Pas një jave, nga 3 shtatori, Kosova ka të drejtë të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Moratoriumi i Marrëveshjes së Washingtonit skadon. Por një strategji e qeverisë për ta futur Kosovën në organizata ndërkombëtare apo për të siguruar njohje nuk po shihet askund. Serbia, ndërkaq, prej javësh ka filluar përgatitjet për kundërgoditje. Këtë e tregojnë vizitat e ministrit të Jashtëm serb nëpër disa vende afrikane dhe në Egjipt. Beogradi është duke intensifikuar përpjekjet që Egjipti ta tërheq njohjen e Kosovës.
Më 3 shtator 2020 Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Washingtonit, ku, mes tjerash, në pikën 15 thuhet: “Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium një vjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësimin Organizatat Ndërkombëtare. Serbia do të pranojë një moratorium një vjeçar për ndalje të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të përmbahet të kërkojë ndonjë shtet ose organizatë ndërkombëtare që të mos njohë Kosovën si një shtet të pavarur. Të dy marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.
Moratoriumi do të skadojë më 3 shtator. Kosova ka të drejtë të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Serbisë nuk i ndalohet të lobojë kundër si dhe të vazhdojë fushatën për çnjohjen e Kosovës. Ndërsa nuk po shihet ndonjë aktivitet i qeverisë së Kosovës dhe sidomos Ministrisë së Jashtme në Prishtinë, Serbia është në vlugun e përgatitjeve për kundërgoditje.
Shkencëtari nga Beogradi Vuk Vuksanoviq, i cili është doktorant në London School of Economics and Political Science, shkruan në Twitter se së fundi ministri i Jashtëm serb Nikolla Selakoviq ka vizituar Libanin, Zimbabvenë, Zambian, Kenian, Angolën, Namibinë dhe Egjiptin. Shumicës së këtyre vendeve Serbia u ka dhuruar vaksina kundër Covid19. Vitin tjetër, sipas Vuksanoviq, Serbia do të organizojë konferencën e shteteve të painkuadruara, në kujtim të themelimit të kësaj lëvizjeje në vitin 1961 në Beograd.
Qëllimi parësor i këtij aktiviteti të palës serbe është Kosova, nënvizon Vuksanoviq. Me përjashtim të Egjiptit, shtetet e tjera që i ka vizituar ministri i Jashtëm Selakoviq nuk e kanë pranuar Kosovën. Së fundi Universiteti i Beogradit e ka dekoruar presidentin e Egjiptit Abd al-Fatah al-Sisi. Kosova është pranuar nga qeveria e mëparshme e Egjiptit, e cila drejtohej nga Vëllazëria Myslimane. Ajo ishte e afërt me presidentin turk Rexhep Taip Erdoan. Qeveria e re nën al-Sisin nuk e ka tërhequr njohjen, së paku nuk ka një njoftim zyrtar për këtë, por Kajro zyrtare nuk ka bërë ndonjë hap për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën apo intensifikuar marrëdhëniet. Asnjë zyrtar i lartë i Kosovës nuk ka arritur ta vizitojë Kajron.
Ministri serb Selakoviq takoi presidentin al-Sisi, i cili foli me tone lavdëruese mbi marrëdhëniet historikisht të mira mes Egjiptit dhe Serbisë. Sipas Vuksanoviqit Serbia po përpiqet ta bind Egjiptin të tërheq njohjen e Kosovës. Çka ofron Serbia për Egjiptin dhe shtete të tjera? Sipas Vuskanoviqit Beogradi ofron armë. Viteve të fundit industria serbe e armëve ka ekspanduar dhe ka shitur armë në shumë vende të botës.
Ndërsa 3 shtatori po afrohet, në publik nuk shihet ndonjë aktivitet apo strategji e qeverisë së Kosovës për të rifilluar fushatën për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për të siguruar njohje nga shtete të tjera. Përveç relaksimit të raporteve me Greqinë, nga e cila pritet njohja, Kosova nuk ka arritur ndonjë sukses në arenën ndërkombëtare. Kjo gjendje është krijuar edhe për shkak të trashëgimisë së qeverive të kaluara, të cilat me negociatat e pafundme me Serbinë kanë krijuar përshtypjen te shumë shtete se Kosovën nuk mund ta njohin për aq kohë sa palët nuk arrijnë një marrëveshje.
Kryeministri Albin Kurti duhet të mendojë seriozisht rifreskimin e aktiviteteve diplomatike, duhet të kërkojë më shumë angazhim nga ekipi i tij dhe sidomos nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përndryshe ekziston rreziku që pas 3 shtatorit në arenën ndërkombëtare të shihet vetëm Serbia, ndërsa Kosovën mbetet me gishta në gojë.