Kujtimet e Millovan Gjillasit, një film propagandistik mbi masakrën e Reçakut, avionët luftarakë francezë për Serbinë dhe vizitat e Emmanuel Macronit në rajon, shkrimtarët më të lexuar kroatë në Serbi: duke hallakatur shtypin serb të 17 prillit.
1.
“Danas” mbetet gazeta më e mirë e Serbisë tjetër, asaj proeuropiane. Nuk boton tekste urrejtëse ndaj kombeve të tjera, në mënyrë konsekuente kritikon pushtetin e autokratit Aleksandar Vuçiq dhe - të shtunave - “Danas” boton një shtojcë të respektueshme të kulturës. Për shembull më 17 prill. Përpjekja e parë për ta blerë këtë gazetë në një pikë karburanti në Serbi dështoi. Pika e karburantit ishte pronë e Gazpromit rus dhe s’shiste gazeta, as serbe, as ruse. Ngjitur me filialin e kompanisë ruse të karburanteve gjendet një restorant i McDonaldsit, simbolit amerikan për ushqim të shpejtë. Ky duhet të jetë rasti i vetëm në botë ku Gazpromi rus dhe McDonaldsi amerikan janë si të thuash në një oborr. Globalizmi sipas mënyrës serbe! (Për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, rrjeti amerikan i restoranteve e ka pushuar aktivitetin në Rusi).
Përpjekja e dytë për të blerë “Danasin” dhe disa gazeta të tjera në gjuhën serbe qe e suksesshme në Prokuple, një qytet provincial në provincën e përgjumur serbe.
2.
Duke shfletuar gazetën “Danas” më tërhoqi vëmendjen një recension mbi ditarin e Millovan Gjillasit mes viteve 1989-1995, të botuar së fundi në Beograd. Në mesin e komunistëve jugosllavë Gjillasi është më i dallueshmi për shkak të mendjemprehtësisë së tij, talentit për të shkruar dhe analizuar politikën dhe rrethanat ndërkombëtare. Ai ishte dora e djathtë e Josip Broz Titos deri nga mesi i viteve 50-të, kur Gjillas kritikoi klasën e re të komunistëve dhe u ndëshkua nga Titoja me largim nga jeta politike dhe publike. Mbajti edhe burg, por jo aq gjatë. Tito ishte autokrat represiv, por ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë i trajtonte me kujdes edhe kur acarohej me ta. (Aleksandar Rankoviqin e ka rrëzuar nga pushteti më 1966, por nuk e ka futur në burg. Xhelati antishqiptar serb kaloi disa vite të këndshme në një vilë në Dubrovnik. Politikanët liberalë serbë si Marko Nikeziqi dhe Llatinka Peroviqi, të cilët Tito, fatkeqësisht, i shporri nga pushteti në fillim të viteve 1970-të, nuk u ndëshkuan brutalisht me burg siç ka qenë rasti me disidentë në vende të tjera të Europës Lindore. Në krahasim me disidentë të tjerë edhe Millovan Gjillasi shpëtoi pa pasoja fatale).
Gjillasi, kështu mësojmë nga recensioni i botuar në “Danas”, mbante kontakt me personalitete të rëndësishme amerikane, për shembull me Zbignjev Brezhinskin (Zbigniew Brzeziński), i cili Gjillasit ia dërgonte librat e tij. Brezhinski ka qenë njëri ndër gjeostrategët më me ndikim në establishmentin e Washingtonit në vitet 70-të dhe 80-të. Një personalitet tjetër me të cilin Gjillas mbante kontakt ishte gazetari i famshëm Sajrus Sulcberger (Cyrus Sulzburger), një anëtar i familjes që ishte pronare e “The New York Times” dhe në vitet 40-të dhe 50-të njëri nga korrespondentët kryesorë të politikës së jashtme.
Në kujtimet e tij Gjillas thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë themelimin e një “perandorie të re” në Ballkan, pra Serbinë e Madhe, ndërsa Shqipëria për SHBA-të është strategjikisht e rëndësishme sepse është portë dalëse nga Adriatiku në Mesdhe. “Në politikë”, shkruan Gjillas në kujtimet e tij, “nuk ka as mëshirë, as barazi – ka marrëveshje në të cilat përherë dominon dikush dhe ka zemërgjerësi nga kalkulimi”. Gjillas i propozonte udhëheqjes serbe që “nëse do të kishte aq mençuri sa ka azgani, më saktë dëshirë për të lozur me nacionalizëm, do të duhej që në mënyrë të organizuar të tërhiqej nga lufta dhe aventurat megalomane”. Në atë kohë, pra në fillim të viteve 90-të, Gjillas parashikonte me saktësi se në botë ka nisur një “revolucion liberal”.
3.
Të enjten, më 21 prill, televizioni publik serb do të shfaq një “film dokumentar” mbi masakrën e Reçakut ndaj civilëve shqiptarë. Në të vërtetë, qëllimi i dokumentarit është “të dëshmojë” se nuk bëhet fjalë për masakër, por për një “aksion brilant antiterrorist”, siç trumbeton autorja e dokumentarit Sllagjana Zariq. Gazeta serbe “Blic” e ka intervistuar Zariqin, e cila që në fillim e pranon se serinë e filmave dokumentarë me titullin “Dosja e Kosovës” është duke e përgatitur në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Zariq po ashtu e pranon se në kuadër të “hulumtimeve” të saj nuk ka qenë në Reçak. Por, tregon ajo, “kolegu shqiptar e ka incizuar Reçakun me dron dhe kamerë, andaj shikuesit e (televizionit serb) RTS do të kenë rast të shohin se si duket sot Reçaku, ku ka qenë lugina ku janë gjetur të vrarët, shtëpitë ku ka qenë shtabi i UÇK-së, si duket qendra përkujtimore dhe përmendorja e madhe e William Walkerit”. Pra, kemi të bëjmë me “hulumtim” me dron dhe me ndihmën e “një kolegu shqiptar”, emrin e të cilit Zariq nuk e tregon.
Reçaku ka qenë kthesë për ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Këtë e ka thënë edhe Joschka Fischer, atëbotë ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Mjekët forenzikë nga Finlanda të prirë nga Helena Ranta nuk kanë lënë dyshim se në Reçak milicia serbe ka vrare civilë. Për gati 25 vjet, një çerekshekull, Kosova nuk ka arritur të prodhojë një dokumentar serioz për krimin serb në Reçak. Në vitin 2022 i ka ardhur radha propagandës serbe.
4.
Gazeta “Danas” shkruan se Serbia do të blejë 12 avionë luftarakë “Rafale” të prodhimit francez. Ky hap interpretohet nga Vuk Vuksanoviqi, hulumtues i Qendrës beogradase për politikë të sigurisë, si tentim i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për t’u distancuar nga Rusia. Koha do të tregojë nëse kjo është e vërtetë. Ndërsa e vërtetë e pamohueshme është se pas sinjaleve serbe për të blerë avionë luftarakë francezë, presidenti Emmanuel Macron ka shpeshtuar takimet dhe thirrjet telefonike me Vuçiqin. Kroacia tashmë ka blerë avionë luftarakë francezë dhe Macron, natyrisht, e ka vizituar edhe Zagrebin. Zvicrën nuk e ka vizituar Macron, madje marrëdhëniet mes dy vendeve, Francës dhe konfederatës helvetike, muajve të fundit janë ftohur dukshëm. Arsyeja? Zvicra ka vendosur të blejë avionë luftarakë amerikanë (F-35) dhe jo avionë luftarakë francezë “Rafale”.
Ndoshta Shqipëria dhe Kosova duhet të blejnë avionë luftarakë francezë në mënyrë që Macroni të zhbllokojë fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe të mundësojë, më në fund, liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Në kuadër të distancimit të supozuar të Serbisë nga Rusia, gazeta “Nova” shkruan se Vuçiq mund të themelojë qeverinë e re me pakicat nëse Ivica Daçiqi, shefi i socialistëve, nuk distancohet nga Rusia. Sulmet e Vuçiqit tashmë kanë filluar: në një intervistë ai tha se “ndërsa unë duhej të drejtoja shtetin, ata (socialistët) silleshin sikur janë në pushime”.
5.
Në fund edhe një detaj: gazeta “Nova” trajton një temë letrare. Dhe pyet: pse në Serbi lexohen shumë shkrimtarë kroatë, ndërsa në Kroaci autorët serbë nuk janë aq të popullarizuar? Në Serbi lexohen autorët kroatë Milenko Jergoviq, Boris Dezhulloviq, Damir Karakash, Ante Tomiq, Dubravka Ugreshiq, Igor Mandiq. Disa nga këta emra janë vërtet autorë të talentuar, të tjerët jo aq, por atyre u duket e ngushtë Kroacia dhe e madhe nostalgjia për Jugosllavinë që nuk ekziston më dhe për themelimin e së cilës kanë investuar shumë edhe disa intelektualë e politikanë kroatë që në vitin 1918 në Korfuz. Për ata që nuk e dinë: themelet e Jugosllavisë së parë, mbretërore, janë hedhur në Greqi, në Korfuz, përballë Sarandës. Si bëri vaki kjo? Kështu: terroristët serbë vranë në Sarajevë (më 1914) trashëgimtarin e fronit austorhungarez, Franz Ferdinandin, pastaj Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë dhe ushtria e mposhtur serbe iku, bashkë me mbretin, përmes Shqipërisë në Korfuz (1914/15). Atje shkoi (më 1918) një delegacion kroat për t’u solidarizuar me serbët dhe për të themeluar Jugosllavinë.
Pse nuk lexohen aq autorët serbë në Kroaci? Vlladimir Arsenijeviqi, shkrimtar i talentuar nga Beogradi, mendon se pas pavarësimit të Kroacisë, për elitat politike e kulturore kroate ishte me rëndësi emancipimi nga marrëdhënia me Jugosllavinë.
Ballkani është bukur i ndërlikuar. Njëra nga shtëpitë më të mira botuese kroate (“Fraktura”) drejtohet nga një njeri me emrin Seid Serdareviq. Nuk tingëllon emër aq kroat. Është boshnjak (ose me origjinë boshnjake, varësisht nga këndvështrimi). Ai tani ka botuar një roman të një autoreje serbe dhe është kureshtar të mësojë se si do të pritet nga publiku kroat.
PS. Të ndalesh për të blerë gazetat në një qoshk në Prokuple mund të jetë vendim dobiprurës.