Si po përpiqen feministet radikale dhe aktivistët e komunitetit LGBTQ t'i zhdukin nga fjalori fjalët «grua» dhe «nënë»: në njoftimet zyrtare në botën angolosaksone flitet për «trupa me vagina» dhe jo për gra, flitet për «individë shtatzënë» dhe jo për nëna, flitet për «njerëz me mensturacione» dhe jo për gra, flitet për «njerëz me qafë të mitrës» dhe jo për gra. Kështu beteja legjitime për barazi mes gjinive po hyn në terrenin e teatrit absurd.
Se gratë dhe burrat duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, kjo në kohët e sotme do të duhej të ishte e vetëkuptueshme. Bota e vjetër ku burrat merrnin vendime për çdo gjë po perëndon dhe ky është lajm i mirë. Në komunikimet publike institucionet, mediat dhe akterët e tjerë duhet të marrin parasysh patjetër edhe gratë, sepse s'ka më vetëm lexues, por edhe lexuese, s'ka më vetëm zyrtarë, por edhe zyrtare, s'ka më vetëm politikanë, por edhe politikane. Këtë duhet ta kenë parasysh sidomos gazetarët kur shkruajnë apo flasin. Kur gratë kërkojnë barazi gjinore, kjo është krejtësisht legjitime.
Por në disa raste kërkesa për barazi gjinore po merr përmasa absurde. Nga frika se do të sulmohen nga grupet radikale feministe apo të komunitetit LGBT, institucionet dhe mediat sidomos në botën anglosaksone po përdorin akrobacione gjuhësore që e bëjnë qesharake betejën për barazi gjinore.
Katër shembuj:
- Ministria e Shëndetësisë e Skocisë këto ditë është duke bërë apel për kontroll mjekësor të qafës së mitrës. Në njoftimin për media autoritetet skoceze nuk e përmendin fjalën grua - ndonëse dihet se mitra është organ i femrës. Autoritetet u drejtohen «krejt njerëzve me qafë të mitrës» («anyone with a cervix»). Kur një deputete laburiste tërhoqi vërejtjen se vetëm gratë kanë mitër, andaj apeli për kontroll mjekësor duhet t'u drejtohet eksplicit grave, menjëherë reagoi komuniteti LGBTQ, duke e akuzuar deputeten se qenka «anti-trans». Sepse, sipas policisë mendore të LGBTQ, ekzistuakan burra transgjinorë dhe jobinarë, të cilët nuk ndihen si gra, por kanë mitër.
- Kur demokratët amerikanë muajin e kalur prezantuan një projektligj në lidhje me abortin, fjala grua nuk përmendaj askund. Flitej vetëm për «persona që i japin fund shtatzënisë apo duan ta vazhdojnë shtatzëninë». Alexandria Ocasio-Cortez, ylli i demokratëve të ashtuquajtur progresivë, flet për «njerëz me mensturacione» për të evituar fjalën grua. Edhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së flet për inidvidë që mbesin shtatzënë, jo për gra.
- Autoriteti amerikan i shëndetësisë në apelin për vaksinim kundër Covid-19 thekson se marrja e vaksinës është e sigurt për të gjithë «njerëzit shtatzënë». Edhe këtu gratë apo nënat nuk përmenden.
- Në fund të shtatorit revista e famshme shkencore «The Lancet» doli me këtë titull: «Anatomia dhe fiziologjia e trupave me vaginë është injoruar një kohë të gjatë». Domethënë, s'ka më gra, ka trupa me vaginë. E si do të quhen trupat pa vaginë? Trupa me dy arra?
Javë më parë edhe në botën virtuale shqiptare pati një debat të zjarrtë pasi aktiviste të komunitetit LGBTQ kërkuan që fjala «nënë» të zëvendësohet me «prindi që lind», ndërsa në aplikimet për pasaporta fjala «nënë» dhe «baba» të zëvendësohet me «prindi 1» dhe «prindi 2». Si në vendet perëndimore edhe në botën shqiptare pas kërkesave ekstreme pasojnë kërcënimet e ekstreme, gjë që helmon dhe polarizon edhe më shumë shoqërinë. Kësisoj beteja për barazi gjinore që zhvillohet nga aktivistë të ndryshëm rrëshqet në ekstremizëm gjuhësor - dhe nuk i shërben fare kauzës legjitime për barazi.