Derisa lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ka hyrë në javën e katërt, forcat iraniane kanë drejtuar raketa balistike ndaj një baze ushtarake amerikano-britanike në Oqeanin Indian. Megjithëqë sulmi nuk ka goditur ndonjë objektiv, këtë autoritetet iraniane e kanë kualifikuar si avancim të kapaciteteve raketore të shtetit. E ky zhvillim u pasua me kërcënim nga Izraeli për intensifikim të sulmeve
Irani ka lëshuar dy raketa balistike në drejtim të ishullit Diego Garcia, që është bazë ushtarake amerikano-britanike në zonën e Oqeanit Indian.
Raketat nuk kanë arritur të godasin ndonjë objektiv në ishullin rreth 4 mijë kilometra larg Iranit, porse autoritetet iraniane e kanë kualifikuar sulmin si hap të rëndësishëm dhe dëshmi se raketat iraniane kanë rreze më të gjatë veprimi sesa mendohej më parë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas autoriteteve iraniane, sulm gjatë të shtunës është ndërmarrë edhe në uzinën bërthamore iraniane për pasurimin e uraniumit në Natanz, teksa për këtë i kanë fajësuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E pas sulmit, zyrtarë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kanë bërë të ditur se nuk është evidentuar rritje e nivelit të rrezatimit jashtë zonës.
“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është informuar nga Irani se objekti bërthamor në Natanz është sulmuar sot. Nuk është raportuar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë zonës. Agjencia është duke e shqyrtuar raportin. Drejtori i përgjithshëm i saj, Rafael Grossi, e përsërit thirrjen për përmbajtje ushtarake për të shmangur çdo rrezik të një aksidenti bërthamor”, thuhet në deklaratën e publikuar në “X” nga kjo Agjenci.
Rastet janë pasuar me një paralajmërim nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, se Irani do të përballet javën e ardhshme me intensitet të shtuar të sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-ja.
“Ne jemi të vendosur që t’i vazhdojmë sulmet kundër regjimit terrorist iranian, që t’i eliminojmë komandantët e tij dhe t’ia pengojmë kapacitetet strategjike, derisa të gjitha kërcënimet e sigurisë ndaj shtetit të Izraelit dhe interesave të SHBA-së në rajon të eliminohen”, ka deklaruar Katz.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë pak orë pasi copëza të një rakete iraniane goditën një kopsht të boshatisur fëmijësh afër Tel Avivit.
E ndërkohë, sulme me dronë iranianë u raportuan edhe në një zonë instalimesh të naftës në Arabinë Saudite.
Zhvillimet e së shtunës kanë ndodhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ka sinjalizuar mundësinë e uljes së intensitetit të luftës në Lindjen e Mesme, që ka hyrë në javën e katërt.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Trump ka thënë se SHBA-ja është afër përmbushjes së objektivave të saj të luftës, porse ka këmbëngulur se do të jetë në duart e shteteve të tjera, që e përdorin Ngushticën e Hormuzit, të sigurojnë lundrimin e anijeve në këtë shteg jetik ujor dhe të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimeve të naftës.