OpEd

Gjuha e diktatorit

Vladimir Putini e ka shndërruar Rusinë në diktaturë. Bazë e kësaj diktature është një përzierje mes bolshevizmit, nostalgjisë sovjetike, metafizikës dhe krishterimit të politizuar

Përherë, por sidomos në kohë të krizave e luftërave dinjitarët fetarë bëjnë thirrje për paqe. Pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, Papa Françesku bëri një gjest të pashembullt: shkoi personalisht në Ambasadën e Rusisë në Romë për të shprehur zemërimin e tij mbi agresionin rus. Nga ana tjetër, patriarku Kiril I. i Kishës Ortodokse Ruse nuk pranoi ta dënojë luftën në Ukrainë. Kjo qasje e neveritshme nuk është edhe aq e befasishme: Me Vladimir Putinin patriarkun Kiril I. e bashkon e kaluara në KGB, në Shërbimin Sekret Sovjetik. Të dy kanë qenë agjentë. Të dy i bashkon urrejtja ndaj Perëndimit. Kiril I. flet kundër degjenerimit perëndimor dhe në shënjestër i ka të drejtat e njeriut.

Në fjalimin e tij me të cilin e shpalli luftën kundër Ukrainës, Putini mallkoi Perëndimin se paskësh dashur t’ia imponojë Rusisë “pseudovlerat e tij”. Se çka kupton Putini me “pseudovlera perëndimore” e saktësoi me një fjalim tjetër: duke nëmur rusët që jetojnë në Perëndim, ai tha se ata mund të jetojnë në Miami apo në rivierën franceze nëse nuk duan të heqin dorë nga pashteta e mëlçisë së patës apo “të ashtuquajturat liritë e gender”, pra barazinë gjuhësore mes gjinive. Këta njerëz, shtoi Putin, mentalisht janë atje, jo te populli ynë, jo në Rusi. Krahas krishterimit të politizuar me të cilin Putini synon ta veçojë Rusinë nga Perëndimi, një shtyllë tjetër e ideologjisë së tij është urrejtja ndaj vlerave perëndimore. Në stilin e Stalinit ai i quajti rusët properëndimorë “kolonë e pestë”, “tradhtarë” dhe “fundërrina”. Prej se ka nisur agresionin ushtarak kundër Ukrainës, regjimi putinist ka ashpërsuar ligjin e censurës. Mediat e pavarura janë ndaluar. Kush e quan luftë agresionin kundër Ukrainës duhet të llogarisë me gjoba dhe dënime drakonike me burgim. Mijëra rusë janë duke u larguar nga Rusia, sidomos nga qendrat e mëdha si Moska dhe Shën Petërburgu, ku shtresat kritike ndaj Putini janë tradicionalisht më të mëdha. Disa fluturojnë për në Stamboll, disa në Jerevan të Armenisë, disa në Tiflis të Gjeorgjisë, e disa përmes Beogradit ikin në Perëndim. Gjithnjë e më shumë rusë po e zgjedhin edhe Malin e Zi si ekzil.

Kjo ikje ka një paralele historike. Pas revolucionit bolshevik më 1917, Vladimir Iliç Lenini vendosi më 1922, pra para 100 vjetësh, t’i dëbojë nga vendi “elementët destruktivë”. Në verën dhe vjeshtën e atij viti disa anije u nisën nga portet e Rusisë sovjetike dhe sollën në botën e jashtme, sidomos në Gjermani, qindra profesorë, politikanë dhe shkrimtarë, të cilët nuk pajtoheshin me regjimin bolshevik. Ky aksion ka hyrë në histori me emrin “anija e filozofëve”. Kështu u kosit elita intelektuale dhe kulturore e vendit.

Në Rusi po fillon epoka e errësimit të plotë. Shenjat e kësaj epoke janë shfaqur qëmoti. Për shembull më 2006. Atëbotë kancelarja gjermane Angela Merkel e takoi për herë të parë Vladimir Putinin, në Dresden, aty ku ai e kishte përjetuar fundin e Bashkimit Sovjetik si agjent i KGB-së. Në Moskë sapo ishte vrarë publicistja Ana Politkovskaja. Pas dënimit rutinor të këtij krimi të llahtarshëm, Perëndimi kishte kaluar në rendin e ditës: biznes dhe tolerancë ndaj brutalitetit rus. Më 2015 u vra Boris Nemcovi, politikan opozitar rus. Aleksej Navalni, pasi u helmua me gjasë nga Shërbimi Sekret Rus, tani po i nënshtrohet një farse të re gjyqësore, ku mund të dënohet me mbi 10 vjet burgim.

Shkrimtarja ruse Ludmila Ulickaja, e cila tani përmes Izraelit ka arritur në Gjermani, në një shkrim pyet: “Ku është ai i çmendur me urdhër të të cilit trupat ruse kanë kaluar kufirin ukrainas, po sulmojnë e bombardojnë qytetet paqësore dhe po i ndjekin mijëra banorë në bunkerë? Në cilin bunker të rehatshëm jeton ai njeri? A thua çfarë i zien atij kuzhinieri i famshëm për darkë?”. Ulickaja shprehet e bindur se Putini në këtë apo atë botë do të dalë para gjyqit. Më mirë do të ishte, natyrisht, në këtë botë. Por që kjo të ndodhë, shoqëria ruse duhet të ketë fuqinë të shkundë e ta rrëzojë këtë regjim. Gjasat tani për tani duken të vogla, duke pasur parasysh represionin dhe indoktrinimin shumëvjeçar. Tash Putini ndodhet në sfera metafizike, i bindur se me Bibël dhe me armë mund të rikthejë “epokën e artë sovjetike”.