Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Trump: Apple e Intel do të bashkëpunojnë për dizajnimin dhe prodhimin e çipave në SHBA

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se kompania Apple ka arritur një marrëveshje me Intel për dizajnimin dhe prodhimin e çipave në territorin amerikan, zhvillim që konsiderohet si shtysë e rëndësishme për përpjekjet e Intelit për të rikthyer konkurrueshmërinë në industrinë globale të gjysmëpërçuesve.

Sipas Trumpit, partneriteti do t’i sigurojë Intelit kërkesë të qëndrueshme nga një prej kompanive më të mëdha të elektronikës së konsumit në botë, duke përmirësuar reputacionin dhe shitjet e saj në garën me rivalin tajvanez TSMC, prodhuesin më të madh kontraktues të çipave në nivel global, raportoi Reuters.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për Apple, marrëveshja pritet të ndihmojë në diversifikimin e bazës së prodhimit dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Apple dhe Intel nuk kanë komentuar ende publikisht mbi deklaratat e Trumpit. Megjithatë, tregjet reaguan pozitivisht ndaj lajmit, me aksionet e Intelit që u rritën me 7 për qind, ndërsa ato të Applet shënuan rritje prej 0.8 për qind.

Mediat amerikane patën raportuar më parë se Inteli kishte arritur marrëveshje paraprake për prodhimin e disa çipave për Apple pas më shumë se një viti negociatash. Trumpi nuk specifikoi se cilët çipa do të prodhohen nga Inteli në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Intel ishte furnizuesi kryesor i procesorëve për kompjuterët Mac për rreth 15 vjet, deri në vitin 2020, kur Apple kaloi te çipat e saj të serisë M, të prodhuar nga TSMC-ja. Këta procesorë janë konsideruar si faktor kyç në rritjen e shitjeve të kompjuterëve Mac gjatë viteve të fundit.

Njoftimi vjen në një periudhë kur administrata amerikane po intensifikon përpjekjet për forcimin e zinxhirëve vendas të furnizimit me gjysmëpërçues dhe minerale kritike, me synimin për të ulur varësinë nga Kina dhe për të rritur prodhimin strategjik brenda Shteteve të Bashkuara.