Deklaratat e presidentes mbi çështje që i prekin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues kërkojnë një gjuhë të maturuar institucionalisht, e cila do t’i respektojë kompetencat kushtetuese, ta ruajë balancën ndërmjet sigurisë dhe lirive civile, dhe të bazohet në parimet e ndarjes së pushteteve. Retorika e papeshuar, sidomos kur përfshin akuza të paqarta ose të pabazuara ndaj aktorëve mediatikë apo të shoqërisë civile, përbën rrezik për stabilitetin demokratik, për integritetin institucional dhe për besueshmërinë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës
Bejtush Gashi
Deklaratat publike të liderëve të shtetit nuk janë thjesht mesazhe politike; ato përbëjnë gjithashtu sinjale të fuqishme institucionale që e ndikojnë perceptimin e publikut, orientimin e institucioneve, si dhe arkitekturën e marrëdhënieve ndërinstitucionale në një rend demokratik.
Në këtë dritë, deklarata e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dhënë më 11 shtator të 2025-tës, në të cilën ajo pohon se “janë hetuar Radoiçiqat, janë hetuar planet për grusht shteti”, ngre një sërë çështjesh themelore për analizë akademike, juridiko-kushtetuese dhe të sigurisë kombëtare.
Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti i Republikës e përfaqëson unitetin e popullit dhe e garanton funksionimin kushtetues të institucioneve, duke e ushtruar një rol simbolik dhe unifikues. Kompetencat e presidentit nuk i përfshijnë hetimet penale, as publikimin e informacioneve operative dhe as ndërhyrjen në proceset e sigurisë së brendshme – funksione këto që u takojnë ekskluzivisht institucioneve të specializuara, si Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI). Prandaj, çdo ndërhyrje publike në çështje të natyrës hetimore, pa një mandat të qartë ligjor, përbën shkelje të ndarjes së pushteteve, cenim të integritetit të hetimeve dhe rrezik potencial për të drejtat procedurale të individëve.
Nga perspektiva e sigurisë kombëtare dhe e analizës shkencore të fenomeneve destabilizuese, kjo deklaratë është jashtëzakonisht e ndjeshme për disa arsye kritike:
- Rreziku për lirinë dhe sigurinë e gazetarëve. Aludimi, qoftë edhe i tërthortë, për përfshirjen e gazetarëve apo të mediave në plane për grusht shteti, pa prova të verifikueshme dhe pa procedura transparente, krijon klimë të stigmatizimit publik, të presionit shoqëror dhe të kërcënimit të sigurisë së gazetarëve. Një diskurs i këtillë e minon lirinë e medias, e cila është themel i demokracisë funksionale dhe mekanizëm kontrollues ndaj pushtetit (Habermas, 1989; Dahl, 1989).
- Rreziku për stabilitetin institucional. Lidhja e pretendimeve për grusht shteti me media apo me individë civilë mund ta përshkallëzojë polarizimin politik, të gjenerojë mosbesim publik ndaj institucioneve shtetërore dhe ta dëmtojë kohezionin institucional.
- Rreziku ligjor dhe kushtetues. Deklaratat që përqendrojnë vëmendjen te individë të caktuar pa bazë juridike dhe jashtë mandatit kushtetues të Presidencës bien ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, të drejtën për një proces të drejtë ligjor dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Grushti i shtetit përkufizohet si një akt i organizuar, i strukturuar dhe jokushtetues, i ndërmarrë nga një grup individësh brenda ose jashtë institucioneve shtetërore, me qëllim përmbysjen e qeverisë legjitime dhe uzurpimin e pushtetit pa përdorimin e mekanizmave demokratikë. Edward Luttwak (1979) e përshkruan grushtin e shtetit si: “Infiltrimi i një pjese të vogël por vendimtare të aparatit shtetëror, i cili më pas përdoret për të përmbysur qeverinë dhe për të marrë kontrollin e pjesës tjetër të shtetit”.
Raste të dokumentuara pas Luftës së Dytë Botërore, si Greqia (1967), Portugalia (1974) dhe tentativa në Spanjë (1981), dëshmojnë për pasojat e rënda politike, ekonomike dhe shoqërore të grushtit të shtetit. Aktorët e përfshirë zakonisht përfshijnë:
- Udhëheqës politikë ose zyrtarë të lartë, me akses në vendimmarrje dhe me legjitimitet institucional;
- Forcat e armatosura dhe njësitë e sigurisë, që mund të marrin kontrollin e infrastrukturës strategjike;
- Grupime politike dhe ekonomike të jashtme, që ofrojnë mbështetje financiare dhe logjistike;
- Media e kapur dhe opinionbërës të varur, që ndihmojnë në legjitimimin e narratives;
- Aktorë të jashtëm (fuqi të huaja), që ndonjëherë veprojnë në mënyrë të fshehtë në mbështetje të ndryshimeve të paligjshme të pushtetit.
Deklarata e presidentes, në mungesë të një qasjeje të koordinuar institucionale, rrezikon të krijojë:
- Tensione ndërinstitucionale dhe mosbesim mes Presidencës dhe institucioneve të drejtësisë;
- Presion politik mbi organet e pavarura, si prokuroria dhe gjykatat;
- Diskreditim të agjencive të sigurisë, të cilat mund të perceptohen si të politizuara;
- Klimë të frikës dhe vetëcensurës në media, duke e cenuar pluralizmin mediatik.
Sipas standardeve ndërkombëtare për shtetin e së drejtës, siç rekomandohen nga Komisioni i Venecias (CDL-AD(2010)004), pavarësia funksionale dhe autonomia institucionale janë parime jo-negociuese të qeverisjes demokratike dhe të mbrojtjes nga ndërhyrjet politike arbitrare.
Rekomandime strategjike për qeverisje të përgjegjshme dhe komunikim të krizave
Bazuar në parimet e demokracisë kushtetuese, të menaxhimit të krizave dhe të shtetit të së drejtës, situata të ngjashme kërkojnë:
- Koordinim ndërinstitucional të komunikimit zyrtar, përmes deklaratave të përbashkëta nga Presidenca, Prokuroria dhe Policia;
- Respektim strikt të kufijve kushtetues, duke shmangur tejkalimin e kompetencave dhe përzierjen në procese hetimore;
- Transparencë të kontrolluar dhe të bazuar në fakte, për të shmangur panikun publik dhe spekulimet;
- Mbrojtje aktive të lirisë së medias, si tregues kyç i funksionimit demokratik.
Deklaratat e presidentes mbi çështje që i prekin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues kërkojnë një gjuhë të maturuar institucionalisht, e cila do t’i respektojë kompetencat kushtetuese, ta ruajë balancën ndërmjet sigurisë dhe lirive civile, dhe të bazohet në parimet e ndarjes së pushteteve. Retorika e papeshuar, sidomos kur përfshin akuza të paqarta ose të pabazuara ndaj aktorëve mediatikë apo të shoqërisë civile, përbën rrezik për stabilitetin demokratik, për integritetin institucional dhe për besueshmërinë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
(Autori është profesor universitar dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme)