Gati gjysma e gjermanëve të anketuar e duan socialdemokratin Olaf Scholz në postin e kancelarit. Rivali i tij konservator ka humbur përkrahjen për shkak të deklaratave kundërthënëse, kandidatja e të Gjelbërve duke u ngutur të shkruajë shpejt një libër është zënë duke kopjuar
Në fillim besohej se kancelari i ardhshëm i Gjermanisë do të jetë Armin Laschet nga CDU-ja konservatore, pra partia e kancelares Angela Merkel. Ajo qeveris që nga viti 2005 dhe pas zgjedhjeve në fund të shtatorit do të tërhiqet nga politika. Laschet e ka humbur dukshëm përkrahjen me qëndrimet e tij jokonsistente. Thuaj sot këtë e nesër të kundërtën. Këtë s’ta shpërblen votuesi.
Në fillim besohej se kancelare mund të jetë Annalena Baerbock nga Partia e Gjelbër. Do të ishte një premierë gjermane. Postin më të lartë në një qeveri gjermane të Gjelbrit e kanë pasur kur Joschka Fischer ishte nënkancelar dhe ministër i Jashtëm (1998-2005) në qeverinë e kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder. Në muajt e fundit Baerbock humbi dukshëm përkrahjen. Duke u ngutur për t’u dukur tepër e mençur, ajo shkroi një libër, një lloj doracaku se si e sheh ajo Gjermaninë në të ardhmen. U zbulua se Baerbock ka kopjuar në disa vende për ta bërë gati librin. Opinioni e pa një kandidate plagjiatore. Shanset që Baerbock të bëhet kancelare duken minimale.
Në këtë situatë befas një kandidati po i rriten gjasat për të qenë kancelar. Ai quhet Olaf Scholz, është ministër i Financave dhe socialdemokrat. 49 për qind e gjermanëve, sipas një ankete, duan që Scholz të jetë kancelar. 17 për qind e duan Armin Laschetin. 16 për qind Annalena Baerbock. Për dallim nga kandidatët e tjerë Scholz duket serioz, lart mbi grindjet e përditshme, deklaratat e tij janë profesionale, që para disa muajsh ai ka thënë se nuk do të flasë asnjë fjalë të keqe mbi kundërkandidatët.
Ndërsa Laschet në të kaluarën ka pasur deklarata pothuaj qesharake mbi Vladimir Putinin dhe Bashar al-Asadin, socialdemokrati Scholz në një intervistë për “FAZ am Sonntag” tha: “Çdo qeveri në Gjermani duhet të përkrahë qartë partneritetin transatlantik, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian të fuqishëm dhe sovran”. Ky mesazh u drejtohej sidomos të majtëve radikalë në Gjermani, të cilët janë verbërisht kritikë ndaj Amerikës, saqë janë të gatshëm të përqafojnë edhe Vladimir Putinin. Mesazhi i drejtohet edhe ish-kancelarit Gerhard Schröder, i cili si i angazhuar në “Gazprom” prej vitesh është punëtor i Vladimir Putinit.
Jo vetëm Scholz por edhe partia e tij SPD qëndron mirë në anketa – për herë të parë pas shumë vjetëve. SPD në të vërtetë ishte shpallur parti që një ditë do të zhduket. Por përballë kandidatëve të dobët për kancelar, befas Scholz ka dalë në plan të parë. Popullariteti në rritje i Scholz ka bërë që gazetari i njohur i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Patrick Bahners, të citojë nga një libër i juristit Christoph Möllers, i cili mendon se ai që kujton se politika është diçka argëtuese dhe e përzemërt nuk ia di rëndësinë politikës. “Nëse e merrni seriozisht një gjë që u besohet, atëherë duhet të braktisni çdo lehtësi, përveçse në qoftë që më herët e keni parë humnerën”. Armin Laschet nga CDU e ka këtë problem: nuk po arrin të bindë elektoratin se disponon me seriozitetin e duhur për të qenë në krye të Gjermanisë. Atij i mungon qasja merkeliste. Angela Merkel nuk është shquar për vizione të mëdha, por për udhëheqje të kujdesshme, pa fjalë të mëdha. Në këtë pikë ajo ka diçka të përbashkët me kancelarin socialdemokrat Helmut Schmidt, i cili ka thënë: “Kush ka vizione le të shkojë te mjeku”. Domethënë: në politikë fjalët e mëdha mund të jetë të dëmshme, madje vdekjeprurëse për karrierë. Me gjithë polarizimin e thellë të shoqërisë gjermane, sidomos pas vitit 2015, kur Gjermania pranoi një milion refugjatë, duket se pjesa qenësore e shoqërisë gjermane (“mainstreami”) preferon politikanë të tipit të Merkelit.
Ndërsa Laschet gjatë vërshimeve të fundit u kap nga një fotograf duke qeshur, ndërsa para tij po fliste presidenti Frank-Walter Steinmeier, socialdemokrati Scholz demonstroi seriozitet në paraqitje dhe me deklarata. Scholz që në janar kishte thënë se ecja drejt zyrës së kancelarit është një maratonë. Në gusht, sipas tij, do të ndodhë kthesa. Qytetarët pasi të kthehen nga pushimet verore do të mendojnë se kush duhet të jetë kancelar. Duket se me analizën e tij Scholz ka pasur të drejtë. Nëse vazhdon ky trend, ai ka gjasa reale të jetë kancelar. Ndoshta në koalicion me të Gjelbrit dhe me partinë liberale. Në Gjermani ky koalicion quhet “koalicioni i semaforit”: të kuqtë (socialdemokratët), të Gjelbrit dhe liberalët, ngjyrë dalluese e të cilëve është e verdha.