Kina ka kritikuar shtrëngimin e rregullave të Shteteve të Bashkuara për eksportet e gjysmëpërçuesve, duke thënë se kanë krijuar pengesa të shumta për tregtinë, si dhe më shumë pasiguri në industrinë e çipave, raportoi të hënën Reuters.
Administrata Biden javën e kaluar ka shqyrtuar rregullat që synojnë ta vështirësojnë qasjen e Kinës në çipat e inteligjencës artificiale të SHBA-së dhe mjetet e prodhimit të çipave, në përpjekjeje për të penguar industrinë e prodhimit të çipave të Pekinit për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare.
"Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar konceptin e sigurisë kombëtare, kanë rishikuar në mënyrë arbitrare rregullat dhe kanë forcuar masat e kontrollit. Kjo jo vetëm që ka krijuar më shumë pengesa dhe ka vendosur barrë më të rëndë të pajtueshmërisë për kompanitë kineze dhe amerikane që duan të punojnë së bashku ekonomikisht dhe në tregti. Por gjithashtu ka krijuar pasiguri të madhe për industrinë globale të gjysmëpërçuesve”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës.