Gjithsej 32 ekipe përfaqësuese u paraqitën në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026 në hendboll. Në mesin e tyre ishte edhe Kosova.
Prej 32 përfaqësueseve, 20 u kualifikuan në Evropianin që mbahet në Danimarkë, Norvegji e Suedi në janar të vitit të ardhshëm. Pra janë kualifikuar dukshëm më tepër se gjysma e përfaqësueseve që ishin në kualifikime. Megjithatë Kosova nuk është ne mesin e tyre. Ky ishte synimi i madh i Kosovës për këto kualifikime, që mbeti pa u realizuar.
Kosova është në mesin e 12-të përfaqësueseve të pakualifikuara.
Pos Kosovës nuk janë kualifikuar edhe Lituania, Estonia, Finlanda, Sllovakia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Letonia, Belgjika, Luksemburgu, Turqia e Izraeli.
Kosova u rendit e fundit në Grupin 6 me tri pikë. Ishte prej grupeve më të barabarta.
Përfaqësuesja e Ishujve Faroe përfundoi e para në këtë grup me nëntë pikë. Tetë i kishte Holanda e katër Ukraina. Këto tri përfaqësuese u kualifikuan.
Synimi i Kosovës ishte vendi i tretë në grup, që do t'ia siguronte kualifikimin. Ndeshja vendimtare ishte ajo e zhvilluar të enjten në Prishtinë ndaj Ishujve Faroe. Me fitore në atë ndeshje, Kosova do të kualifikohej. Por pësoi 25:23. Kosova do të kualifikohej edhe me fitore të dielën në udhëtim ndaj Holandës. Por shpresat për sukses në Holandë ishin të vogla. Në fund fitorja me rezultat 34:29 shënoi Holanda.
Në kualifikime ishin tetë grupe. Dy të parët në secilin grup u kualifikuan në Evropian. Biletën e siguruan edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupet.
“Tashmë përfunduan kualifikimet, deri diku jam i kënaqur por edhe nuk mund të jem i kënaqur. Kemi pasur shanset e mira sidomos të enjten ndaj Ishujve Faroe”, ka thënë kapiteni Valon Dedaj.
Për Kosovën ky në fakt ishte vetëm edhe një cikël kualifikues që përfundon pa suksesin e synuar.
Garën për Euro 2026, hendbollistët kosovarë e nisën në raundin promovues, që ishte raund ndërmjet fazës së parë dhe të dytë kualifikuese.
E kaluan me sukses përfaqësuesen e Britanisë së Madhe.
Në kualifikimet për Euro 2024, Kosova ishte e fundit në grup me Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Nuk e fitoi asnjë pikë. Si njëra prej katër përfaqësueseve më të dobëta të kualifikimeve ra në raundin promovues për kualifikimet e Euro 2026.
Në kualifikimet për Euro 2022, Kosova ishte e treta në grup. La prapa Rumaninë, por sërish nuk u kualifikua. I mblodhi tri pikë, falë barazimit dhe fitores ndaj Rumanisë. Nga grupi i Kosovës u kualifikuan Suedia e Mali i Zi, ndërsa Rumania mbeti e fundit.
Në kualifikimet për Euro 2020, Kosova mbeti e fundit në grup në fazën e parë. Mbeti prapa Estonisë dhe Turqisë. Por përmes suksesit në Kampionatin e vendeve në zhvillim, doli në fazën e dytë kualifikuese. Në grup me Gjermaninë, Poloinnë dhe Izraelin mbeti e fundit me tri pikë. Nuk u kualifikua. Kosova kishte fituar ndaj Izraelit dhe kishte barazuar me Poloninë.
Kualifikimet për Euro 2018, ishin të parat e Kosovës për Kampionat Evropian. U ndal në fazën e parë kualifikuese, ku ishin edhe Rumania e Italia. I humbi të gjitha katër ndeshjet.
“Personalisht jam shumë i kënaqur me ndeshjet që i kemi zhvilluar në shtëpi. Në të njëjtën kohë edhe i dëshpëruar me lojën e fundit që e kemi pas në Prishtinë. Detajet e vogla na kanë dënuar dhe pesë minutat e fundit nuk kemi qenë shumë të freskët për ta fituar ndeshjen”, ka thënë selektori Bujar Qerimi, duke vënë fokusin te ndeshja me Ishujt Faroe.
Kosova këtë herë iu afrua Evropianit, por megjithatë pa e arritur atë.