OpEd

Arkitektonika e arkitekturës së sigurisë perëndimore

Enver Hasani

Strategjia perëndimore duhet të reflektojë realitetin: përgatitje afatgjate për konflikte sfilitëse me Rusinë dhe frenim ekonomik e ushtarak të rritjes kineze për të parandaluar ndikimin e saj në tregun global të teknologjisë së lartë dhe rrugët tregtare në Indo-Pacifik. Insistimi për ndalim të menjëhershëm të luftës në Ukrainë reflekton dobësinë perëndimore si aktor global. Përballja afatgjate me Rusinë dhe frenimi i ekspansionit kinez duhet të jenë prioriteti strategjik

Enver Hasani

Mandati i parë: hamendësimet për natyrën e Trumpit

Ardhja e presidentit Trump (2017-2020) ndryshoi dukshëm paradigmën e sigurisë, duke kërkuar nga evropianët të kontribuonin më shumë për NATO-n. Për të, siguria kishte një tjetër natyrë: ajo mund të ndahej në siguri amerikane dhe siguri evropiane, jo siç kishte qenë deri atëherë si siguri euro-atlantike. Në këtë periudhë, Trump nuk ndikoi direkt marrëdhëniet me Rusinë, Kinën apo aleatët. Krejt çfarë bëri ka të bëj me tronditjen e udhëheqjes euro-atlantike mbi shpenzimet dhe prioritetet e sigurisë. Ky mandat u karakterizua nga hamendësime mbi fenomenin e tij, më shumë sesa analiza e rrethanave që e sollën në pushtet. Një faktor kyç ishte lodhja e Perëndimit pas Pranverës Arabe dhe paaftësia për të menaxhuar këto revolucione në favor të vet. Obama dhe aleatë të tjerë besuan se mbështetja e një rendi liberal dhe vlerave universale do të transformonte automatikisht botën arabe në pro-perëndimore dhe anti-ruse. Kjo qasje shpesh çoi në reagime pavend të Perëndimit dhe ngjalli pasiguri mbi qëndrueshmërinë e politikës amerikane. Trump donte korrigjim rrënjësor të këtij orientimi strategjik amerikan.

Mandati i dytë i Trumpit

Edhe mandati i dytë i Trumpit tregoi stilin e tij të paparashikueshëm në politikën e jashtme, ku tarifat dhe kërcënimet shërbyen si mjete presioni ndaj aleatëve dhe rivalëve. Ndryshe nga liderë të kaluar si Nixon apo Hrushçov, tek Trump kërcënimet shpesh nuk shoqëroheshin nga fuqia reale për përdorim force, veçanërisht në raport me Putinin. Kjo krijoi një klimë publikisht pajtuese, por jo realisht bindëse, duke detyruar aleatët evropianë të ruajnë rezervat ndaj politikës amerikane në Ukrainë dhe duke nxjerrë në pah kufizimet e paparashikueshmërisë si strategji ndërkombëtare.

Jashtë Ukrainës, Trump ka shënuar suksese të prekshme. Ai ndërmjetësoi për ndalimin e konflikteve të armatosura midis armiqve shekullorë, si Armenia-Azerbajxhani dhe India-Pakistani, si dhe ndërhyri për stabilizimin e Kamboxhias dhe Tajlandës. Veçanërisht i dukshëm ishte ndikimi i tij në Siri dhe Iran. Me Iranin, përmes goditjes së sofistikuar dhe të fortë ushtarake, Trump ka kufizuar seriozisht aftësitë bërthamore të vendit, ndërsa Sirinë e ka futur në binarët e një shteti që lufton ISIS-in dhe islamizmin radikal. Në Siri, kjo u arrit, për hir të së vërtetës, përmes aleatit të ngushtë dhe mikut personal, presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Një faktor kyç në këtë kontekst ka qenë dhe mbetet Izraeli, i cili, me mbështetjen amerikane, ka shkatërruar çdo armatim potencial që mund të kërcënonte rajonin. Si pasojë, Siria u detyrua të pranojë ekzistencën e Izraelit dhe të zhvillojë marrëdhënie koekzistence me të për të siguruar mbijetesën.

Pa asnjë dyshim, rreziku bërthamor iranian ka hyrë në një fazë më të parashikueshme, falë politikës së jashtme Trump, dhe atë për dy arsye. Së pari, sfidat e brendshme shoqërore dhe politike kanë dobësuar regjimin e Ajetollahëve, duke i hapur disidencës hapësirë për veprim. Së dyti, ndryshimi i raportit të forcave globale vendosi Iranin në disavantazh: Rusia dhe Kina nuk patën asnjë mundësi për ta mbështetur në mënyrë të qëndrueshme në përballje ushtarake me Izraelin dhe SHBA-në. Lindja e Mesme, përfundimisht u pastrua nga ndikimi ruso-kinez në të ardhmen.  Trump shfrytëzoi këtë situatë duke kërkuar përafrimin e Rusisë me SHBA-në në Lindjen e Mesme. Rusia, e përqendruar për momentin në Ukrainë dhe “near abroad”, i ka lënë hapësirë SHBA-së për të vepruar pa pengesa, jo se dëshironte një rezultat të tillë në atë pjesë të botës, por nga kufizimet e saj strategjike. Kina, nga ana tjetër, ka ruajtur neutralitetin, duke ndërtuar strategji afatgjata kundër Perëndimit dhe SHBA-së globalisht. Kjo dinamikë e re gjeopolitike lehtëson veprimet amerikane në rajon, duke e bërë sjelljen e Iranit më të kontrollueshme. Kjo përbën një sukses të rëndësishëm për Perëndimin dhe për të gjithë botën.

Rusia si shtojcë e strategjisë afatgjate kineze

Agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka kthyer atë në një instrument të Kinës në raport me Evropën dhe SHBA-në, ndërsa Pekini ruan pozicion neutral, duke fituar dy avantazhe: i tregon SHBA-së se Azia Lindore dhe Juglindore janë sfera ndikimi të Kinës dhe vetë  pozicionohet, në  një  mënyrë  paradoksale, si mbrojtës i rendit ndërkombëtar të krijuar nga Perëndimi pas 1945.

Në Evropë, rreziku rus nuk qëndron në fuqinë e saj ushtarake, por në faktin se çdo avancim i Moskës e kthen atë gjithnjë e më shumë në vasale të strategjisë kineze për dominim global. Vetëm në këtë kuptim Rusia paraqet një kërcënim ekzistencial: si shtojcë e Kinës dhe jo si fuqi autonome. Pikërisht këtu qëndron dështimi i Trump-it, i cili po e sheh Moskën si partner të mundshëm kundër Pekinit, ndërkohë që realiteti tregon të kundërtën. Takimi në Alaska e konfirmoi këtë gabim, duke treguar më shumë rehabilitimin e një fuqie të rrënuar sesa një strategji koherente për frenimin e Kinës. Në fakt, siç e përkufizoi Kennan që në vitin 1947 me konceptin e “containment”, frena e vërtetë nënkupton parandalimin e depërtimit të një perandorie në zonat e një tjetre - gjë që Trump, me mirëkuptimin e tij ndaj interesave strategjike ruse, nuk po arrin ta zbatojë. Si mund të flitet për frenim të fuqisë kineze dhe aleatit të saj rus, kur në fjalimin e tij në Alaskë, Putini falënderoi Trumpin për mirëkuptimin që ka treguar dhe vazhdon të tregojë ndaj interesave të sigurisë – pra interesave strategjike ruse?!

Nga sa më  sipër, qartë  shihet se politika e jashtme Trump në Alaskë bazohet në një premisë e gabuar, sipas së cilës Putin mund të ndahet nga ndikimi kinez dhe të veprojë si aleat i SHBA në frenimin e Kinës. Kjo ide, e mbështetur nga konservatorë pranë Trumpit si ata të “Project 2025” të Heritage Foundation, bazohet në analogjinë me politikat e Henri Kisinxher-it në fund të viteve ’80. Por kjo është e gabuar: atëherë Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin tashmë të ndarë; nuk kishte asgjë për të “shkëputur”. Aktualisht, Rusia është e dobët, por kjo dobësi nuk mund të interpretohet si avantazh për Perëndimin, pasi Rusia ka lidhje strategjike me Kinën. Për SHBA, çdo përpjekje për ta ndarë Rusinë nga Kina është barrë e rënd dhe rrezikon humbjen e aleatëve evropianë, që janë të pasur, me ndikim global dhe të domosdoshëm për teknologjinë e avancuar. Në  secilin rast, “marrëveshja” në  Alaskë ka gjasë të prodhojë më shumë  përçarje se sa unitet perëndimor, asnjë herë “shkëputje” të Rusisë  nga partneriteti strategjik me Kinën.

Riorientimi kinez dhe ndikimi rus

Operacioni “Salt Typhoon” ka dëshmuar përmasat e penetrimit kinez në rrjetet e sigurisë amerikane, brenda dhe jashtë vendit. Siç sqaron An Nojberger në Foreign Affairs më 13 gusht 2025, kjo tregon frikën e diplomatëve amerikanë se SHBA po humb konkurrencën kibernetike me Kinën. Humbja nuk është thjesht çështje softuerike, por zhvendosje e fuqisë politike nga Atlantiku në Paqësorin Perëndimor dhe më tej në masën tokësore euro-aziatike.

Historikisht, primati global ka ardhur nga avantazhi tekniko-teknologjik. Perandoritë ngrihen dhe bien në varësi të avancimeve në teknologji ushtarake dhe industriale. Evropa e Mesjetës, për shembull, humbi përparësinë ndaj mongolëve, por u rikuperua me shpikjen e armëve të zjarrit dhe ushtrive të rregullta. E njëjta logjikë vlen sot: dominimi global varet nga avancimet teknologjike dhe kibernetike. Ravijëzimi i epërsisë kineze në teknologjinë e lartë, treguar nga suksesi i “Salt Typhoon”, lidhet ngushtë me kontrollin e mineraleve të rralla, burimi kryesor për avancimin kibernetik dhe teknologjik. Kina po konsolidon kështu një dominim afatgjatë që kërcënon epërsinë historike të Perëndimit, duke e bërë konkurrencën teknologjike një fushë kyçe për sigurinë dhe pushtetin global.

Një tjetër tregues i avancimit kinez në teknologjinë e lartë është kalimi nga prodhimi masiv drejt inovacionit dhe teknologjisë së avancuar, i udhëhequr nga modeli “Made in China 2025” dhe “Dual Circulation Strategy” (2020) që synojnë rritjen e inovacionit dhe uljen e varësisë ndaj tregut të jashtëm, duke balancuar fuqinë ekonomike të brendshme me atë globale. Këto orientime strategjike kineze janë nxitur nga angazhimi euro-atlantik me Ukrainën dhe Rusinë, si dhe si një  reagim ndaj politikave tarifore të administratës Trump. Samiti në Alaska konfirmoi se fituesi kryesor është Kina, e cila, si dorë e padukshme, formëson politikën ruse. Rusia ka më shumë interesa strategjike dhe ekonomike me Kinën sesa me Amerikën, duke marrë treg për prodhimet e papërpunuara dhe duke shmangur nevojën për koncesione ndaj Perëndimit.

Ky konfiguracion global i strategjive paraqet një sfidë serioze për Perëndimin, për shkak se Evropa dhe Amerika kanë prioritet dhe qasje të ndryshme për balancimin e Kinës. Për SHBA, ky është balancim ushtarak dhe i sigurisë, ndërsa për Evropën, frenimi i avancimit tekniko-teknologjik dhe konkurrenca ekonomike janë më të rëndësishme. Kjo dilemë dhe paqartësi perëndimore ndaj Kinës nuk ndryshon asgjë në sjelljet ruse: Rusia mbetet e dobët ushtarakisht dhe nuk mund të depërtojë thellë në Evropë; ajo mund vetëm të krijojë tension në periferinë e saj, duke vepruar në harmoni me interesat kineze. Këto divergjenca midis Amerikës dhe Evropës mbi mënyrën dhe qëllimin e balancimit krijojnë terren për përçarje të mëtejshme. Takimi në Alaska, në vend që të ndalojë luftën në Ukrainë, duket se vetëm thellon hendekun mes dy anëve të Atlantikut, veçanërisht mbi çështjen thelbësore të sigurisë perëndimore dhe mënyrës se si ajo duhet menaxhuar.

Kina, si perandori në ngritje, vazhdon të orientojë kapacitetin e saj ekonomik dhe ushtarak për të sfiduar Amerikën dhe Perëndimin. Frenimi i Kinës duhet të  mbetet prioritet strategjik për Perëndimin, ndërsa çdo përpjekje për ta ndarë Rusinë nga Kina është e kushtueshme dhe e pasuksesshme. Vetë fakti që të hënën presidenti Zelenski shkon në Uashington për të diskutuar se cilat pjesë të territorit të shtetit të tij duhet t’ia dorëzojë Rusisë, tregon shumë për përpjekjet titanike të Perëndimit në një drejtim krejtësisht të gabuar.

Rusia si sfidë periferike, Kina si prioritet global

Shpenzimi i kaq shumë energjisë për Rusinë është jo vetëm humbje kohe, por edhe dështim strategjik, duke luajtur në terrenin e Kinës. Ndarja e Rusisë nga Kina është një detyrë sizifi dhe e pamundur. Rusia nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të kërcënojë seriozisht as Ukrainën, as vendet e tjera sovrane në fqinjësi. Projektimi i forcës ruse është i dobët dhe nuk pritet të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Roli i Rusisë nuk është pushtimi i shteteve përreth, por krijimi i konflikteve lokale dhe zgjerimi i zonave të saj të sigurisë përmes sfilitjes, një politikë që i shërben interesave kineze. Për këtë arsye Kina ka mbështetur dhe mbështet modernizimin e ushtrisë ruse.

Strategjia perëndimore duhet të reflektojë realitetin: përgatitje afatgjate për konflikte sfilitëse me Rusinë dhe frenim ekonomik e ushtarak të rritjes kineze, për të parandaluar ndikimin e saj në tregun global të teknologjisë së lartë dhe rrugët tregtare në Indo-Pacifik. Insistimi për ndalim të menjëhershëm të luftës në Ukrainë reflekton dobësinë perëndimore si aktor global. Përballja afatgjate me Rusinë dhe frenimi i ekspansionit kinez duhet të jenë prioriteti strategjik. Shpenzimet e mëdha për frenimin rus janë disproporcionale krahasuar me fuqinë reale të saj dhe tejkalojnë ndjeshëm investimet për frenimin e Kinës - një absurditet që strategjia perëndimore duhet ta korrigjojë.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)