Kompania teknologjike Apple ka shkelur një urdhër gjykate amerikane që i ka kërkuar prodhuesit të iPhonet të lejojë konkurrencë më të madhe për shkarkimet e aplikacioneve dhe metodat e pagesës në App Storen e tij fitimprurës.
Kështu ka vendosur të mërkurën një gjyqtar federal në Kaliforni, raportoi të enjten Reuters.
Sipas Gjykatës së Qarkut në Oakland, Apple nuk i është përmbajtur urdhrit të saj të mëhershëm të ndalimit, i cili u vendos në një padi të ngritur nga prodhuesi i “Fornite”, Epic Games.
"Përpjekjet e vazhdueshme të Apple për të ndërhyrë në konkurrencë nuk do të tolerohen", ka thënë gjyqtarja Gonzalez Rogers. "Ky është një urdhër gjyqësor, jo negocim. Nuk ka ripërsëritje pasi një palë shpërfill me dashje një urdhër gjykate", ka shtuar ajo.
Apple në një deklaratë ka thënë se nuk pajtohet me vendimin.
Drejtori ekzekutiv i Epic Games, Tim Sweeney, e quajti urdhrin e gjykatës fitore të rëndësishme për zhvilluesit dhe konsumatorët.
Epic akuzoi Applen për mbytje të konkurrencës për shkarkimet e aplikacioneve dhe për mbingarkesë të tarifave për blerjet brenda aplikacionit.