Drejtori ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg, ka pranuar se kompania ka bërë gabime gjatë procesit të transformimit të fuqisë punëtore përmes inteligjencës artificiale, teksa gjiganti i rrjeteve sociale po investon miliarda dollarë për të riorganizuar operacionet e tij rreth kësaj teknologjie.
Në një memorandum të brendshëm të siguruar nga Reuters, Zuckerbergu thekson se ndryshimet e shpejta të sjella nga zhvillimi i inteligjencës artificiale kanë krijuar sfida të mëdha për kompaninë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Duke pasur parasysh kompleksitetin e këtyre ndryshimeve, kemi bërë gabime dhe me siguri do të bëjmë edhe të tjera”, ka shkruar ai në mesazhin drejtuar punonjësve.
Megjithatë, Zuckerbergu ka siguruar stafin se Meta synon të ofrojë sa më shumë stabilitet gjatë procesit të ristrukturimit dhe ka përsëritur se kompania nuk planifikon shkurtime të tjera masive të vendeve të punës gjatë këtij viti.
Në muajin maj, Meta realizoi një ristrukturim të madh organizativ, duke larguar rreth 10 për qind të fuqisë punëtore në nivel global dhe duke transferuar afërsisht 7 mijë punonjës në iniciativa të reja të lidhura me proceset dhe modelet e inteligjencës artificiale.
Sipas Zuckerbergut, kompania do të përpiqet të gjejë role të reja për punonjësit që janë angazhuar në trajnimin e modeleve të AI-së.
Po ashtu, Meta planifikon të rrisë investimet në aktivitetet që synojnë forcimin e bashkëpunimit mes ekipeve.
Pavarësisht sfidave, Meta po vazhdon të rrisë investimet në inteligjencën artificiale. Në muajin prill, kompania ngriti parashikimin e shpenzimeve kapitale për vitin aktual në mes 125 dhe 145 miliardë dollarëve, duke e bërë AI-në një nga prioritetet kryesore strategjike të saj.