OpEd

“Gjysmë të egër”, “dembelë”, “tregtarë dinakë orientalë”, “lakmitarë”, “frikacakë”

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, oficerët nazistë i përshkruanin shqiptarët me tone raciste. Në fillim ata i shihnin shqiptarët si “racë fisnike dhe luftarake”. Vokabulari herë idealizues, herë përbuzës kishte vetëm një qëllim: manipulimin dhe instrumentalizimin e shqiptarëve për interesa të nazistëve. Ndonëse gjermanët e kishin bashkëpunëtor të ngushtë Xhafer Devën, ushtarët e tij përshkruheshin nga nazistët si “gjysmë të egër”. Kaq sa i përket mitit mbi respektin që paskan gëzuar nacionalistët shqiptarë te pala gjermane në Luftën e Dytë

Para se të vinin nazistët gjermanë në tokat shqiptare erdhi Willibald Kollegger. Ai ishte një publicist austriak i lindur në Graz. Më 1942, Kollegger botoi librin “Albaniens Wiedergeburt” (Rilindja e Shqipërisë), një fletushkë propagandistike në shërbim të pushtuesve fashistë italianë. Aty shqiptarët përshkruhen si fisnikë të egër, një racë kinse e veçantë, luftarakë e trupgjatë, vigjilentë dhe symprehtë. Kollegger është shumë i lumtur kur një shqiptar në treg i thotë se këndej, në këto vise, s’ka hebrenj.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 1943, Shqipëria (që atëbotë përfshinte edhe Kosovën) u pushtua nga nazistët gjermanë. Shumë prej oficerëve gjermanë ishin të ndikuar nga romani i Karl Mayit “Durch das Land der Skipetaren” (Nëpër vendin e shqiptarëve), ku ai i përshkruan shqiptarët, pa qenë kurrë në trevat e banuara prej tyre, si fis ekzotik pak a shumë të ngjashëm me fiset indiane të Amerikës.

Më 1943, etnologët Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një libër mbi “Popujt dhe racat e Europës Juglindore”. Aty shqiptari na shfaqet si njeri me tipare nordike, me sy të kaltër, me shikim të hapur dhe të ndershëm, “ai është personifikimi i burrave veriorë shqiptarë, te të cilët edhe sot mbizotëron gjaku i ilirëve, i përzier me gjakun e grupeve të shpërndara të popujve gotikë”. Nga njëra anë Karl May e “orientalizonte” shqiptarin, nga ana tjetër, etnologët e shihnin si “tip nordik”. Te romani tjetër (“Der Schut”) Karl May shkruan se humnerat e errëta, kërcënuese dhe të ftohta kanë pasur ndikim të madh në formimin e karakterit dhe fizikut të popullsisë shqiptare. Shqiptari, sipas May, është po aq armiqësor ndaj të huajve siç është vendi i tij.

Të pajisur me këso imazhesh, oficerët gjermanë kishin pritje të mëdha kur më 1943 filluan me shtrirjen e pushtetit të tyre në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Kosovës (veriun e Kosovës ata e kishin mbajtur për vete pas pushtimit të Serbisë më 1941). Brenda pak muajve shqiptari fisnik u shndërrua në malësor gjysmë të egër. Nga shqiptari që krahasohej me gjermanin që banon në alpe te shqiptari që kalon ditën me kotësi ishte një rrugë e shkurtër.

Si dhe pse ndodhi ky ndryshim? Ndodhi për shkak se imazhi idealizues për shqiptarët të cilin e kishin në mendje nazistët nuk përputhej fare me realitetin. Zhgënjimi i nazistëve u rrit kur ata nuk ia dolën të mobilizojnë “popullin luftarak shqiptar” për interesat e tyre, përkundër simpatisë së hapur apo të rezervuar ndaj gjermanëve sidomos në Kosovë për shkak të dënimit të administratës së urryer serbe.

August Schmidhuber, komandant i të ashtuquajturit “Divizioni Skanderbeg”, ëndërronte që natyra luftarake e shqiptarit të përsoset me disiplinë. Kësaj deklarate i vjen duhmë e kolonialistit që vjen për të “civilizuar popujt primitivë”. Rrjedhimisht, për shqiptarët, nga këndvështrimi i “shkencës” së bazuar në tipare raciale, thuhej se s’dinë gjë tjetër veçse të luftojnë e gjuajnë me armë dhe se vdekja në fushëbetejë konsiderohet cak jetësor, ndërsa vdekja në shtrat as që ia vlen të përmendet.

Në librin e saj mbi shqiptarët e rekrutuar për “Divizionin Skanderbeg” historiania zvicerane, Franziska Zaugg, citon gjerësisht nga raportet e nazistëve. Këto raporte tregojnë qasjen raciste të tyre ndaj shqiptarëve. August Schmidhuber, për shembull, shkruan se gjermanët më mirë të kishin ardhur me një “thes me ar”, atëherë do të kishin arritur sukses me rekrutimin e shqiptarëve për “Divizionin Skanderbeg”.

Citatet në vijim janë nga dokumentet gjermane të Luftës së Dytë Botërore. “Bakshishi” është mjet i zakonshëm për të arritur qëllimin në Shqipëri, madje edhe për gjëra të përditshme si marrja e lejes së qarkullimit për veturë nga ana e xhandarmërisë shqiptare. Në një raport mbi gjendjen ushtarake në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1944 thuhej se “ushtria private” e Xhafer Devës përbëhej nga malësorët gjysmë të egër. Politikanët shqiptarë cilësohen si mashtrues, ndërsa “në fund të fundit shqiptarët gjysmë të egër në kohëra të trazuara mund të qeverisen vetëm duke i frikësuar dhe tmerruar”. Shqiptari portretizohet si dembel dhe “tregtar dinak oriental”, i cili jeton në një strukturë primitive sociale të dominuar nga “lakmia”.

August Schmidhuber shkruan se është “sagë” (mit, përrallë) rrëfimi se shqiptarët janë qitës (shenjëtarë) të mirë. Sipas tij, shqiptari ka dëshirë të gjuajë në ajër dhe është “i pangopshëm me municion”. Schmidhuber ankohet se gratë dhe vajzat gjermane prodhojnë municion në fabrika, ndërsa djemtë dembelë shqiptarë sorollaten nëpër kafehane ose rrinë këmbëkryq në pazar dhe as që duan të dëgjojnë për kursimin e municionit. Oficeri nazist Schmidhuber, e quan përrallë edhe trimërinë heroike të shqiptarëve. Shqiptarin “mund ta ndjekësh në gjithë rruzullin tokësor me vetëm një granatahedhësh të lehtë”, ai sulmon vetëm deri aty ku gjen diçka për të vjedhur apo plaçkitur. Lufta për të mbaron kur e grabit një dhi, një plug apo një rrotë të makinës së rrobaqepësisë, pastaj kokë më vete kthehet në shtëpi. Kaq sa i përket mitit mbi respektin që paskan gëzuar nacionalistët shqiptarë te pala gjermane në Luftën e Dytë.