Ylli 35-vjeçar ka pasur sukses si muzikante dhe si aktore, por Teyana Taylor pranon se në periudha të ndryshme të jetës është përqendruar në pasione të ndryshme.
“Sinqerisht, gjithmonë kam qenë një karakter. Teksa u rrita, fëmijët luanin, ndërsa unë shikoja filma – disa prej tyre ndoshta nuk duhej t’i shikoja në atë moshë. Gjithmonë më ka tërhequr mënyra se si një aktor shpreh emocionet. Gjithmonë kam dashur të jem si Julia Roberts ose Kate Winslet. Kur u përfshiva në muzikë, gjithçka tjetër mbeti në plan të dytë. Nuk pata mundësi të ndjek kurse dhe ta studioja aktrimin ashtu siç do të kisha dashur. Kur fillova të ndihesha e kufizuar në botën e muzikës, mendova se duhej t’i përkushtohesha edhe gjërave të tjera që i dua”, ka thënë ajo.
Teyana ka sjellë përvojat e saj jetësore në rolin në filmin komedi të errët “One Battle After Another”, i cili u vlerësua nga kritika dhe ku luajnë edhe Leonardo DiCaprio, Sean Penn, Benicio del Toro dhe Regina Hall.
“Ishte një pasion i jashtëzakonshëm. Koha është gjithçka: gjithmonë them se pritja nuk është ndëshkim, por përgatitje për atë që tashmë është shkruar për ty. Po të kishte shkuar gjithçka sipas dëshirës sime, nuk do të isha e njëjta Perfidia në ‘One Battle After Another’. Më duhej të përjetoja disa gjëra për të ditur si t’i kanalizoja këto emocione”, ka shtuar ajo.
Teyana kishte pranuar më herët se ishte si një “sfungjer” pranë kolegëve të saj të famshëm. Ajo ka luajtur përkrah emrave si DiCaprio dhe Regina Hall në këtë film dhe ka thënë se me vetëdije ka tentuar të mësojë nga ta.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, ajo ka thënë: “Imagjinoni t’i keni këto legjenda si mësues. A mendoni se do të flija në klasë? Jo. Unë hap fletoren, marr lapsin dhe shkruaj. Jam këtu për të përthithur gjithçka. Edhe kur jap mësim, jam nxënëse. Dhe jam nxënëse e shkëlqyeshme”.
Edhe regjisori Paul Thomas Anderson e ka vlerësuar përvojën e punës me Teyanan, duke e përshkruar atë si një talent “të veçantë”.