TEMPUS

Kastrati: Partitë në balotazh të vazhdojnë gjuhën e moderuar që është për t’u vlerësuar

Burbuqe Kastrati

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se pret që edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve, partitë politike të vazhdojnë  gjuhën e moderuar- e cila sipas saj ishte për t’u vlerësuar gjatë fushatës zgjedhore.

Fillimisht, Kastrati tha se pret që problemet me ndërrimin e vendvotimeve të qytetarëve të eliminohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë balotazhit, ngase kjo ka ndikuar në dekurajimin e qytetarëve.

Hulumtuesja tha në “Tempus” se gjatë vëzhgimit të procesit të votimit më 12 tetor, nuk kanë evidentuar probleme të tjera.

“Po besoj që partitë në këto javët e ardhshme që do t’i monitorojmë, do të vazhdojnë këtë gjuhën e moderuar të cilën e kanë pas, e cila është për t’u vlerësu, sepse nuk ka pasur incidente gjatë fushatës. Tash, normalisht është gara më e ashpër sepse kemi të bëjmë me dy kandidatë dhe sigurisht që partitë- sidomos këto të mëdhajat kanë me u siguru që, qoftë që tha Gzimi këso koalicione të fshehura ku shkojnë votat e atyre partive të cilat kanë dalë të tretat e të katërtat- për të cilin kandidat të partin apo të dytin. Sigurisht, kjo është një betejë prapa skenës që ka me ndodhë”, tha Kastrati.

Kastrati theksoi se pret që procesi zgjedhor edhe në balotazh të jetë pa incidente, pavarësisht faktit se gara është e fortë. Tha se puna e KQZ-së sikurse dje, shpreson të reflektojë edhe në garën e balotazhit.

Ndërsa, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se gara në balotazh ka një qartësi më të madhe të luftës ndërmjet kandidatëve, pasi që ka përfunduar edhe gara për asamble komunale.

Edhe Shala tha që shpreson se do të vazhdojë gjuha e moderuar dhe respekti ndërmjet kandidatëve, ashtu që çështja e balotazhit mos të prish vlerësimin pozitiv që është dhënë deri më tani. 


Shala thotë se në zgjedhjet lokale pati dukshëm më pak gjoba për partitë politike sesa në ato të përgjithshme

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se numri i ankesave dhe gjobave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme, tregon se ka qenë një fushatë zgjedhore më e qetë dhe me më pak incidente.

Shala tha në “Tempus” se në zgjedhjet lokale janë marrë 33 vendime me gjoba, kurse në zgjedhjet e përgjithshme numri i vendimeve me gjoba ka qenë 146.

“Pra, ka qenë rreth pothuajse 1/4 në raport me zgjedhjet e përgjithshme. Nëse e shohim shumën e gjobave të shqiptuara, në zgjedhjet lokale janë 81 mijë e 200 euro gjoba të shqiptuar. Në zgjedhjet e përgjithshme ka qenë 651 mijë euro”, u shpreh Shala.

Sipas tij, ka një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si partitë politike i janë qasur fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale, në krahasim me ato të përgjithshme.

“Ka pasur një fokus pak më të madh në progarmet politike, pa marrë parasysh cilësinë e programeve politike e cila çështje më pastaj është e diskutueshme, por ka pasur më shumë respekt në raport me kandidatët, mirëpo edhe polarizimet e mëdha zakonisht shprehen më shumë në zgjedhjet e përgjithshme dhe jo në zgjedhjet lokale”, tha Shala.

Ai tha se polarizimet “zbuten” në zgjedhje lokale edhe në kuptim të koalicioneve pas raundit të parë të zgjedhjeve- e që parimisht, sipas tij, diku ka koalicione publike e diku të heshtura.

Hulumtuesi i IKD-së theksoi se ideja e sulmeve në raport me sistemin e drejtësisë është fatkeqësi. Tha se deklarimet dhe fyerjet ndaj gjyqtarëve specifikë me emër e mbiemër janë të papranueshme, të cila nuk duhet të dëgjohen askund e aq më tepër nga përfaqësuesit e një institucioni të pavarur siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./BetimipërDrejtësi


Shala: Kur të vendosë KPM për ankesën e Besa Shahinit për mosftesë në debat, s’do ta ketë efektin e njëjtë

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se vendimi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për ankesën e kandidates për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, për mosftesë në debatin për Prishtinën në “Debat Plus”, nëse do të merret pas disa muajsh, nuk do ta ketë më efektin e njëjtë, pasi periudha zgjedhore tashmë ka përfunduar.

Sipas Shalës, ligji trajton të gjitha subjektet politike në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh fuqinë e tyre elektorale, dhe parashikon që vendimet për ankesa gjatë fushatës të merren në kohë shumë të shkurtër, në mënyrë që të kenë ndikim real në procesin zgjedhor.

“Secili subjekt politik trajtohet nga ligji pa marrë parasysh fuqinë elektorale që e ka. Në Rregullore janë të detajuara edhe afatet kohore që vendimet të jenë të shpejta, me logjikën që të mos përfundojë fushata e pastaj të merremi me ankesa, por ato të trajtohen në kohë reale për të rregulluar sjelljen e mediave gjatë fushatës”, ka deklaruar Shala në emisionin “Tempus”.

Ai ka shtuar se nëse KPM-ja do të kishte vepruar me efikasitet në rastin e Shahinit, vendimi do të ishte marrë brenda një afati të shkurtër, duke ndikuar pozitivisht në garantimin e barazisë mes kandidatëve.

“Sikur të ishte një KPM aktive, në rastin e Besa Shahinit- ajo do të vendoste në një afat shumë të shkurtër, pasi pamë një qasje të pabarabartë, për shkak se ajo nuk u ftua në debatin për kryeqytetin. Kishim një debat kryesor me vetëm tre kandidatë nga subjektet e mëdha, por jo edhe kandidatët e tjerë. Ligji nuk është mjet për të favorizuar të fortin, por për të ofruar barazi për të gjithë”, ka theksuar Shala.

Ai ka nënvizuar se një vendim i vonuar i KPM-së nuk do të ketë efektin e njëjtë si gjatë fushatës zgjedhore, megjithatë do të mund të shërbente si standard për raste të ardhshme.

“Nëse pas disa muajve vendoset për ankesën e Besa Shahinit, definitivisht nuk do të ketë efektin e njëjtë sikurse gjatë fushatës, sepse përtej vendimit, ajo do të shërbente si standard se si duhet të veprojnë mediat në raste të tjera”, shtoi hulumtuesi. /BetimipërDrejtësi


Kastrati: Vetëm 10% e hapësirës televizive gjatë kronikave zgjedhore iu dha kandidateve gra, në debate 8% pjesëmarrja e grave

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se gjatë procesit të monitorimit të debateve televizive dhe kronikave zgjedhore, është vërejtur një pabarazi e madhe gjinore në hapësirën që u jepet kandidateve gra për kryetare komunash dhe asambliste.

E ftuar në “Tempus“, Kastrati tha se pjesëmarrja e grave në debatet televizive gjatë zgjedhjeve lokale ka qenë shumë e ulët, duke theksuar se vetëm 8% e të ftuarve në këto debate kanë qenë gra.

“Ne gjatë procesit të monitorimit në debatet televizive dhe në kronikat zgjedhore jemi fokusuar në hapësirat që u jepen grave kandidate për kryetare dhe asamble, pasi që është shumë e rëndësishme. Fakti që shumë pak janë marrë parasysh kandidatet për asamble, qoftë në përfshirje mediale apo kronika, tregon për një pabarazi të thellë gjinore”, ka theksuar Kastrati.

Ajo shtoi se monitorimi i realizuar nga organizata ka përfshirë të gjitha televizionet kombëtare në gjuhën shqipe, duke rezultuar me shifra që tregojnë mungesën e përfaqësimit të grave në media gjatë fushatës zgjedhore.

“Gjatë kronikave zgjedhore që i kemi monitoruar në të gjitha televizionet kombëtare në gjuhën shqipe, vetëm 10% e hapësirës televizive u është dhënë kandidateve gra për kryetare. Ndërsa në debatet televizive, që janë mbajtur gjatë një periudhe njëmujore, vetëm 8% e pjesëmarrjes kanë qenë gra. Kjo tregon një pabarazi të madhe gjinore në fushatat zgjedhore dhe në përfaqësimin e grave në politikë”, ka deklaruar Kastrati.