OpEd

Balada e zhurmshme shqiptare për Goran Bregoviqin

Mund të kesh mendim kundër apo për lidhur mbi pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në një “festë birre” në një qytet shqiptar. Deri këtu jemi në rregull. Fundja, liria e mendimit është e drejtë e garantuar kushtetuese si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

Por ka diçka të kalbur në këtë debat. Zelli i disa analistëve oborrtarë apo injorantë të Tiranës për ta mbrojtur paraqitjen e Bregoviqit me çdo kusht shkon deri aty, saqë çdo kritik të koncertit të Bregoviqit e etiketojnë dhe njollosin si “nacionalist” dhe “patriot të rrejshëm” dhe shqiptarët e Kosovës, në mënyrë krejt paushalle, i mallkojnë si pengesë për “raporte miqësore” me Serbinë. Sipas këtyre (k)analistëve “arti bashkon popujt”. Rasti i Bregoviqit në mënyrë ekzemplare tregon se “arti” nuk bashkon popujt.

Bregoviq mund të mos ketë ndonjë deklaratë eksplicite antishqiptare. Por ai nuk ka as ndonjë deklaratë që dënon represionin serb në Kosovë në vitet 90-të apo shtypjen e jetës kulturore në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe Aleksandar Vuçiqit. Mënyra si argumentojnë dhe si e mbrojnë Bregoviqin analistët oborrtarë tiranas, të cilët me gjasë nuk kanë qenë kurrë në Prishtinë, e lërë me në Mejë me afër 400 varre civilësh shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, është cinike, absurde dhe qesharake.

Bregoviqi do të mund të bënte tani një gjest: të dënonte masakrat serbe në Kosovë, të apelonte për pajtim dhe të deklaronte se për të Kosova është e pavarur. Natyrisht një gjest i tillë nuk i sjell shumë shqiptarëve të Kosovës, por së paku është një kontrapunkt ndaj politikës zyrtare serbe që çdo ditë thekson se nuk e pranon Kosovën dhe çdo të dytën ditë i fyen shqiptarët e Kosovës me terme raciste.

Artistët e vërtetë kundërshtojnë politikat zyrtare, sidomos kur janë anakronike. A do ta bëjë këtë Bregoviq nëse vjen në Korçë? Vështirë të merret me mend. Dhe nuk besoj t’ia ketë kërkuar ndokush nga organizatorët, të cilët duan të fitojnë ca lekë. Për ta Kosova dhe viktimat shqiptare duken diçka krejt e largët në krahasim me afërsinë me Bregoviqin, që projektohet të jetë fitimprurës.

Ky debat, kjo zhurmë ndërshqiptare nuk do të merrte kaq shumë flakë sikur të mos shiteshin si patriotë edhe disa “zëra publikë” në Kosovë që karrierat e tyre i kanë ndërtuar duke bashkëpunuar me politikanë të dyshimtë serbë, me oligarkë të të gjitha ngjyrave dhe me krerë të korrupsionit ballkanik. Për këtë shpurë patriotizmi i rrejshëm është foleja e fundit. Ata me lehtësi e quajnë Bregoviqin fashist (nuk është i tillë), Edi Ramën e shpallin tradhtar (por heshtin faktin se Bregoviqi me bendin e tij dha koncert në Tiranë më 2006, kur në pushtet ishte Sali Berisha) dhe me komoditet të madh i shpallin gati krejt shqiptarët e Shqipërisë si antikombëtarë (një akuzë absurde).

Por disa kritika nga Kosova kanë bazë të fuqishme argumentuese dhe opinioni në Tiranë nuk duhet të sillet si ai majmuni që mbyll veshët, sytë dhe gojën. Ftesa që i bëhet Bregoviqit është problematike, sepse vjen në një kohë kur racizmi antishqiptar i politikanëve serbë dhe i një pjese të madhe të shoqërisë serbe ka marrë hov. Me gjasë një shtresë e caktuar e shoqërisë shqiptare në Shqipëri që shitet si mondialiste, i konsideron kosovarët të pagdhendur, sepse, ja, ende po i përmendin masakrat serbe. Për këta njerëz një porosi: ju mund t’i dini përmendësh këngët e këngëtarëve serbë (siç i dinë edhe jo pak kosovarë), por a keni dëgjuar ndonjëherë për fatin trishtues të Valmir Deliut? Në cilën shkollë nga Kukësi në Sarandë është përmendur emri i tij në një orë mësimi? Cili medium shqiptar (nga Tirana), cila gazetë, cili televizion ka përgatitur një shkrim, kronikë apo reportazh për Valmir Deliun?

Për aq kohë sa Serbia nuk i dënon kriminelët e luftës, nuk ballafaqohet me të kaluarën, për aq kohë sa i konsideron shqiptarët e Kosovës si njerëz të rendit të dytë, i etiketon ata me terme raciste, i arsyeton dhe madhëron si heroizma serbe masakrat masive të viteve 1998/99, asgjë normale nuk do të jetë në raportet shqiptaro-serbe. Ata që e kërkojnë normalitetin duke injoruar realitetin, vuajnë nga inferioriteti mendor, kulturor dhe historik.

Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për inferioritet. Nuk kanë ndezur 4 luftëra brenda një dekade (këtë e ka bërë Serbia në vitet 90-të), nuk kanë kryer gjenocid (këtë e kanë bërë serbët e Bosnjës të përkrahur nga Beogradi), nuk kanë mbushur lumenjtë, liqenet e varret masive me kufoma civilësh (siç kanë bërë zyrtarët serbë me shqiptarët e Kosovës, duke i hedhur në liqene dhe në varrin masiv në Batajnicë afër Beogradit, ku edhe 20 vjet pas luftës nuk ka asnjë pllakë përkujtimore, sepse këtë nuk e lejon Serbia e Vuçiqit). Shqipërisë zyrtare dhe ndonjë shqiptari inferior kjo mund t’i duket diçka e denjë për ta harruar, ndërsa për çdo shqiptar të Kosovës me vetëdije politike dhe historike ky kapitull është i paharrueshëm.

Ngjashëm me inferiorët e Shqipërisë argumentojnë edhe disa pseudoliberalë tezgash në Kosovë, që karrierat e tyre modeste i kanë ndërtuar duke vjelë ndonjë qindarkë nga fondet ndërkombëtare që janë zemërgjera për të financuar ata që luftojnë gjoja “nacionalizmin shqiptar” dhe “politikanët rigjidë”. Nga ky këndvështrim absurd, nacionalizëm është edhe përmendja e krimeve serbe në Kosovë. Mikpritja që i bëhet Bregoviqit nuk dëshmon kurrfarë tolerance shqiptare, në fakt është inferioritet dhe injorancë.

Këtë nuk e kanë kuptuar (apo s’duan ta kuptojnë) as çunat dhe çupëlinat kosovare të tezgave ndërkombëtare, sepse kuptimi do të rrezikonte modelin e tyre të biznesit publik. Pastaj do të humbnin edhe përkrahjen e atyre mediave, akademikëve dhe “ekspertëve” ndërkombëtarë, që prej vitesh kanë përqafuar narrativin serb se për luftërat në Jugosllavi “fajtorë janë të gjithë”. Qëllimi i kësaj propagande është që Serbia si agresore të renditet në mesin e viktimave, bashkë me të tjerët. Për ta normalizuar këtë diskurs shërbejnë edhe koncerte si ky i Bregoviqit. Mesazhi është ky: “pajtimi” është i mundshëm, por “disa nacionalistë po bëjnë zhurmë”. Kështu etiketohen viktimat dhe lartësohen përgjegjësit për krime të luftës dhe ata që nuk i dënojnë krimet e luftës.