OpEd

Dy Beblerët – një histori zvicerane nga Sllovenia në Kosovë

Nga kantoni i Glarusit në qeverinë e Titos: karriera e një diplomati me origjinë zvicerane – dhe disa detaje mbi Kosovën, të drejtat e së cilës i mbronte Anton Bebler, i biri i diplomatit Alesh Bebler, i cili ishte zëvendësministër i punëve të Jashtme të Jugosllavisë

Më 12 gusht 1981, gazeta “New York Times” njoftonte se në Lubjanë kishte ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare Alesh Bebleri, ish-diplomat jugosllav. Bebler u anëtarësua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë më 1929, kur ajo ishte ende ilegale. I doktoruar në drejtësi në Paris, Bebler jetoi mes viteve 1931-1939 në ekzil në Bashkimin Sovjetik dhe në Francë. U kthye në Jugosllavi pasi luftoi si vullnetar në anën e republikanëve në Luftën Civile të Spanjës, ku morën pjesë edhe rreth 40 shqiptarë, mes tyre Xhemal Kada, Asim Vokshi, Emrush Myftari, Justina Shkupi, Mehmet Shehu, Skender Luarasi, Petro Marko, Shaban Basha.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Alesh Bebler iu bashkua lëvizjes antifashiste të prirë nga Josip Broz Tito.

Në qeverinë komuniste jugosllave Bebler, sipas “New York Times”, ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe në këtë cilësi përfaqësoi Jugosllavinë në disa konferenca ndërkombëtare. Ishte delegat i Beogradit në Kombet e Bashkuara nga viti 1949 deri më 1952 dhe ambasador në Francë dhe Indonezi. Më 1963 u emërua gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë. Në vitet e mëvonshme, shkruante “New York Times”, Bebler ishte përkrahës i mbrojtjes së mjedisit dhe u shfaq shpesh në televizion për të promovuar pikëpamjet e tij.

Në punimin e tij të doktoratës “Afritë përzgjedhëse të dy rasteve të veçanta në Luftën e Ftohtë. Perspektivat zvicerane ndaj Jugosllavisë socialiste – 1943-1991”, historiani zviceran Thomas Bürgisser shkruan se Alesh Bebler ishte me origjinë zvicerane! Gjyshi i tij ishte Balthasar Bäbler (1855-1930), i cili nga lokaliteti Matt i Glarusit shkoi në vendet e sllavëve të jugut. Përmes Triestes, Bäbler u shpërngul në Slloveninë e Habsburgëve në vitin 1870. Bäbler së pari punoi si bujtinar dhe më vonë si zyrtar në gjykatën e Lubjanës, ndërsa rreth vitit 1900 mori detyrën e sekretarit të gjykatës në qytezën Idrija. Bäbler u martua me një zvicerane nga krahina Prättigau e kantonit Graubünden dhe krijoi një familje, pasardhësit e së cilës sot jetojnë në Slloveni (njihen me mbiemrat Baebler ose Bebler). Disa prej tyre kanë ende shtetësinë zvicerane. Njëri nga nipat e Balthasar Bäbler është pikërisht Alesh Bebler, i lindur më 1907. Ai ishte zvicerani me postin më të lartë në nomenklaturën komuniste të Jugosllavisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Alesh Bebler ishte njëri prej organizatorëve kryesorë të luftës antifashiste në Slloveni. Për meritat e tij u shpall Hero i Popullit në Jugosllavi. Gjatë sundimit të Titos, Bebler ishte zyrtari kryesor jugosllav që mbante kontakte me diplomatë zviceranë, sidomos me ambasadorët e Zvicrës të stacionuar në Beograd. Në paraqitjet e tij publike Beblerit i pëlqente të theksonte identitetin dhe prejardhjen e tij zvicerane.

I biri i Alesh Bebler është Anton Bebler, profesor i shkencave politike në Universitetin e Lubjanës dhe njëri prej akademikëve më të njohur të rajonit. Ka ligjëruar në disa universitete në SHBA, Evropë dhe Azi. Në vitin 1992 Bebler u bë pjesë e shërbimit diplomatik të Sllovenisë dhe shërbeu si shef i misionit slloven në selinë e OKB-së në Gjenevë. Që nga viti 1997 ai është president i Këshillit Euroatlantik të Sllovenisë, një organizatë që ka përkrahur me ngulm anëtarësimin e Sllovenisë në NATO. Në paraqitjet e tij në konferenca ndërkombëtare dhe në punimet e tij shkencore Anton Bebler ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ka theksuar se pavarësia e saj ishte rruga e vetme për zgjidhjen e konfliktit.

Në një punim të botuar nga Komiteti i Helsinkit në Serbi, Bebler ka shkruar: “Duke e ‘çliruar’ Kosovën më 1912, elita politike agresive dhe shkurtpamëse serbe ia ngarkoi vetes këtë problem. Lejen për aneksimin e territoreve të okupuara të Sanxhakut të Novi-Pazarit, të pjesës më të madhe të Kosovës së sotme dhe të Maqedonisë, Mbretëria e atëhershme e Serbisë dhe e Malit të Zi e mori në dhjetor 1913 nga ana e fuqive të atëhershme të mëdha evropiane. Domethënë, mëkatin burimor për krijimin e problemit të Kosovës me Serbinë e ndajnë Rusia cariste, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Faji i këtyre shteteve të përmendura është se fuqitë më të vjetra dhe më të mëdha kolonialiste evropiane ua falën dy vasalëve rusë (Serbisë dhe Malit të Zi) territoret e huaja në kundërshtim me vullnetin e popullsisë shumicë (të Kosovës)”.

Në vazhdim të punimit të tij Anton Bebler shkruan se “me gjithë pozitën dukshëm të përmirësuar të shqiptarëve të Kosovës në krahasim me periudhën mes dy luftërave botërore, Jugosllavia federale e pasluftës ende në themelet e saj e kishte të instaluar pabarazinë mes popujve sllavë dhe josllavë”. Bebler kritikon faktin se autoritetet jugosllave iu përgjigjën kërkesave paqësore të shqiptarëve të Kosovës (numerikisht më shumë se sllovenët, maqedonasit dhe malazezët) me gaz lotsjellës, shufra gome dhe tanke të Armatës Popullore të Jugosllavisë.

Kështu janë rrugët e jetës: një intelektual me origjinë nga Glarusi i Zvicrës, babai i të cilit ka qenë partizan jugosllav, mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.