OpEd

A po e pret BE-ja Trumpin për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë

Nëse angazhohet presidenti amerikan Trump në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se ai angazhim do të ishte në mbështetjen e dialogut të Brukselit që udhëheq BE-ja. Trump mund të kërkojë vetëm zgjidhje të shpejta, shumë të shpejta, për të cilat do të merrte lëvdata se “vetëm ai ka mundur ta bëjë këtë”. Por për Kosovën dhe për Serbinë ndonjë zgjidhje e imponuar nga SHBA-ja, e cila do ta përjashtonte BE-në nga loja, nuk do të ishte e dobishme. Sepse e ardhmja e të dyja vendeve, sidomos e Kosovës, shihet në BE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u kritikua, e madje edhe u përqesh, për lëvdatat që ia bëri presidentit amerikan Donald Trump, në prag të samitit të NATO-s në Hagë dhe gjatë këtij samiti. Së pari, ishte Trump, ai i cili bëri publike një mesazh që me gjasë dukej sikur të ishte privat, të cilin ia kishte dërguar Rutte. Aty shefi i NATO-s, ish-kryeministri i Holandës, vendi i cili njihet për modesti, duke iu drejtuar edhe si “i dashur Donald”, shprehej se “vetëm ai” ka mundur të shtyjë një sukses aq të madh, deri atëherë të pa paramendueshëm të NATO-s. E suksesi ishte vendimi i NATO-s për planin e investimeve në mbrojtje, sipas të cilit, secili vend do të shpenzojë së paku 5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor në mbrojtje dhe këtë duhet ta arrijë deri në vitin 2035. Ndërsa në vitin 2029 do të bëhet një analizë se ku kanë arritur në përmbushjen e këtij qëllimi vendet anëtare.

Ndaj kritikave për përdorimin e një fjalori vardisës, të pakëndshëm dhe jodinjitoz për një shef të NATO-s, Mark Rutte u mbrojt, duke thënë se ai thjesht e ka thënë një të vërtetë.

Dhe, sado që të çuditshme të duken deklaratat publike të Trumpit, e vërtetë është se vetëm ai ka arritur të shtyjë një vendim të tillë në nivel të NATO-s. Ai nuk është presidenti i parë amerikan që tërheq vërejtjen për disbalancin mes vendeve të NATO-s në investimet në mbrojtje. Këtë gjithmonë e kanë kërkuar të gjithë presidentët amerikan, që nga Clinton, George W. Bush, Obama e deri te Biden. Edhe sot nga investimet e përgjithshme të NATO-s në mbrojtje 2/3 janë amerikane, ndërsa 1/3 e të gjitha 31 vendeve të tjera anëtare së bashku. Por Trump është i vetmi që arriti këtë. Kësaj i ndihmoi dhe frika më e madhe nga Rusia. E Trump pranoi që Rusia në deklaratën e NATO-s të përmendet si kërcënimi më i madh i Aleancës, por jo edhe të përmendet si agresore në Ukrainë.

Detyrimi i vendeve të NATO-s që të rrisin në 5 për qind, pra më shumë se dyfishi që është tash, investimin në mbrojtje, nuk ishte e vetmja gjë për të cilën Trump tha se “vetëm ai mund ta bëjë këtë” ose të tjerët thanë se “Vetëm Trump ka mundur ta bëjë këtë”. Ekskluzivitetin e presidentit amerikan për të bërë gjëra të mëdha, për disa edhe “të paimagjinueshme” ia përmendën edhe për sulmet ndaj Iranit dhe armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit, pastaj për armëpushimin mes Indisë dhe Pakistanit, pastaj për një Marrëveshje mes Ruandës dhe Kongos. E në këtë valë të gjërave të mëdha që bën presidenti Trump, ai përmendi edhe si e ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ishte shumë i qartë dhe rrallë është deri në fund, në një moment tha se i bindi të dyja palët që të arrinin paqen, pastaj e la në gjysmë fjalën se “Serbia donte të nisej…”.

Pasi nuk kemi parë ndonjë angazhim konkret të presidentit amerikan në raportet Kosovë-Serbi rishtazi, madje kemi parë një pasivizim të madh amerikan, përpos që mbetet besnike ndaj misionit të KFOR-it, mund të supozojmë se Trump flet për atë që quhet “Marrëveshje e Washingtonit”. Ajo marrëveshje, në formën e zotimeve të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë ndaj SHBA-së, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sa për rikujtim, ajo marrëveshje përfshin një varg temash, shumë prej të cilave nuk kanë të bëjnë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë.                 

Për shembull, kërkohet që Kosova dhe Serbia të shpallin Hezbollahun organizatë terroriste, të hapin ambasadat në Jerusalem, të sigurojnë kthimin e pasurisë hebrenjve dhe të angazhohen në dekriminalizimin e homoseksualitetit në 69 vende të botës.

Marrëveshja e shtatorit të vitit 2004 flet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, për lidhjet me autostradë mes Nishit dhe Prishtinës, për lidhje hekurudhore, deri në dalje në një port detar.

Ndonëse ajo marrëveshje nuk u kishte dhënë fund tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, ajo në parim nuk kishte asgjë të keqe. Sidomos pasi dështuan idetë që ajo të përfshinte edhe “shkëmbimin e territorit”. Prandaj administrata e Bidenit kur erdhi në pushtet po ashtu kërkoi që ajo marrëveshje të zbatohej. Trump në disa raste ka thënë se “Biden ka prishur gjërat” dhe se ai “do t’i fiksojë ato prishje”. Por administrata e Bidenit nuk ka bërë asgjë përveç se ka mbështetur pa kushte BE-në në rolin e saj si lehtësuese në dialog, e BE-ja e ka shfrytëzuar administratën amerikane vetëm për presion ndaj Kosovës, që çoi deri te sanksionet amerikane ndaj Kosovës. Sanksioneve ndër të parët asokohe iu bashkua edhe Shqipëria e të gjitha këto i mirëpriti BE-ja, e cila akoma i mban sanksionet ndaj Kosovës.

E vetmja gjë e dukshme nga Marrëveshja e Washingtonit është njohja e Kosovës nga Izraeli dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Pra Kosova këtu ndoqi qëndrimin amerikan duke hasur në kritika të mëdha nga BE-ja. Madje BE-ja më ashpër kritikonte Kosovën pse në raport me Izraelin ndjek qëndrimin amerikan sesa që kritikon Serbinë për raporte të mira me Rusinë.

Tash Trumpit mund t’i bjerë ndër mend, apo t’ia thotë dikush nga bashkëpunëtorët, që të shfrytëzojë dështimin e BE-së dhe të angazhohet në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk do të ishte befasi sikur Trump në stilin e tij të vijë dhe të thotë për shembull “BE provoi 15 vjet, dështoi tragjikisht dhe vetëm unë mund ta zgjidhja këtë”. E pastaj edhe liderët e BE-së t’i përulen dhe t’i thonë “Vetëm ti ke mundur ta bësh këtë”. Dhe nëse vazhdon BE-ja sikur deri me tash, asnjë skenar i tillë nuk do të ishte shumë befasues.

Nëse angazhohet presidenti amerikan Trump në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se ai angazhim do të ishte në mbështetjen e dialogut të Brukselit që udhëheq BE-ja. Trump mund të kërkojë vetëm zgjidhje të shpejta, shumë të shpejta, për të cilat do të merrte lëvdata se “vetëm ai ka mundur ta bëjë këtë”. Por për Kosovën dhe për Serbinë ndonjë zgjidhje e imponuar nga SHBA-ja, e cila do ta përjashtonte BE-në nga loja, nuk do të ishte e dobishme. Sepse e ardhmja e të dyja vendeve, sidomos e Kosovës, shihet në BE. Sado e rëndësishme të jetë Amerika, tregtia me të për Kosovën dhe Serbinë është shumë simbolike krahasuar me atë me BE-në. Por angazhimi amerikan, që mund të shkojë duke përjashtuar BE-në nga loja, vetëm do të ishte një goditje më e madhe për BE-në dhe të rrisë jorelevancën e saj edhe në një çështje shumë evropiane si raportet e Kosovës me Serbinë, në kohën kur BE-ja është bërë vetëm vëzhguese e zhvillimeve në botë, krizave dhe problemeve dhe vetëm mbetet duke pritur që të dërgojë ndihma humanitare, të shpresojë se konfliktet nuk do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë dhe të sjellin ndonjë valë të re refugjatesh në Evropë. Vetë zyrtarët e BE-së kanë thënë se nëse nuk mund të zgjidhin probleme në Ballkan, në një oborr të saj, BE-ja nuk mund të synojë të jetë faktor i rëndësishëm në nivelin global. 

Prandaj do të ishte mirë që BE-ja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të zgjohet nga gjumi, sikur që NATO u zgjua nga gjumi sa i përket nevojës për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.