Në librin e tij gjenerali Rahim Ademi akuzon disa oficerë kroatë për dëshmi të rrejshme kundër tij. Ai thotë se kishte politikanë kroatë që i bënë presion të arratisej dhe të mos dorëzohej në Hagë. Nuk pranoi. I vetmi që e përkrahu ishte presidenti Stipe Mesiq. Në fund Ademi doli fitimtar. Ai sot është njeri i lirë – i lirë për të thënë edhe disa të vërteta mbi luftën në Kroaci. Dhe disa fjalë për Kosovën
Me gjithë meritat vendimtare në mbrojtjen e Shibenikut nga forcat e Ratko Mladiqit dhe për rikthimin e kontrollit të shtetit kroat në pjesët e pushtuara nga kryengritësit serbë, gjeneral Rahim Ademi në librin e tij përshkruan vështirësitë me të cilat u përball pas luftës sa i përket vazhdimit të karrierës ushtarake. Ai shkruan se ishte gjenerali Ante Gotovina që e bindi të qëndronte në armatën kroate edhe pas luftës. “Gjatë luftës Gotovina ka qenë maksimalisht korrekt, s’ka çka të thuhet këtu. Sa i përket atij, si profesionist ai kurrë nuk ka bërë dallimin mes kroatit dhe atyre që nuk ishin të tillë. (...) Për këtë e vlerësoj shumë. Në operacionet më të vështira përherë kemi qenë bashkë, kurrë s’ka ekzistuar asnjë problem mes nesh”, shkruan Ademi.
Ishte planifikuar që Ademi të merrte komandën e ushtrisë në Pazin, një qytezë në krahinën e Istrës. Por ai befas u caktua zëvendëskomandant në Knin. Komandant ishte Mirko Norac, pa asnjë ditë përgatitje ushtarake, më vonë i dënuar për krime lufte ndaj civilëve serbë. “Kjo ka qenë periudhë e vështirë në karrierën ushtarake”, shkruan Ademi. Por me largimin e Noracit nga funksioni, situata nuk përmirësohet: tani komandant në Knin emërohet brigadieri Mirko Shundov, “njeriun që e kishin përzënë nga fushëbeteja dhe i cili kishte gradë më të ulët se unë”. Eprorët e tij Ademi i kishte pyetur se si mund të jetë një brigadier komandant i një gjenerali të luftës. Pastaj Ademi ishte dërguar në Inspektoratin Kryesor të Mbrojtjes në Zagreb, ku kishte shërbyer deri në maj të vitit 2001, kur ishte ngritur aktakuza kundër tij nga ana e Tribunalit të Hagës.
Pa specifikuar emra, Ademi thotë se nga pala kroate i ishte bërë presion të mos dorëzohej në Tribunalin e Hagës dhe të arratisej, por s’kishte pranuar: “Gjenerali nuk ikën”. I vetmi që publikisht e mbështeti ishte kryetari i atëhershëm Stipe Mesiq. Ndonëse aktakuza ishte ngritur, Ademi u ftua nga Mesiqi në Pantovçak, në selinë e presidentit. Ademi e kishte lutur Mesiqin që ta pensiononte. Mesiqi ishte përgjigjur: “Nëse të dërgoj në pension, i bie se nuk kam besim në ty. Do të mbaj si person aktiv ushtarak deri në fund të procesit. Nuk do të ishte keq të shkosh në uniformën e gjeneralit”. Dhe ashtu ndodhi: Ademi shkoi në Hagë vullnetarisht, me uniformën e gjeneralit.
Pas shtatë muajsh në paraburgim në Hagë, Tribunali i OKB-së ia dorëzoi drejtësisë kroate lëndën e Ademit. Pas kthimit në Kroaci, Ademi iu nënshtrua procesit gjyqësor, ndonëse, sipas tij, nuk kishte dëshmi, por kjo ndodhi për “t’ia bërë qejfin” Bashkimit Evropian. Ademi përmend me emër mbi 10 oficerë e politikanë kroatë që dëshmuan rrejshëm kundër tij, mes tyre “gënjeshtari më i madh ishte gjenerali Mladen Markaç”. Kishte, natyrisht, edhe oficerë që i dolën në mbrojtje Ademit. Në fund ai u lirua, sidomos falë gjykatësit Marin Mërçela, “atij nuk i interesonte politika, por vetëm e drejta dhe drejtësia”.
Libri i Rahim Ademit nuk ka hasur në pëlqimin e atyre nacionalistëve kroatë, të cilët nuk duan t’i pranojnë meritat për çlirimin e Kroacisë. Pranimi i meritave domethënë zbehje e meritave të rrejshme të disa gjeneralëve e oficerëve kroatë. Libri ka ngjallur edhe debate në opinionin kroat. Në një recension të gjatë shkrimtari i njohur kroat Milenko Jergoviq ka shkruar se Rahim Ademin e bëjnë “ideal rrethanat që thjesht nuk është kroat. Për ne Rahim Ademi është një lloj i Nikolla Tesllës. I yni është kur nuk është i yni, por nuk është i yni kur është i yni”. Tek Ademi kryeprokurori kroat Mladen Bajiq gjeti “kriminelin ideal kroat të luftës”, shkruan Jergoviq. Ademi vetëm në luftë nuk shikohej si shqiptar, në armatën jugosllave shihej si i tillë, pas luftës në Kroaci po ashtu, por edhe gjatë qëndrimit në Hagë dhe gjatë procesit gjyqësor në Kroaci.
Sot Rahim Ademi jeton në Shibenik, bashkë me bashkëshorten Anitën, përkrahësen e tij më të madhe në jetë. Në një bisedë me gazetën “Novi list”, Ademi, pas botimit të librit, ka folur edhe për Kosovën: “E dua edhe Kosovën time, jam i lumtur që u bë vend i lirë dhe për çdo ditë, gjithnjë e më shumë, po tregon potencialet e saj. E kam pasur shumë vështirë që për shkaqe të shumta për 17 vjet nuk kam qenë në Vushtrrinë time. Kur kaluan të gjitha gjykimet, më në fund shkova me avion nga Spliti në Zagreb, pastaj në Prishtinë. Takimi me familjen time në Kosovë ishte tejet i prekshëm, ndonëse sa i rëndë aq edhe i mrekullueshëm. Sot është më mirë, jam ndier tepër mirë kur Mali i Zi dhe Kroacia përmirësuan dukshëm raportet dhe u afruan në çdo aspekt. Kjo ishte garanci që para disa vitesh për herë të parë lirisht të nisem me veturë për në Vushtrri. Me atë rast udhëtuam përmes Shqipërisë, të cilën e pashë për herë të parë në jetë. Bujtëm në Shkodër, pastaj përmes autostradës, paramendojeni atë lidhje, nga Tirana në Prishtinë. Po, jam i lumtur që Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë po përparojnë ekonomikisht dhe në çdo pikëpamje tjetër, dhe po bëhen një ndër komponentët më të rëndësishëm ekonomikë të Ballkanit. Kjo tregon se sa i nxit çlirimi kombëtar ekonominë, kulturën, shkencën, madje çdo fushë tjetër. Sipas doktrinës së armatës jugosllave, unë është dashur të jem tradhtar i popullit tim... sa kanë gabuar ata të mjerë!”
Në hyrje të librit Ademi ka vendosur një përkushtim nga gjenerali kroat Janko Bobetko: “Ndonëse nuk je kroat, në momentet historike qëndrove fuqishëm dhe vendosmërisht në anën e popullit kroat. Nuk guxon të harrohet roli yt historik në mbrojtjen e Shibenikut, ndërsa gjithçka tjetër që bëre si epror i ushtrisë kroate u shërbeu si shembull të gjithë të tjerëve, oficerëve të rangut të lartë dhe më të ulët. (...) Emri yt do të shënohet në historinë e Kroacisë pa asnjë shtesë tjetër, sepse si pjesëtar i nacionalitetit tjetër në çastet vendimtare qëndrove në anën e popullit kroat. Të jesh krenar që detyrën tënde historike e kreve aq besueshëm dhe aq ndershëm”.
Libri i Rahim Ademit është një dëshmi e rëndësishme për luftën e Kroacisë për çlirim dhe një protestë ndaj atyre që tentuan t’ia fshinin emrin dhe zbehnin meritat.