Tech

Roboti rus me inteligjencë artificiale rrëzohet pak sekonda pasi u prezantua

Roboti rus me inteligjencë artificiale rrëzohet pak sekonda pasi u prezantua

Roboti i parë humanoid rus me inteligjencë artificiale u rrëzua në skenë gjatë prezantimit zyrtar në një ngjarje teknologjike në Moskë më 10 nëntor, duke shkaktuar reagime dhe tallje në rrjetet sociale.

Roboti, i quajtur AIdol, u prezantua nga zhvilluesit si shembull i avancuar i robotikës antropomorfe, ndërtuar kryesisht me komponentë vendas. Por, sapo u shfaq në skenë, i shoqëruar nga dy punonjës dhe nën tingujt e kolonës zanore të filmit Rocky, roboti humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, duke lënë disa pjesë të shpërndara në skenë.

Pamjet e publikuara nga mediat e pavarura ruse tregojnë personelin që nxiton ta mbulojë robotin me një perde, ndërsa përpiqen ta ngritin dhe ta largojnë nga skena.

VIDEO:

Prezantimi i AIdolit shënon përpjekjen e Rusisë për t’u përfshirë në garën botërore për zhvillimin e robotëve me pamje dhe sjellje njerëzore, të fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Sipas Vladimir Vitukhin, drejtor ekzekutiv i kompanisë ruse të robotikës Idol, roboti është krijuar për të integruar lëvizjen, manipulimin e objekteve dhe ndërveprimin njerëzor përmes “inteligjencës artificiale”.

Rënia e robotit, sipas kompanisë, ndodhi për shkak të problemeve me kalibrimin, dhe ngjarja u cilësua si pjesë e fazës së testimit.

“Shpresoj që ky gabim të shndërrohet në përvojë”, ka thënë Vitukhin.

Megjithëse prezantimi synonte të demonstronte përparimin e Rusisë në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, shumë përdorues rusë në rrjetet sociale u përqendruan te paaftësia e robotit për të qëndruar në këmbë dhe te vendimi për të prezantuar një prototip të papërfunduar.