Skitarja e njohur amerikane, Lindsey Vonn, u rrëzua në garën e lëshimit në Lojërat Olimpike Dimërore, nëntë ditë pasi këputi ligamentet e gjurit të majtë.
41-vjeçarja kishte kompletuar me sukses dy lëshime stërvitore në pistën ikonike “Olimpia delle Tofane” në Cortina, por u rrëzua në fillim të lëshimit të saj, të dielën.
Ajo u trajtua për kohë të gjatë në shtegun e pjerrët, përpara se të largohej me një helikopter.
Vonn rrezikoi shumë duke garuar të dielën, pasi pësoi lëndim të rëndë të ligamentit të kryqëzuar anterior në Zvicër, në garën e fundit të Kupës së Botës para Lojërave Olimpike që po mbahen në Itali.
Amerikania ishte e vendosur të lëshohej në shteg, në Lojërat e fundit të saj Olimpike.
Shikuesit e habitur në tribuna duartrokitën drejt helikopterit që po e bartte skitaren e njohur. Vonn ka pasur suksese të shumta në këtë shteg. 12 prej 84 fitoreve të saj në Kupën e Botës u arritën në Cortina.
Vonn nuk ishte e sigurt se çka ishte në gjendje të përballonte gjuri i saj. Por e kishte veçuar garën e lëshimit si të preferuar të saj. Ishte paraqitur edhe për Super-G dhe për garat ekipore. Duket e pamundur që ajo të zhvillojë garë tjetër në këto Lojëra. Kjo do të thotë se karriera e saj olimpike ka përfunduar në mënyrë të dhimbshme.

Vonn ishte skitarja e 13-të që nisi garën e lëshimit. E preku portën e parë dhe e humbi ekuilibrin. U rrëzua derisa po bënte një kthim.
Për shkak të trajtimit të yllit amerikan, gara u shty. Në atë kohë amerikania tjetër, Breezy Johnson ishte duke udhëhequr. Ajo mbante kokën me duar, ndërsa shikonte helikopterin duke bartur Vonnin.
Voon bëri rikthim sensacional në skijim në vitin 2024, pasi ishte tërhequr në vitin 2019 si skitarja më e dekoruar në histori. Ishte tërhequr për shkak të lëndimeve, ndërsa u kthye pasi zëvendësoi një pjesë të gjurit në këmbën e djathtë.
Llogaritej pretendente për medalje olimpike, por lëndimi i pësuar ndryshoi situatën.
Amerikania Johnson e fitoi të artën me kohë të pabesueshme prej 1 minutë, 36 sekonda e 10 të qindtat. Emma Aicher e Gjermanisë fitoi medaljen e argjendtë olimpike, duke mbetur për vetëm katër të qindtat pas Johnsonit. Soffia Goggia e Italisë e fitoi medaljen e bronztë.
Johnson është edhe kampione e botës në lëshim.
“Kam pasur ndjenjë të mirë për garën e sotme. Ende nuk mund ta besoj. E kam ditur se më duhet të shtyj para, të shkoj më shpejt se në stërvitje. E kam ndier se shpejtësia është e mirë dhe kam shpresuar se do të jetë mjaftueshëm”, ka thënë Johnson.