Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, legjitime dhe përfaqësuese, të afta për të garantuar stabilitet të brendshëm dhe përfaqësim të denjë ndërkombëtar. Çdo ditë e kaluar në këtë gjendje bllokade është një hap më afër delegjitimimit të Republikës si projekt politik dhe kushtetues. Demokracia në Kosovë nuk po dështon për mungesë votash, por për mungesë përgjegjësie. Nëse nuk veprohet me urgjencë, pasojat do të jenë të thella, afatgjata dhe potencialisht të pakthyeshme – për sigurinë, përfaqësimin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës
Bejtush Gashi
Kosova po përballet me një nga periudhat më kritike që nga përfundimi i luftës. Kriza e thellë institucionale, e shfaqur përmes dështimit të përsëritur për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, përbën një kërcënim serioz ndaj funksionimit demokratik të shtetit, stabilitetit të brendshëm dhe pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në një kontekst të mbushur me tensione gjeopolitike dhe me përshkallëzim të krizave globale, mungesa e institucioneve funksionale e lë vendin të pafuqishëm përballë sfidave të brendshme dhe ndërkombëtare.
Zgjedhjet nuk kanë prodhuar një shumicë të qartë parlamentare dhe vendi vijon të mbetet pa institucione të konstituuara. Deri më tani janë regjistruar 34 përpjekje të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit dhe 26 votime të dështuara për formimin e Komisionit për votim të fshehtë. Si rezultat, Kosova funksionon pa një Kuvend aktiv dhe pa një qeveri me mandat të ri, ndërsa ekzekutivi aktual vepron në status të përkohshëm, pa legjitimitet të plotë kushtetues. Ky boshllëk institucional i paprecedent minon themelet e rendit demokratik dhe autoritetin e shtetit.
Bllokada institucionale nuk është më thjesht një çështje teknike apo procedurale – ajo është bërë shenjë e një krize të thellë sistemike të demokracisë përfaqësuese. Mungesa e vullnetit për dialog, arroganca politike dhe kalkulimet e ngushta partiake kanë zëvendësuar kulturën e kompromisit, të respektit institucional dhe të bashkëpunimit ndërpartiak.
Kjo krizë e brendshme ndodh në një mjedis ndërkombëtar jashtëzakonisht të ndjeshëm. Lufta në Ukrainë ka rikonfiguruar arkitekturën e sigurisë evropiane, duke e rikthyer logjikën e përplasjes mes fuqive të mëdha. Në Lindjen e Mesme përshkallëzimi i konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, si dhe tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit e shtojnë rrezikun për një përshkallëzim rajonal. Në Ballkanin Perëndimor rikthimi i ndikimit rus, tensionet ndëretnike dhe pengesat në procesin e integrimit evropian e bëjnë rajonin veçanërisht të cenueshëm. Në këtë kontekst të ndërlikuar Kosova – për shkak të mosfunksionimit institucional – perceptohet si hallka më e brishtë e rajonit.
Në këto rrethana shteti nuk ka kapacitete të plota për të marrë vendime strategjike, për të përfaqësuar interesat e veta në arenën ndërkombëtare apo për të ndërvepruar në mënyrë aktive në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet kontrollit parlamentar dhe nuk gëzon një bazë të gjerë politike, ndërkohë që Kuvendi i paralizuar nuk është në gjendje të miratojë ligje, t’i avancojë reformat apo të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare. Dialogu me Serbinë ka hyrë në një vakum institucional, ndërsa qytetarët po e humbasin gjithnjë e më shumë besimin në funksionimin e demokracisë përfaqësuese dhe në legjitimitetin e sistemit kushtetues. Asnjë nga subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e fundit nuk ka arritur ta sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e institucioneve. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, por pa numrin e nevojshëm të mandateve për të qeverisur e vetme. Ndërkohë subjektet e tjera – përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë – mund të formojnë një shumicë të re, nëse arrijnë marrëveshje politike dhe programore. Mungesa e konsensusit për krijimin e një koalicioni ka prodhuar një krizë të thellë përfaqësimi. Kuvendi mbetet i bllokuar, pa aftësi për të zgjedhur Kryesinë, për të formuar komisione apo për të ushtruar funksionin e tij ligjvënës.
Si pasojë janë ndalur proceset reformuese në drejtësi, në ekonomi, në siguri dhe në arsim, ndërsa marrëveshjet ndërkombëtare mbeten të pamiratuara. Vendimmarrja po zhvendoset nga mekanizmat demokratikë drejt veprimeve ad hoc, pa debat publik dhe pa kontroll institucional.
Qeverisja pa kontroll parlamentar po shndërrohet në një formë të dobët dhe potencialisht të papërgjegjshme të ushtrimit të pushtetit. Kuvendi – si themel i legjitimitetit në një sistem demokratik – perceptohet sot si simbol i dështimit institucional dhe politik. Kjo gjendje po i largon qytetarët nga proceset demokratike dhe po e rrit zhgënjimin publik. Retorika përjashtuese nga liderët politikë e përkeqëson më tej situatën. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur një gjuhë polarizuese ndaj deputetëve të opozitës, duke i quajtur “nomadë politikë”, në vend që të punojë për ndërtimin e një klime bashkëpunuese. As partitë opozitare nuk kanë paraqitur një alternativë të qartë apo një platformë të përbashkët për dalje nga bllokada. Për rrjedhojë, përgjegjësia për vazhdimin e kësaj krize u takon të gjitha forcave politike.
Pasojat janë të ndjeshme edhe në planin ndërkombëtar. Në një kohë kur partnerët perëndimorë janë të përqendruar në rezultate konkrete dhe në zgjidhje pragmatike, mungesa e legjitimitetit të brendshëm e dobëson pozicionin negociues të Kosovës. Një shtet pa institucione funksionale e të konsoliduara nuk trajtohet si partner i barabartë, por si një entitet i brishtë, ndaj të cilit shpesh zbatohen zgjidhje të gatshme, të hartuara pa konsultim me përfaqësues legjitimë. Në këtë kontekst deklarata e fundit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për një “angazhim personal” në zgjidhjen e kontestit Kosovë–Serbi, e pasqyron rrezikun që Kosova të reduktohet nga subjekti aktiv në objekt presioni ndërkombëtar. Pa një Kuvend funksional dhe pa një përfaqësim politik të unifikuar, Kosova nuk mund të marrë pjesë në këto procese si palë e barabartë dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbrojtur interesin shtetëror në mënyrë të argumentuar dhe të qëndrueshme.
Përvoja e viteve të fundit ka treguar se mungesa e stabilitetit institucional krijon hapësirë për qasje të njëanshme në politikën ndërkombëtare. Kjo është reflektuar qartë në disa nisma diplomatike për Ballkanin Perëndimor, të cilat janë bazuar më shumë në interesa gjeopolitike sesa në nevojat reale të qytetarëve të Kosovës. Nëse kjo gjendje vazhdon, rrezikohet jo vetëm pozita ndërkombëtare e shtetit, por edhe legjitimiteti i çdo marrëveshjeje të ardhshme. Në një mjedis ku funksionaliteti institucional është kusht për pjesëmarrje në tryezat vendimmarrëse, Kosova nuk mund të përballojë të mbetet jashtë.
Zgjidhja nuk mund të vijë nga improvizime apo masa sipërfaqësore. Nevojitet një marrëveshje e re politike që rikthen në qendër përfaqësimin pluralist, dialogun ndërpartiak, respektin ndaj opozitës dhe përfshirjen aktive të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në jetën demokratike të vendit.
Rreziku më i madh është që kjo krizë të normalizohet. Shoqëria civile, mediat, bota akademike dhe qytetarët nuk mund të qëndrojnë pasivë përballë këtij degradimi institucional. Heshtja është formë bashkëpërgjegjësie. Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, legjitime dhe përfaqësuese, të afta për të garantuar stabilitet të brendshëm dhe përfaqësim të denjë ndërkombëtar. Çdo ditë e kaluar në këtë gjendje bllokade është një hap më afër delegjitimimit të Republikës si projekt politik dhe kushtetues. Demokracia në Kosovë nuk po dështon për mungesë votash, por për mungesë përgjegjësie. Nëse nuk veprohet me urgjencë, pasojat do të jenë të thella, afatgjata dhe potencialisht të pakthyeshme – për sigurinë, përfaqësimin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.