Presidenti i OpenAI, Greg Brockman, ka dëshmuar të martën në një gjykatë në Kaliforni se Elon Musk ka mbështetur transformimin e kompanisë nga një organizatë jofitimprurëse në një strukturë fitimprurëse, por ka kërkuar kontroll të plotë për të realizuar ambiciet e tij, përfshirë sigurimin e rreth 80 miliardë dollarëve për kolonizimin e Marsit.
Dëshmia e Brockmanit u dha gjatë javës së dytë të një procesi gjyqësor që mund të përcaktojë të ardhmen e OpenAI, kompania që nxiti interes global për inteligjencën artificiale gjeneruese pas lansimit të chatbot-it ChatGPT në fund të vitit 2022.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë seancë u bë e ditur gjithashtu se OpenAI planifikon të shpenzojë rreth 50 miliardë dollarë për burime kompjuterike gjatë vitit 2026.
Ndërsa, Musku ka akuzuar OpenAI dhe drejtorin ekzekutiv Sam Altman se e kanë mashtruar për të kontribuar me 38 milionë dollarë në organizatën jofitimprurëse, e cila më pas, sipas tij, devijoi nga misioni i saj dhe u shndërrua në një kompani fitimprurëse për përfitime personale. Ai tani kërkon 150 miliardë dollarë dëmshpërblim për organizatën dhe largimin e Altmanit dhe Brockmanit nga drejtimi.
Gjatë dëshmisë së tij, Brockmani deklaroi se në vitin 2017 Musku pati kërkuar ndryshimin e strukturës së OpenAI, duke argumentuar se një organizatë jofitimprurëse e kishte të vështirë të siguronte fondet e nevojshme për zhvillimin e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.
Sipas tij, Musku kishte bërë të qartë se dëshironte të merrte drejtimin e kompanisë, me Altmanin si kandidat të vetëm alternativ.
Brockmani përshkroi edhe një takim intensiv në të cilin Musku kishte kërkuar shumicën e aksioneve, duke u mbështetur në përvojën e tij në biznes dhe duke theksuar se synonte të përdorte këtë kontroll për të ndërtuar një qytet të vetëqëndrueshëm në Mars. Ai shtoi se Musk kishte deklaruar se do të vendoste vetë kur të hiqte dorë nga kontrolli i plotë.
Në dëshminë e tij u përmend edhe një incident gjatë një takimi në gusht 2017, ku Musku, i pakënaqur me strukturën e propozuar të aksioneve, u largua i zemëruar duke marrë me vete një pikturë të realizuar nga ish-shkencëtari kryesor i OpenAI, Ilya Sutskever, dhe duke paralajmëruar ndërprerjen e financimit të mëtejshëm.
Ndërkohë, avokatët e Muskut janë përpjekur të vënë në dyshim motivet e Brockmanit, duke theksuar përfitimet e tij financiare nga OpenAI.
Në vitin 2019, OpenAI u ristrukturua duke krijuar një njësi fitimprurëse nën mbikëqyrjen e organizatës jofitimprurëse, gjë që i lejoi të tërhiqte investime të jashtme. Që atëherë, kompania ka siguruar mbi 100 miliardë dollarë për të zgjeruar aktivitetin e saj dhe për të investuar në fuqi kompjuterike, në prag të një oferte publike që mund ta vlerësojë atë deri në 1 trilion dollarë.