u paraqitën në EHF European Cup. Vetëm Istogu e kaloi kundërshtarin e parë. Samadrexha, Ferizaj dhe Shqiponja janë eliminuar.