Lara Colturi mund të ketë qenë mjaftueshëm e përgatitur për t’ia siguruar medaljen e artë shtetit të saj në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano muajin tjetër. Por në vend të kësaj, ajo do të jetë pioniere e papritur për Shqipërinë.
19-vjeçarja, specialiste e sllallomit, vajza e kampiones olimpike në “Super-G” në vitin 2002, italianes Daniela Ceccarelli, nuk ka lidhje me Shqipërinë, përveçqë nëna e saj u bë drejtoreshë teknike në Federatën Skitare të shtetit ballkanik në vitin 2021, shkruan “Reuters” të enjten.
Nëse do të vendoste që të garonte për Italinë, do t’i kërkohej durimi për të debutuar në Kupën e Botës. Por, skitarja me nofkën “vajza e shpejtë”, Colturi, ishte me nxitim dhe vendosi ta përfaqësonte Shqipërinë, me premtimin e një shume të madhe financiare. Karriera e saj u ngrit shumë po ashtu.
Me rregullin “Kuota Bazike” të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), shtetet që e kanë më pak të zhvilluar skijimin alpin mund ta kenë një skitar në ngjarjen e Kupës së Botës. Për këtë arsye asaj iu dha mundësia për t’u bërë skitarja më e re në garat e Kupës së Botës në më shumë se 40 vjet, kur në vitin 2022, debutoi si 15-vjeçare.
Tash e tre vjet ajo ende është duke e pritur një fitore në Kupë të Botës, por natyrisht se kjo është vetëm çështje kohe për garuesen e lindur, stili agresiv i së cilës e bën atë magjepse.
Strategjia e saj me rrezikshmëri të lartë do të thotë se në rezultatet e saj ka shumë gara të papërfunduara (DNF), por vitin e kaluar ajo e bëri botën e skitarisë që të ngrihet në këmbë dhe të marrë shënime. Kishte përfunduar në pozitën e dytë, prapa mbretëreshës së sllallomit, Mikaela Shiffrin, për podiumin e parë në Kupë të Botës.
Këtë sezon ajo ka vazhduar me paraqitje të mira dhe e ka ndarë podiumin katër herë me skitaren e madhe amerikane, Shiffrin, të cilën Colturi e përshkruan si inspirim.
“Ajo është me të vërtetë e shkëlqyer”, ka thënë Colturi për skitaren më të suksesshme në histori. “Po mundohem që të kopjoj çdo gjë nga ajo. Këtë jam duke provuar ta bëj qëkur isha pesëvjeçare”.
Pas vendit të tretë në sllallom në Semmering më 28 dhjetor, Colturi ishte e treta në renditje në këtë disiplinë. Ndërkohë Shiffrini mbetet e pakapshme, duke e lënë Colturin që të luftojë.
“Dua që në gara ta jap më të mirën, të përqendrohem në paraqitjen time dhe të kënaqem”, ka thënë Colturi. “E kam ditur se jam e shpejtë në stërvitje, por tani e kam mësuar se e shpejtë duhet të jem edhe nëpër gara”.
Ngritja e Colturit lidhet edhe me familjen, pasi nëna është trajnere e saj dhe e këshillon vazhdimisht.
“Mund të them se nëna është trajnerja dhe shoqja ime më e mirë”, thotë Colturi. “Kalojmë shumë kohë së bashku në stërvitje dhe udhëtojmë së bashku. Ajo më jep këshilla teknike në skitari, por po ashtu më këshillon që të kënaqem me këtë sport”.
Mbetet të shihet nëse Colturi do të vazhdojë të garojë me flamurin “kuqezi” të Shqipërisë pas Olimpiadës, por ajo e ka shansin që ta kthejë investimin e bërë në të, duke ia siguruar kombit medaljen e parë në Olimpiadën Dimërore.
Megjithatë, ajo nuk është skitarja e parë e Shqipërisë. Erjon Tola, që u lind në Tiranë, garoi në vitet 2006, 2010 dhe 2018 në Lojëra Olimpike, ndërsa Suela Mëhilli ishte prezente në Lojërat Olimpike të viteve 2014 dhe 2018.